Në Prizrenin e Lidhjes së Prizrenit: “Ç’u pruri juve nga Juga, shtatë ditë u bëri rruga!…”
Me rastin e 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Zylyftar Hoxha
Këto vargje të një kënge vjetër popullore që këndohej dikur në Përmet, Kolonjë e Dangëlli për Abdyl Frashërin, mu kujtuan këto ditë, pikërisht më 10 qershor 2017, kur me një grup prej mëse 100 përmetarësh, dëshnicarësh e frashërllinjsh u nisëm për në Prizren për të përkujtuar 139 – vjetorin e një prej ngjarjeve kulmore të historisë së Shqipërisë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
E ndërsa autokolona prej disa makinash të vogla dhe dy autobusë, të mbushur plot me njerëz gazmorë, rrëshqisnin harmonishëm drejt verilindjes në Rrugën e Kombit, një tik meditativ çasti udhëtimi s’mi ndan që s’mi ndan nga mendja vargjet e këngës së dikurshme “Ç’u pruri juve nga Juga, shtatë ditë u bëri rruga”, por këtë radhë në një kontekst të ri, aktual: “Ç’u pruri juve nga Juga, as dy orë s’u bëri rruga”!
Një miku im, Parim Kosova, drejtori i Qendrës Muzeale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me të cilin para disa vitesh kishim kaluar mbrëmje të gjata dhe të këndshme bashkë me Xhevahir Spahiun, këtu, në Tiranë, dhe që kisha vite pa e takuar, më vë në dukje një “shqetësim”: Dikur ne vinim dhe flinim në Tiranë dhe kishim kohë të rrinim gjatë me miqtë tanë, tani, kthehemi menjëherë brenda ditës, siç kthehesh ti në Skrapar, apo Tomorri (Kotorri) në Përmet. Ndaj nuk jemi parë, thotë Parimi. Megjithatë, pavarësisht “shqetësimit” të tij, dihet, rrugët dhe urat i afrojnë njerëzit!
Veprimtaria fillon me një vizitë në shtëpinë muze, stendat e së cilës të çojnë në ato ditë të vështira për shqiptarët, por edhe për ata që kishin marrë përgjegjësinë të viheshin në krye, Abdyl Frashërit, si ideologu dhe ministri i Punëve të Jashtme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; vendaliut Ymer Prizrenit si kryetar i Qeverisë së Përkohshme; Sulejman Vokshit, ministrit të Mbrojtjes; Iliaz Pashë Dibrës, si kryetar i Kuvendit të Lidhjes. Ndër figurat më të shquara që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen edhe Ali bej Gucia, Hasan pashë Tetova, Abdulla pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Haxhi Shabani etj.
Nga drejtori i arealit historik të Lidhjes, mësojmë se edhe pse ka patur përpjekje dhe studime, edhe sot e kësaj dite nuk është e njohur lista e plotë e delegatëve që morën pjesë në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes, njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë.
Mësojmë këtu se Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehemet Pasha, ndërtesë ndodhet pranë Bajrak Xhamisë në Prizren.
Se sa e rëndësishme ka qenë kjo ngjarje për Shqipërinë e tregon edhe fakti që më 2 korrik 1878, 20 ditë pas mbledhjes së parë, Kuvendi i Përgjithshëm miratoi Kanunin e Ri, që i jepte të drejtë mobilizimi ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, mbledhjes për nevojat e veta buxhetore një serë taksash të ndryshme, formimit të gjyqeve të veçanta etj. Me këto të drejta, Lidhja e Prizrenit fitonte funksione pushteti të veçanta nga ato të Shtetit Osman dhe krijohej mundësia për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar
Ndërsa një pjesë e njerëzve, vendas dhe të ardhur, hyjnë e dalin në shtëpinë muze të Lidhjes, në oborrin e saj kanë filluar veprimtaritë e ndryshme kulturore. Dallojnë të rinjtë. Jo vetëm këtu, por në të gjithë qytetin e Prizrenit, në kafe, në rrugë, në dyqane kishte shumë të rinj. Një qytet i vjetër, me zemër e gjak të ri. Ndoshta ky është sekreti i bukurisë së këtij qyteti që të ngop, që të mban dhe që të ngelet koka mbrapa kur ndahesh nga ai…me mendjen se do të vish përsëri një ditë!
Në ndarje, organizatori i palodhur e gjithë këtij aktiviteti, kryetari i shoqatës atdhetare kulturore “Përmeti”, historiani i mirënjohur, Kastriot Bezati, që s’i shpëtojnë edhe detajet më të vogla kujton për një fotografi me të gjithë!… Fotografia realizohet bukur në shkallaret e kompleksit.
Prizren, 10 qershor 2017