Muharrem Xhaxho/ Qaf’ e Martës, kur do të zgjohesh nga kjo heshtje varri?!…

Muharrem Xhaxho/ Qaf’ e Martës, kur do të zgjohesh nga kjo heshtje varri?!…

Muharrem Xhaxho

Muharrem Xhaxho lindi në Lubonjë të Korçës, në vitin 1942, ishte me origjinë nga Starja e Kolonjës, bir i një familjeje tepër të dëgjuar. Pas shkollimit në vendlindje, mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik, dega gjuhë-letërsi, dhe një kurs specializimi pasuniversitar për kritik teatri, pranë Akademisë së Arteve Tiranë.

 

Që nga viti 1963, ka punuar si mësues në shkollën e Lubonjës, ku dallohej për aftësitë e tij të rralla në mësimdhënie dhe organizim aktivitetesh jashtë klase e jashtë shkolle. Përveçse një mësues i talentuar, Lekua, siç e thërresin banorët vendas, është shquar për krijimtarinë e tij letrare dhe ka botuar libra e artikuj të shumtë me tematikë të larmishme.

Për t’u përmendur është botimi serioz i historikut të Lubonjës, ku ai me shumë dashuri, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë sjell pasqyrë të plotë të fshatit Lubonjë në të gjitha aspektet dhe periudhat historike të saj.

 

Libri “Lubonja” i M. Xhaxhos është dhurata më e çmuar që ai u bëri bashkëfshatarëve të vet dhe gjithë krahinës së Vakëfeve në tërësi, duke hyrë kështu në fondin e artë të botimeve kushtuar asaj treve, edhe pse këtë arritje dikush e kuptoi me vonesë.

Vepra e tij, po kështu e çmuar ngelet krijim “Qafa e Martës, Qafë me emër gruaje dhe trimëri burri”, një meditim perlë e letërsisë së Vakëfeve, që nuk ngopesh së lexuari e rilexuari.

 

 Muharremi iku nga kjo botë para kohe, por ka lënë pas një vepër dinjitoze për të mos u harruar kurrë.

 

Me rastin e 22 Qershorit, Festës së Qafës së Martës, që përkujton dy data, betejën e çetës së Lace Backës, 1914, dhe formimin e batalionit partizan “Riza Cerova”, 1943, po botojmë një nga përjetimet dhe motivet e tij krijuese për Qafën e Martës: 

 

 

Kur mblidheshim në Qafë të Martës!…

 

Qafa e Martës nuk mund të veçohet prej Ostrovicës apo, Majëprehtës. Nuk ka si ta ndash qafën nga trupi. Ostrovica, me një përbërje shkëmbore prej guri të bardhë gëlqeror dhe me bimësi të rrallë, duket deri në skajin më të largët të horizontit që kap syri i njeriut. Lehtësisht vështrohet prej Qafës Trebeshinë – Dhëmbel – Nemërçkë, ky vështrim  shkon deri në thellësi të Oparit, ndërsa në perëndim përfshin zonën e Potomit.

 

Prej Korçës duken pjesë të veçanta të Ostrovicës ku më e dallueshmja është Qafa e Veshit. Ostrovica është e qarkuar me kullota të pasura si në lindje, ashtu edhe në perëndim, nga ana e Skraparit. Kur shkarkohet në pranverë prej dëborës dhe në se sheh nga afër, të krijon imazhin e një  transoqeaniku që është ankoruar dhe ka hedhur spirancën tek Çuka e Frëngut.

 

Në  vjeshtën e vonë dhe në pranverën e hershme, kur është e mbuluar prej borës, ngjan si një akullnajë gjigante. Atë mund ta krahasosh edhe me një qenie mitologjike me kokë tek Qafa e Martës dhe me bishtin tek Qafa e Beçit, në Oparin e Sipërm.

 

Ostrovica është si një mur i madh ndarës në kufi midis Skraparit dhe Korçës. Qafa e Martës si shenjë gjeografike është pasqyrë e dy zonave fiziko-gjeografike. Ajo është qafë e butë, sidomos në stinën e verore, me Çukën e Frëngut, me kullota për rreth saj, si nga lindja dhe perëndimi, pothuaj në të gjithë gjatësinë. Qafa është me veçori të rrallë, me hapësirë të gjerë, me një shesh të bukur e të gjelbëruar dhe pranë Çukën e Frëngut si një faltore. Faqja nga Skrapari është më e pjerrtë dhe e veshur me shkurre dhe ka  burime ujore si: Kroi i Surrës, Kroi Mbret, e Koxhajt etj. dhe me një klimë të butë, ndërsa faqja përkundrejt, përballë Gorulin, është e pyllëzuar me drurë ahu dhe me kullota, por me dimër të ashpër.

 

Nuk ka ndonjë legjendë që të dokumentojë prejardhjen e emrit të qafës. Më i besueshëm është varianti i fundit. Poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar një poezi me titull “Qafa e Martës” ku ndër të tjera bën refleksione poetike për emrin: Pse ti qafë e malit thirresh Martë? Qafë e Martës dreqi i kuq të marrtë/ Ra dhe vdiq nën shkëmb të lartë/ Dhe pastaj e thirrën qafën Martë.

 

Në këtë qafë strategjike kalonte një rrugë që ishte ndërlidhëse midis krahinave dhe zonave. Të kaloje qafën në kohë dimri e stuhie, kur vije prej Korçës ose e kundërta, do të thoshte se i kishe shpëtuar rrezikut. Në stinën verore, të gjendeshe në Qafën e Martës, të dukej sikur kapje qiellin.

 

Që në lashtësi (edhe në Iliri) këtu janë bërë përpjekje me armë për të ndalur apo për t’u vënë fre ekspeditave shfarosëse turke.  Luftime të ashpra janë zhvilluar edhe me andartët grekë në vitin 1913 – 1914. Në këto vite njihet trimëria e luftëtarit të paepur Lace Backa, i cili, së bashku me luftëtarët, e kthyen Qafën e Martës në një kështjellë. Këtë e pasqyron edhe kënga popullore: Laceja në Qafë të Martës/Thirri: ku janë djemtë e Backës?

 

Qafa e Martës ka patur një vazhdimësi të pandërprerë historike e luftarake, ngjarje të pafundme. Në vështrimin e traditave patriotike të kurorëzuara në këtë Qafë, këtu më 22 qershor 1944, u krijua batalioni partizan “Riza Cerova”. Në këtë vend u sollën dhe u varrosën 6 partizanët e batalionit “Tomorri” që ranë heroikisht në Selenicën e Pishës, në Kolonjë, më 20 qershor 1944. Për të përjetësuar ngjarjet historike në këtë Qafë, u ngrit një monument me dy pllaka përkujtimore. Njëra i kushtohet luftës patriotike të Skraparit kundër andartëve grekë në vitin 1913 – 1914 dhe tjetra i përkushtohet batalionit partizan “Riza Cerova”.

 

***

 

Vite më parë Qafa e Martës e ka ndjerë veten mirë. Kur vinte dita festive e fund qershorit, faqja lindore nga ana e Korçës dhe ajo perëndimore nga Skrapari gjallëronin nga njerëzit. Kështu lëvizjet nga të dy anët e  qafës mund t’i ngjasoje si një kornizë me bletë punëtore që nuk i reshtnin prurjet. Këtu vije me qejf të madh dhe ikje me mendimin se duhet ardhur përsëri. Në këtë qafë përqafohej skraparasi me panaritasin, grabockalliu me çemerricasin dhe shtyllakun, me korçarin, kolonjarin dhe oparakun etj. Tek kjo qafë jam ngjitur për herë të parë me poetin Teki Backa dhe me shokun tim, ushtarakun dhe kuadër madhor Dilaver Xhakollarin. Jemi takuar përzemërsisht me Teki Bibollarin dhe Ali Tushën nga Backa etj. Këtu jam përqafuar me shokun tim të dashur, humoristin e njohur, të paharruarin Iliaz Kapxhiu. Po në këtë shesh të qafës së bashku me mikun tim Luman Caka jemi ngjitur disa herë. Këtu u njoha me Taip Çelën, Enver Cakën dhe Kastriot Cakën.

 

 

Miqësia që lidhet në Qafë është nga më të fortat, jetëgjatë. Nuk mund të harroj atë hare dhe gëzim të veçantë që shpërndahej si rrëke si një fllad përtëritës. Si mund të mos i kujtosh ata njerëz të urtë e të mrekullueshëm që nuk kërkonin hije, por diell prej diellit të Tomorit, preferonin të uleshin këmbëkryq aty në shesh. Ashtu të ulur dhe të qetë, me një rregullsi të çuditshme, si pa dashje formoheshin rrathë të panumërt si rrathë olimpike apo sofra gjigande, simbol i fortë i miqësisë dhe dashurisë, ndërsa kënga sikur delte prej shtërgesave të grykës së malit dhe përhapej andej dhe këtej qafës. Në fund të qershorit Qafa e Martës shndërrohej në një sofër të mikpritjes dhe bujarisë sakraparase.

 

Sot, qafa është po ajo. Ne vijmë nga ana e anës dhe vërtetë gjejmë po atë qafë siç ka qenë dikur, po nuk gjejmë ata njerëz. Jo vetëm s’ka rrëke njerëzish, por as edhe grupe të rralla. Shumë rrallë janë edhe njerëzit. Aty – këtu, po t’i grumbullosh gjithsej, nuk formohet as një gjysmë rreth i vogël. Njerëzit i kanë braktisur vendbanimet. Këto zona kanë mbetur bosh. Ata që nuk kanë lëvizur, detyrohen të përballojnë, të vetmuar, punë të vështira, ndaj njeriu sot nuk e ka të lehtë, edhe për arsye të tjera, të ngjitesh në Qafë të Martës.

 

Në fund  qershor njerëzit janë të rrallë, ndërsa kopetë e bagëtive në qafë dhe përreth Ostrovicës, të shumta. Kjo të trishton, por edhe të bën me shpresë. Dikush, prej komunës, mund të kujtohet për festën, mund të bëhet edhe ndonjë përpjekje, por nuk arrihet qëllimi. Në se ngjitet dikush, kjo është pak. Mund të shohësh disa të rinj që kërcejnë nën tinguj e një magnetofoni, disa fëmijë lozin me top dhe ndonjë i moshuar me kafshën prej kapistalli që e kullot. Mendimi e shpresa ende nuk janë shuar. Pra shenja është. Tek këta të rinj që kërcejnë, tek fëmijët që lozin, por edhe tek ky i moshuar shoh një shpresë.

 

Qafa jeton në kujtimet e cilitdo që e ka shkelur. Edhe tek thëniet “Kur ishim në Qafë të Martës”, “Kur do të vemi ndonjëherë”, “Të ngjitemi edhe një herë pa…!” gjejmë një përmallim që kthehet në nxitje për punë të mirë. I tillë është edhe Belul Ruka nga Lekasi që po ndërton një çezmë në Qafë. Shenja jete janë edhe kopetë e shumta të bagëtive që verojnë në Ostrovicë.

 

Qafa e Martës tani hesht. Të duket sikur prej thellësive të saj vjen një gjëmim. Qafa e  shenjtëruar ka nevojë për zëra njerëzish.

 

Qafa e Martës pret

 

Nesër, mund të ndodhë  gjithçka. Ndoshta nuk do të ketë ditë të caktuar, si fundi i qershorit, por të gjitha ditët e vitit të jenë si një festë e vërtetë, kur njerëzit të vinë me lehtësi dhe të kalojnë fundjavën.

 

Nesër mund të ndodhë diçka e imagjinuar. Mund të ndodhë që njerëz me potencial financiar do të ndërtojnë këtu motele dhe kamping. Rruga prej Korçës do të jetë e asfaltuar deri në  qafë.

Pra Ostrovica, Qafa e Martës, Goruli mund të marrin përparësi e të zhvillohen si zona turistike.

Këtu do të ketë pistë për ski dhe do të organizohen ngjitje alpinistike në Ostrovicë.

Ndërsa nga Skrapari mund të gjarpërojë ndonjë rrugë, mbase edhe një  teleferik apo transport ajror me helikopter.

Tek Qafa  duhet të ngrihet një Obelisk në kujtim të ngjarjeve historike dhe të dëshmorëve që kanë rënë aty.