Në kujtim të një patrioti që la gjurmë në histori
Në ambientet mikpritëse të kompleksit turistik Fafa Resort u zhvillua sot një veprimtari përkujtimore e mbushur me emocione, kushtuar një prej figurave më të respektuara të historisë së Skraparit, patriotit dhe luftëtarit të njohur Riza Vala.

Të mbledhur për të nderuar jetën dhe veprën e tij, banorë të Durrësit me origjinë nga Skrapari, anëtarë të shoqatës “Tomorri” Durrës, veteranë, familjarë dhe miq rikthyen në kujtesë kujtimet e një njeriu që i shërbeu vendit me përkushtim dhe dinjitet.
Atmosfera ishte e veçantë, e mbushur me respekt, mall dhe mirënjohje për trashëgiminë që ai la pas.

Veprimtaria u çel me shfaqjen e një dokumentari të realizuar nga moderatori i njohur Hajri Nuhu, ku përmes pamjeve, dëshmive dhe rrëfimeve u pasqyrua rrugëtimi jetësor i Riza Valës, sfidat, sakrificat dhe kontributi i tij në periudha të rëndësishme të historisë sonë.
Më pas, fjalët e mbushura me emocion të personaliteteve dhe bashkëkohësve sollën para të pranishmëve portretin e një njeriu që mbeti i paharruar në kujtesën e komunitetit.

Ndër ta folën kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Durrësit, Hajdar Domi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Lagjes “Plazh”, si dhe ish-deputeti Spartak Braho, të cilët vlerësuan figurën dhe kontributin e tij në shërbim të atdheut.
Një moment veçanërisht prekës ishte përshëndetja e të birit, Bashkim Tare, i cili ndau me të pranishmit kujtime të rralla dhe episode domethënëse nga jeta e babait të tij, duke sjellë jo vetëm figurën e luftëtarit, por edhe të njeriut të thjeshtë, familjarit dhe prindit të dashur.
Në fund, veprimtaria mori një ngjyrim edhe më emocional përmes një lidhjeje me video nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mbesa e Riza Valës, gazetarja e njohur Ilva Tare, përcolli fjalë zemre dhe mirënjohjeje.

Mesazhi i saj preku të pranishmit, duke dëshmuar se kujtimi i njerëzve që kanë lënë gjurmë në histori mbetet i gjallë përtej kohës dhe distancave.
Ishte një ditë reflektimi, respekti dhe nderimi, ku emri i Riza Valës u rikthye edhe një herë në qendër të vëmendjes, jo thjesht si pjesë e historisë, por si një frymëzim i gjallë për brezat që vijnë
***

Kush ishte Riza Vala
Riza Vala ishte një nga personalitetet e zonës së Skraparit. Për aktivitetin kombëtar u burgos dy herë nga austriakët dhe nga regjimi i Ahmet Zogut. Përveçse ka qenë pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë, Vala ka qenë dëshmitar në vrasjen e Riza Cerovës, luftëtar në Luftën e Vlorës në vitin 1920, dhe partizan i çetës Plakë të Kulmakut në vitin 1942.
I respektuar në të gjithë krahinën, Riza Vala ka pasur rastin të ishte në krah të udhëheqësve komunistë, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut sa herë që ata vizitonin Skraparin. Por për të mësuar më shumë për aktivitetin e tij patriotik, lexoni në vijim shkrimin.
U lind në fshatin Valë të Skraparit më 1888. Që në moshë të re ra në kontakt me njerëz të niveleve të ndryshme, që nga fshatari analfabet e deri tek patriotë të dëgjuar, njerëz të ditur e udhëheqës të të gjitha periudhave historike.
Në shpalljen e Pavarësisë ka pasur fatin që të provojë dy gjëra të shënuara. Të shohë, të dëgjojë e të kuvendojë me Themistokli Gërmenjin, atdhetarin dhe patriotin e shquar korçar. Po ashtu, në karvanin e drejtuar nga Themistokliu, në udhëtimin historik Skrapar-Vlorë, për ngritjen e flamurit, ishte edhe Rizai me të atin, Tahirin dhe shumë skraparlinj të tjerë.
Në vitet 1920-1924 mori pjesë në Revolucionin Demokratiko Borgjez, të drejtuar nga Fan Noli. Në vitin 1935, krah Riza Cerovës mori pjesë në Lëvizjen e Fierit. Për këtë shkak u dënua nga regjimi i Zogut me burgim të përjetshëm, por, pas reagimit ndërkombëtar, mori amnistinë.
Me fillimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, që në orët e para inkuadrohet në çetën e Kulmakut, krah legjendës së Skraparit Mestan Ujanikut. Luftëtar aktiv, do komandonte në betejën e Qafës së Shkozës, në Vërtop u përlesh fyt më fyt me pushtuesit, ku dhe u plagos. Pas çlirimit qe komandant i Komandës së Vendit në Sinjë të Beratit.
Më 1946, shkon në Shkollën e Bashkuar të oficerëve në Tiranë.
Sa qe gjallë u nderua e u respektua me urdhëra e medalje, i ftuar në përvjetore e veprimtari të ndryshme.
Ka marrë pjesë në Konferencën e Parë Kombëtare të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar në korrik 1957, si dhe në Kongresin e Tretë Kombëtar të Paqes në 5 korrik 1958.
U nda nga jeta më 1 qershor 1966, në fshatin e tij të lindjes, i nderuar nga populli i Skraparit, por disi i harruar nga pushteti edhe pse ka kontribuar dhe sakrifikuar aq shumë.
Riza Vala ka dy varre; në Valë ndodhet varri i tij simbolik, dhe në Çorovodë në radhën e patriotëve prehen eshtrat e pjesëmarrësit në të dyja luftërat botërore.
