“Mos ma shaj lumin e fshatit tim se, më ke sharë Nënën time…” Paç jetën e gjatë,  Xhevahir!

“Mos ma shaj lumin e fshatit tim se, më ke sharë Nënën time…” Paç jetën e gjatë,  Xhevahir!

 

Nga Muhamet Cerova *

 

Përfytyroni për një moment, të nderuar miq e bashkëqytetarë sikur, të kishim sot në dorë, një kronikë të shkruar të qytetit tonë. Sa do të na ndihmonte,  të krenoheshim sëtoku, në këtë ditë të shënuar  sidomos për brezin tim e ata të pakët diç më të vjetër.

 

 

Mjerisht nuk e kemi një kronikë të qytetit.  Ndër të gjallët e sotëm të këtij qyteti, me moshën e zanafillës së qytetit, pothuajse nuk më zë syri.

 

 

Ama, edhe për ca mote më tej, lumturisht jeton një vërsë që, bart në kujtesën e vetë, ato kohë të fëminisë dhe rinisë së herëshme kur, ky qytet pat nisur të hedhe shtat. Unë, nuk do ta bëja dot siç duhet punën e kronikanit por, mbresat e atyre viteve,  më ndihin të kujtoj:

 

 

Pas shkollës së parë fillore të qytetit, diku aty ku ngjiten shkallët për në Varrezën e Dëshmorëve (sot nuk ka asnjë gjurmë të saj), u ndërtua shkolla 7 vjeçare, në lagjen Hasan Seitaj (edhe ajo sot nuk njihet), paralel me të u ngrit dhe u çel komvikti i fëmijve që vinin kryesisht nga fshatra me pamundësi shkollimi.

 

 

Konvikti i famshëm, me kapacitet 100 fëmijë, nis aty nga viti 1953, me një regjim mësimi dhe edukimi që sot, nipër a mbesat tona, as do ta imagjinonin. Rruga rreth 3000 hapa fëmijësh, nga konvikti për në shkollë, bëhej  në dy rreshta, me në krye një “famfarë” të thjeshtë, përbërë nga një bori dhe një trumpetë. Ky ishte një rregull strikt dhe, sa keq që nuk kujtoj dot se, cila mëndje e ndriçuar mësonjësi, e pat formuluar këtë proçesjon.

 

 

 

Dyshja e famfarës në krye, niste të ekzekutonte çdo mëngjes, që nga oborri i konviktit e në vijim deri sa mbrrihej në shkollë, sigurisht me disa pauza gjat rrugës, si shplodhje për instrumentistët fëmijë.

 

 

Trumpeta, një instrument i pa njohur për ne fëmijët e kohës, ekzekutohej e mbajtur në qafë e para gjoksit, nga një djalosh pak zeshkan, me flokë gështenjë e kaçurrela, me shtat të drejtë e që kryet i shquanin pakëz mbi vërsën, më shpesh me pantallona të shkurtëra të zeza e këmishë të bardhë, shaminë e kuqe të piomierit në qafë ,ndër 2 – 3  djem me këpucë në krejt shkollën ku dominonin tejetej opingat e llastikut. Ky qe “kostumi” që ja jepte shteti, një pakice fëmijësh me pamundësi ekonomike.

 

 

Trumpetjeri, ishte nxënës i klasës së shtatë kur e pash për herë të parë unë i klasës së pestë.

 

Trumpetjeri qe nxënësi më i mirë i shkollës në mësime por, ca rrebel në atë që pedagogjia e kohës i jepte përparësi e që quhej sjellje. Ne më të vegjlit, që vinim nga fshati, ëndërronim e me rast i qaseshim tja preknim instrumentin magjik trumpetjerit e ai, nga pozita e të rriturit, na ndukte lehtë faqet, me dy gishtat e dorës.

 

 

Qyteti i saponisur, nuk e kishte një grup teatror por, në skenën e kinemasë së ngritur me nxitim, jo rrallë, mësonjës dhe nxënës të asaj shkolle, interpretonin me përkushtim e modesti, pjesë nga autorë vëndas e të huaj.

 

 

Trumpetjerin zeshkan e kaçurel, e kujtoj sot në atë skenë, ku luhej një dramë ruse që, nëmos gaboj, titullohej, “Farmacisti Finkelshtejn”.

 

 

Pastaj ndodhi që  Trumpetjeri i vogël i qytetit të sapolindur, të largohet për tu rritur e shkolluar më shpejt sesa qyteti ynë, për tu bërë Trumpetjer i  guximit dhe i Lirisë së kombit të tij,  në rrugën e vështirë por të bukur të Artit Poetik, mbushur me dashuri e përkushtim Naimjan, për atdheun dhe popullim e tij, për vatrën e Malindit ku i pat rënë koka, për Skraparin dhe Çukën e Tomorrit.

 

 

Që prej atij fundviti akademik 1957 -58 e në vijim, heshti trumpeta e famëshme në rrugët e qytetit të ri por, nuk heshti trumpetjeri i madh, që më fort e më bukur do të gjëmonte pa prerë,në tërë skajet e Kombit, ky Poet e gazetar, ky intelektual e tribun i fjalës së lirë e të kulluar Shqipe,  ky madem i shtrënjtë me gjak të pastër Skrapari e Shqipërie.

 

Mos ma shaj lumin e fshatit tim

Se, më ke sharë Nënën time

Duartë e saj të zbardhura nga finja,

Çarçafët e larë, varur në tel.

Mos ma shaj lumin!

Se, ai lumi im i vogël rrjedh paprerë

Dhe mbush detin e madh.

 

 

Ndërsa, instrumenti magjik nuk e pati fatin të mblohej e ruhej që, në shënjë mirënjohjeje të thellë, tja vinim para duarësh të zott, në 79 vjetorin e tij,Trumpetjerit, Poetit të Madh, bir i denjë i Skraparit dhe i Shqipërisë, Xhevahir Spahiu.

 

Qyteti ynë, nuk e ka një kronikë të shkruar.

Asnjëherë nuk ka patur qyteti një kronikan.

As nuk ka për të patur nonjëherë.

Kronikan nuk ka as kryeqyteti, në daçi ta dini.

 

 

 

Siç kanë marrë punët, më bëhet se,  jo fort larg pas nesh, as qytet nuk do të ketë, këtu ku e kemi e siç e kemi sot.

 

 

Ashtu siç sot, qytetin që ende e kemi, nuk e kemi siç qyteti që patëm në motet më të mira të vet këtij qyteti. Këtë e them, me keqardhje therëse, për vehten e për shumë të tjerë siç vehtja, që mund të pezmatohen kur më dëgjojnë. Ama, as brenga ime dhe as pezmi i atyre që kanë sy e mënd në kokë, nuk ndihmojnë dot tufën e verbër të kuptojë se, kalbëzimi i Pushteteve të Shtetit të Njeriut nga njëra anë dhe, dorëzimi i tyre  tek Tregu pa kufi nga ana tjatër, do të sillte me domosdo, asgjësim të qytetërimit mbi njëzet shekullor, të qyteteve siç qyteti im, e në daçi edhe të shumë qyteteve ku e ku më të medha se ky.

 

 

Tregu Pushtet sot, Zot i tokës, i Qiellit, i Njeriut dhe i atij Zotit që çoç e pandehëm deri dje por që, ky i riu e përzuri përtej reve, siç thonë e tash e mbrapa, në konakun ku dëndet mullëza e grigjës, nuk ka më oxhak e buxhak për zot tjatër veç TregutPushtet.

 

 

Ky gjigand e ky Bajloz, na këndell  ditë e natë, me borije e zurrna, me llambushka, orgji e shalë, që të xhindosemi, të braktisim trojet e të parëve, të shkretojëm tokën e lashtë, qytetërimin mijëra vjeçar, traditën, kulturën, këngën, zakonet e arta dhe, të degdisemi si barbarë në “parajsën e minjve”, ku na fton dinakërisht e mizorisht, Fuqia e Tregut Shtet.

 

 

E bëra këtë parantezë ,e pa vënd në dukje por, edhe pse nuk jam dot ai trumpetjeri i kohës së themelimit të qytetit tim,  sëpaku, qetësoj sadopak  ndërgjegjen time, si një banues që nga vitet e para e, më pas për shumë vite contributor në fushën e projektimit dhe strukturimit urban të këtij qyteti e më gjerë.

 

 

Qyteti im, qyteti jonë, lindi në kohën kur vëndi dhe nënja lindën Trumpetjerë dhe Poetë të mëdhenj. Qyteti im, qyteti jonë, Skrapari im, Skrspari ynë,  po tkurret e po  shkretohet, në këtë kohë të ligë, kur nënja dhe koha nuk lindin më Trumpetjerë dhe Poetë por, intelektualë kodoshë, lakej, vemje që rrogëtohen e dënden si kone, në paradhomën e Pushtetit të korruptuar e kalbur.

 

 

Profetët, nuk i ka kuptuar dot “fshati” i vetë, shpesh asqë ka begenisur ti kuptojë,  dhe në këtë mardhënje mes tyre, më duhet të them se, ka spikatur ana më e ligë  që e kararkterizon njeriun në tërë ekzistencën e vetë. Këtë noksanllëk, nuk e zbulova unë, ky është mësim i madhe nga historia e lashtë dhe e re, madje mësim dhe nga legjenda. Jezu Krishtin, nuk e kryqëzoi Guvernatori Romak, Krishtin e kryqëzuan Çifutët, kështu na e thotë legjenda mbi Jezusin pa histori.

 

 

Të njëjtin fat do të kish patur edhe Profeti i arabëve gjashtë  shekuj më pas prej Medinasve të vetë po të mos qenë miqtë dhe shokët e tij besnikë. Këtë na e kallzon historia. Ky ves i lig i turmës së verbër me profetët e ve, e shoqëron njeriun dhe shoqërinë edhe në ditët tona.

 

Mbase nuk është tipike por,  mjerisht mund të provohet edhe në historinë e Skraparit .

 

 

Paçka distancës, tërë jetën time e veçmas sot, ndihem krenar që jam bashkëkohës dhe bashkë patriot i Poetit të madh Xhevahir Spahiu, të cilit kam rastin t’ia uroj nga zëmra :

 

Jetën e Gjatë, trumpetjer dhe Xhevahir i vëndit tim!

 

Paç jetë të gjatë, Xhevahir Spahiu!

 

 

Shënim:

*) Ky shkrim është marrë nga gazeta “Dita”