Muajt e fshehtë në Rovicë dhe Zabërzan
Në këtë shkrim të përgatitur nga dy autorë, ILMI S. QAZIMI dhe i ndjeri MEHMET DUME, kujtesa e banorëve, dëshmitë familjare dhe tradita gojore hedhin dritë mbi një periudhë pak të njohur të qëndrimit të Çerçiz Topullit dhe çetës së tij në zemër të Skraparit.
Duhet thënë se në mungesë të dokumenteve dhe të kohës shumë të largët të kujtesës popullore, ky është një kontribut i çmuar i dy studiuesve, të cilët me anë të bisedave dhe intervistave me të moshuar, si dhe lidhjen e ngjarjeve në kontekstin kohor të atyre viteve, kanë arritur të lënë një material me vlerë që nderon historinë Skraparit
Sipas kujtimeve të pleqve të fshatit Rovicë, në vitet 1908–1909, Heroi i Popullit Çerçiz Topulli, së bashku me luftëtarët e çetës së tij, qëndroi për disa muaj në këtë fshat. Ky episod, i ruajtur brez pas brezi në kujtesën popullore, përbën një faqe të rëndësishme të historisë së luftës për liri.
Por çfarë e solli trimin e Mashkullorës në pyjet dhe malet e Rovicës?
Në atë kohë, Çerçiz Topulli dhe çeta që ai drejtonte ishin kthyer në shqetësimin më të madh të administratës osmane. Porta e Lartë kishte vënë në lëvizje ushtri, bimbashë dhe spiunë për ta kapur të gjallë. Bashkë me vëllanë e tij, Bajo Topullin, si edhe me bashkëluftëtarë të njohur si Mihal Grameno, Hajredin Tremishti e të tjerë, Çerçizi e dinte se Skrapari ishte një nga krahinat më të sigurta për t’u strehuar. Këtu, familjet atdhetare ishin jo vetëm mikpritëse, por edhe mburojë e luftëtarëve të lirisë.
Një nga këto familje ishte ajo e Turhan Bej Rovicës. Ai kishte gjashtë djem: Veliun, Hysenin, Zalon, Hasanin, Rizain dhe Kasëmin. Familja e tij njihej jo vetëm për pasurinë e konsiderueshme – me mijëra krerë bagëti, toka, pyje dhe kafshë pune – por edhe për lidhjet e shumta miqësore e krushqitë me familje të njohura atdhetare të Skraparit dhe krahinave përreth.
Turhan Beu kishte miqësi me Ali dhe Pasho Hysin në Vërzhezhë, Kapllan Asllanin në Çepan, Bari Zaimin në Vendreshë, familjen Levenishti në Potom, Shefit Bej Kapinovën në Kapinovë, Qazim Selfon në Hekal të Mallakastrës, Adem Kurtin në Imshtë të Lushnjës e shumë të tjerë.
Gjatë qëndrimit në Rovicë, Çerçiz Topulli dhe çeta e tij u strehuan në Kasollen e Çarçanit, mbi fshat. Ishte një kasolle e thjeshtë stani, por historia e shndërroi në një vend simbolik. Me zbardhjen e ditës, çeta shpërndahej në pyje, duke lëvizur në fshehtësi të plotë. Luftëtarët ndaleshin edhe në stane të tjera, por baza kryesore mbeti Kasollja e Çarçanit.
Strehimi i tyre ruhej me një fshehtësi të jashtëzakonshme. Vetëm pak veta nga familja e Turhan Beut ishin në dijeni. Ata siguronin ushqimin, përcillnin lajmet mbi lëvizjet e ushtrisë osmane dhe ruanin sekretin me fanatizëm, sepse prej tij varej jeta e patriotëve dhe vazhdimësia e luftës.
Veli Idërshai, djali më i arsimuar i familjes, i diplomuar në Medresenë e Beratit, ishte vazhdimisht pranë çetës. Por spiunët arritën ta zbulonin. Ai u arrestua dhe u dërgua në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, ku u mbajt i lidhur me zinxhirë në të dyja këmbët, derisa plagët iu gangrenizuan.
Pas këtij rreziku, Çerçiz Topulli dhe luftëtarët e tij u larguan nga Rovica dhe u strehuan në Zabërzan, në shtëpinë e komitit të njohur Bektash Hasanaj.
Hasanajt ishin një familje e kamur, me toka, pyje, bagëti dhe dy mullinj – atë të Mërqinjës dhe të Ambullit. Pasuria e tyre ishte fryt i punës, zgjuarsisë dhe mençurisë, ashtu siç thoshin të moçmit: “bollëku që sjell puna dhe kallaballëku”.
Bektashi ishte biri i Muhametit, një klerik bektashi i njohur për bamirësinë e tij dhe për ndërtimin e Urës së Vjetër mbi Osum dhe të Mullirit të Mërqinjës. Duke bredhur nëpër Shqipërinë e Jugut, ai krijoi një çetë prej 13–14 komitësh nga Zabërzani dhe fshatrat përreth, me synim luftën kundër pushtuesve osmanë. Pikërisht kjo luftë e lidhi edhe me Çerçiz Topullin.
Trimëria e tij mbeti në kujtesën popullore. Së bashku me Mete Malindin, ai i doli përballë një bimbashi turk që kërkonte dorëzimin e Metes. Kjo ngjarje u përjetësua në këngën popullore të sjellë nga studiuesi Neim Mustafaraj:
“Po vjen një bimbash,
me tabor nizamë,
në dorë mban fermanë,
po shtrëngon Skraparë.
Ja ma jepni Meten,
ja u vura zjarrë.
Ne Meten s’ta japim,
ty po ta mbajti,
digje dhe Skraparë!”
Një dëshmi me vlerë vjen edhe nga Hodo Hasanaj (1895–1990), i lindur në Zabërzan, i cili më pas jetoi për shumë vite si emigrant në Francë. Ai kujtonte:
“…Atë ditë erdhën disa burra në konak që nuk i kisha parë ndonjëherë. Kam qenë vetëm dhjetë a dymbëdhjetë vjeç. Njëri më mori në prehër. Mbante një qylaf të zi dhe kishte mustaqe të mëdha. Bisedonte me babanë tim dhe më pas u shtrua sofrë me mish të pjekur e plot të mira. Shumë vite më vonë mësova se ai kishte qenë Bajo Topulli.”
Më vonë ai tregonte edhe për ardhjen e dytë të Çerçizit dhe Bajos. Para se të afroheshin te stani i dhive, njerëzit e tyre thirrën me zë:
“O çoban, hajde se ka pjellë një dhi dy kecë!”
Çobani u përgjigj:
“Sille, o sille, këtu me gjithë kecë!”
Ky ishte kodi i fshehtë. Mesazhi nënkuptonte: “Thuaji Bektashit se Çerçizi ka ardhur me dy shokë.” Ndërsa përgjigjja do të thoshte: “Mirë se erdhët, Bektashi po ju pret.”
Nga rrëfimi i Hodos kuptohet se çdo lëvizje e Çerçizit shoqërohej me masa të jashtëzakonshme sigurie. Për të garantuar se sekreti nuk do të dilte nga konaku, gjyshi i tij u tha të pranishmëve:
“Kur të heq festen e kuqe unë, atëherë del llafi nga kjo shtëpi.”
Domethënë: vetëm pasi të kem vdekur.
Çerçiz Topulli kaloi shumë herë në Skrapar për çështjet e luftës. Një nga ngjarjet më të rëndësishme ishte takimi i zhvilluar në Teqenë e Frashërit, pas krijimit të Komitetit të Fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë”, në vjeshtën e vitit 1906. Në këtë kuvend morën pjesë përfaqësues nga Dangëllia, Skrapari, Kolonja dhe Përmeti.
Skrapari përfaqësohej nga Lace Backa, Zote Backa, Maliq Mersini, Riza Kodheli, Ahmet Bala, Zylyftar Potomi, Bajram Koprëncka, Neim Koprëncka, Shuaip Muço Nikollara, Xhelal Koprëncka, Ali Lako (Staravecka), Ali Farmaqi (Çepani) e të tjerë. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues të çetës së Servet Zaloshnjës.
Në këtë kuvend kapedanësh, Çerçiz Topulli, Lace Backa dhe Mihal Grameno vendosën jo vetëm vazhdimin pa ndërprerje të luftës kundër pushtuesve osmanë, por edhe mbështetjen për hapjen dhe mbrojtjen e shkollave shqipe në këto krahina.
Kjo frymë nxiti krijimin e çetave të tjera patriotike në Skrapar dhe në krahinat përreth, si ato të Ali Farmaqit, Tajar dhe Tefik Vendreshës, Sulejman Spatharës e të tjerëve, të cilat kishin si moto të shenjtë: “Ja vdekje, ja liri!”
Një dëshmi poetike me rëndësi të veçantë vjen nga atdhetari Kajmak Xhemal Dingo i fshatit Rog. Në një elegji kushtuar vrasjes së pabesë të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit, botuar në librin “Prapësia, Mbarësia” (1920), ai përjetëson edhe kujtimin e qëndrimit të Çerçizit në Skrapar:
“Qajnë malet e Skraparit,
qajnë malet me burime,
motin nëntëqind e shtatë
kujtojnë me rënkime,
kur shëtiste trimi i ndritur,
Çerçiz Topulli me shokë…”
Këto vargje nuk janë vetëm poezi. Ato janë jehona e një kujtese historike që dëshmon se malet e Skraparit nuk qenë vetëm strehë e Çerçiz Topullit, por edhe pjesë e pandarë e rrugëtimit të tij drejt lirisë së Shqipërisë.
