Mjeku, pedagogu, drejtuesi dhe intelektuali që e mbajti gjithmonë Skraparin në zemër

Mjeku, pedagogu, drejtuesi dhe intelektuali që e mbajti gjithmonë Skraparin në zemër

 

 

 

Ajli Alushani është ndër pionierët e krijimit dhe zhvillimit të shërbimit të kardiokirurgjisë në Shqipëri, një nga fushat më të vështira, më të ndërlikuara dhe më sfiduese të mjekësisë.

 

 

Mjekësia shqiptare, në rrugëtimin e saj të zhvillimit dhe në përpjekjet për të sjellë metoda të reja e bashkëkohore të trajtimit, ka edhe gjurmën e çmuar të doktor Ajliut. Gjurmë si mjek, si drejtues, si pedagog, si intelektual, por mbi të gjitha si njeri. Dhe për ne, që vijmë nga e njëjta trevë, ai është edhe një krenari e veçantë: një Skraparlli që e bëri emrin e vendlindjes të dëgjohej përtej kufijve të saj.

 

 

Një karrierë e gjatë, e nisur në vitin e largët 1963, kur vendosi për herë të parë në qafë stetoskopin, atë “stoli” të çmuar që shënon hyrjen në botën e mjekësisë. Që nga ajo ditë e deri më sot, stetoskopi nuk ka qenë thjesht një mjet pune, por një simbol i një jete të tërë kushtuar njeriut.

 

 

Nuk ka, ndoshta, profesion më fisnik sesa të kujdesesh për atë që vuan, t’i gjendesh pranë një fëmije, një prindi, një familjeje në çastet më të vështira të jetës. Të shpëtosh një jetë do të thotë të rikthesh shpresën; të shërosh një njeri do të thotë të bësh të lumtur një familje. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga virtytet më të spikatura të dr. Ajli Alushanit: fisnikëria njerëzore, përtej profesionit.

 

 

Ai nuk është vetëm një përfaqësues i denjë i Skraparit në mjekësinë shqiptare. Për shumë mjekë e profesionistë që kanë punuar pranë tij, ai ka qenë shembull, model, frymëzim, udhërrëfyes dhe mbështetje. Breza të tërë kanë gjetur tek ai jo vetëm dijen profesionale, por edhe dorën e shtrirë, këshillën dhe kurajën për të ecur përpara.

 

 

Edhe pse u largua herët nga Skrapari, Tirana dhe shtëpia e tij mbetën përherë një portë e hapur për Skraparllinjtë. Kushdo që kishte nevojë për një këshillë, një kujdes shëndetësor apo një fjalë të mirë, e dinte se mund të trokiste në derën e doktorit. Kështu, lidhja e Ajli Alushanit me Skraparin nuk u këput kurrë; përkundrazi, u bë edhe më e fortë.

 

Kudo ku ndodhej, në spital, në auditor, në mbledhje apo në një tavolinë miqsh, Skrapari ishte aty. Ishte pjesë e pandashme e bisedës së tij, e kujtimeve, e dashurisë dhe e identitetit të tij. Tek ai duket sikur janë mbledhur shumë prej atyre cilësive që e karakterizojnë Skraparlliun: fjala e mbajtur, mikpritja, thjeshtësia, krenaria për vendin e vet dhe, mbi të gjitha, gatishmëria për t’i gjendur pranë tjetrit.

 

 

Ajli Alushani është një emër i njohur në mjekësinë shqiptare: mjek, pedagog, intelektual me profil të lartë dhe Ministër i Shëndetësisë. Por përtej funksioneve dhe titujve, ai mbetet një njeri i sakrificës dhe i përkushtimit, një pikë referimi për ata që kanë pasur fatin ta njohin dhe të punojnë me të.

 

 

Ai ka ditur të sillet me të gjithë njësoj, me një njerëzi të veçantë, nga njeriu më i thjeshtë deri te politikani, shkencëtari apo personaliteti i njohur. Ndoshta kjo është një nga arsyet pse emri i tij ka mbetur gjatë në kujtesën e njerëzve: sepse përpara se të shihte profesionin, detyrën apo statusin e tjetrit, shihte njeriun.

 

 

Edhe kur ka mbajtur detyra të larta shtetërore, nuk është shkëputur asnjëherë nga profesioni. Mjekësia ka mbetur pasioni dhe misioni i tij. Në ekipet ku ka punuar ka qenë një figurë bashkuese, një njeri që përcillte qetësi, mirëkuptim dhe frymë bashkëpunimi. Njëkohësisht, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në afrimin dhe integrimin e brezave të rinj në mjekësi.

 

 

Ndoshta është pikërisht ky kombinim i rrallë mes profesionalizmit dhe mirësisë, mes dijes dhe thjeshtësisë, mes autoritetit dhe njerëzores, që e bën figurën e Ajli Alushanit kaq të veçantë.

 

 

Sepse ka njerëz që bëhen të mëdhenj nga detyra që mbajnë. Ka të tjerë që mbeten të mëdhenj edhe pasi detyra mbaron.

 

 

Dr. Ajli Alushani i përket kësaj kategorie.

 

 

Dhe për Skraparin, emri i tij është më shumë se një emër i njohur i mjekësisë shqiptare. Është një emër që i bën nder vendit prej nga erdhi, një jetë që dëshmon se njeriu mund të ngjitet lart në profesion, pa harruar kurrë vendin, njerëzit dhe rrënjët e veta.

 

 

 

 

Ajli Alushani u lind në fshatin Gjerbës, më 7 maj1942, në një familje të njohur dhe me emër në të gjithë Skraparin.

 

 

Studimet e para i kreu në shkollën 7-vjeçare, në vendlindje. Në vitin 1954-58 kreu shkollën e mesme mjekësore në Tiranë.

 

Në vitin 1963 përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë dhe u diplomua “mjek i përgjithshëm”, më pas u specializua për sëmundjet e mushkërive dhe tuberkulozit. Menjëherë pas studimeve filloi punë në Shërbimin Shëndetësor, Skrapar. Në vitin 1967 filloi specializimin për Kirurgji të Përgjithëshme në Spitalin Kirurgjikal të Tiranës.

 

 

Në vitin 1968 emërohet pedagog në Katedrën e Kirurgjisë së Përgjithshme dhe të Anatomisë normale në Fakultetin e Mjekësisë, ku dhe merr orientimin në Kirurgjinë e Zemrës.

 

 

Në maj te vitit 1971 aplikon, për herë të parë në Shqipëri, qarkullimin jashtë trupit të gjakut, me makinën zemër-mushkëri, duke krijuar kushtet e kryerjes së operacioneve në zemër të hapur, siç vazhdojnë dhe aktualisht.

 

 

Në vitin 1983-87, deputet i Skraparit në Kuvendin e Shqipërisë, gjithashtu për 4 vjet ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë.

 

 

Në vitin 1991-92 deputet në Kuvendin e parë pluralist të Shqipëris. Më 1994 emërohet zëvendes president i Shoqatës Italo-Shqiptare të Kirurgjisë Miniinvazive.

 

 

Në vitin 1975 kreu një specializim në shërbimin e Kardiokirurgjisë në Spitalin San Camillo të Romës-Itali.

 

 

Në vitin 1980-81 u specializua në Shërbimin e Kardiokirurgjise në Paris-Francë. Në vitin 1982 fiton gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore”.

 

 

Prof. Dr. Ajli Alushani është autor e bashkautor i shumë punimeve shkencore e klinike në shërbimin e kirurgjise kardiovaskulare. Bashkautor në disa tekste mësimore për studentet; ka shkruar shumë artikuj shkencorë; ka bërë leksione të nivelit universitar e pasuniversitar.

 

 

Ka punuar në fushen pedagogjike dhe ka ndihmuar në përgatitjen e kuadrove të rinj në Kardiokirurgji. Ka marr pjesë në konferenca kombëtare e ndërkombëtare të organizuara nga Shoqata Shqiptare e Kirurgjisë Kardiake, duke qënë anëtar i shoqatave evropiane të Kardiologjisë.