Në Potom, pas 43 vjetësh…
Kozma Billa*
Nuk di si ta përshkruaj emocionin që kalova këto ditë në një takim me ish-nxënësit e mi pas 43 vjetësh në shkollën e mesme të bashkuar të Potomit – Skrapar.
Telefonatat që a do të merrja pjesë në këtë takim ishin të shumta për çdo ditë, dhe unë u përgjigja pozitivisht që do të isha pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme.
Ndaj u nisa herët për të qenë korrekt me programin e caktuar për këtë takim të shumëpritur që u inicua para tre vjetësh, por që u ndërpre për shkak të pandemisë. Gjithmonë më ka karakterizuar korrektësia, edhe kësaj here duhet të isha po ai mësues që më njihnin ata nxënësit e dikurshëm.
Me një pjesë të tyre u takova në një nga lokalet e qytetit të Beratit, ku edhe pimë një kafe. Emocionet nisën që këtu. Ndoshta nuk ua mbaja mend të gjithëve emrin, por ata nuk nguronin të prezantoheshin si dikur kur bëja apelin në klasë.
Arritëm në Potom. Nxënës të tjerë më prisnin. Ndoshta nuk ishin të gjithë, por një pjesë e mirë e tyre kishin ardhur.
Një emocion i jashtëzakonshëm, një dashuri dhe respekt i madh, mallëngjim dhe lotë gëzimi.
Shkuam në shkollën ku ata përfunduan studimet e mesme. Një foto si kujtim. Nuk ishin më ata nxënës që vinin me çantën e librave për t’u ulur në bangat e klasave e të fillonin orën e mësimit, por ishin të rritur, ishin prindër edhe gjyshër.
E ku kishte më bukur të flisje e të bisedoje me ta, të shfletonin kujtimet e atyre viteve, të flisnin për vlerësimin e mësuesve të tyre tani që e kuptojnë mirë se sa u vlejtur ajo mësimdhënie.
Disa prej atyre nxënësve nuk ishin të pranishëm, ata nuk mund të vinin e të bashkoheshin me shokët dhe shoqet e tyre, sepse jeta e tyre iu ndërpre në mes dhe në kujtim të tyre nga një buqetë me lule të freskëta në vendprehjen e tyre.
Nderim, respekt, mirënjohje dhe homazh për ata që kanë ndërruar jetë!
Biseda të lira, pyetje të ndryshme, të cilat merrnin përgjigjen aty për aty, fotografi nga më të ndryshme, filmime.
Në fund një drekë miqësore, e cila kaloi në një atmosferë shumë të bukur.
Ndoshta duhet të shkruaja më tepër, por ende jam i emocionuar dhe emocionet nuk më lënë të vazhdoj.
Një organizim i shkëlqyer dhe gjej rastin t’i falenderoj me gjithë zemër një nga një të gjithë ata që ishin të pranishëm. Organizatorët dhe të gjithë ata që e mbështetën këtë veprimtari!…
Respekt dhe mirënjohje!
*) Kozma Billa, mësues i njohur nga Vlora dhe figurë publike në Skrapar në vitet 1970 –’80.
Punoi si mësues në disa fshatra të Skraparit.
Në vitet e fundit, para se ai të transferohej në vendlindjen e tij, në Vlorë, punoi si masovik kulture në Shtëpinë e Kulturës Çorovodë