Milika Jaho, vlerat e një figure të respektuar publike, që u shfaqën kur Berati pati shumë nevojë për to

Milika Jaho, vlerat e një figure të respektuar publike, që u shfaqën kur Berati pati shumë nevojë për to

Ajet Nallbani

 

Milika Jaho kreu detyrën si kryetare bashkie për Beratin në vitet 1996 – 2000. Ishte rasti të dëshmonte talent, guxim dhe aftësi  organizative, duke përballuar situatat e vështira që solli viti i mbrapsht 1997. Historikisht ishte e para grua në këtë post në Berat.

 

Lindi më 16 tetor 1942 në lagjen Vakëf të Beratit.

Pas mbarimit të gjmnazit, i del e drejta e studimit për arkitekturë në Gjermani, ku përfundon vetëm vitin e gjuhës.

Në vitin 1965 mbaron Universitetin e Tiranës në degën gjuhë shqipe-letërsi. Në dy vitet e fundit  specializohet për pedagogji-psikologji.

 

Pas mbarimit të universitetit emërohet mësuese në shkollën pedagogjike të Beratit, ku punon dy vjet. Meqë familja iu internua në Lapardha për probleme politike, emërohet mësuese gjuhe në shkollën 8-vjeçare Lapardha.

 

Për vite me radhë, të shtunave pasdite dhe të dielave, ka dhënë lëndën e pedagogjisë e të psikologjisë për mësuesit që vazhdonin shkollën e mesme pa shkëputje nga puna.

 

Ka marrë pjesë në kurset për përgatitjen e mësuesve të rinj dhe në atestimet e mësuesve për efekt kualifikimi.

 

Deri në vitin 1991 ka punuar si mësuese gjuhe në  Lapardha e Dushnik.

Në vitin 1991 emërohet në Berat drejtore në shkollën “Mangalem”. Më vonë punon në drejtorinë arsimore.

 

Mori pjesë në lëvizjen demokratike.

 

Mban titullin e lartë “Mësuese e Popullit”.

 

Shënim:

Ky material është marrë nga faqja e Facebook-ut të Ajet Nallbanit