Nebi Shefit Çela, komandanti që “të detyron” të ngrihesh në këmbë kur i dëgjon emrin

Nebi Shefit Çela, komandanti që “të detyron” të ngrihesh në këmbë kur i dëgjon emrin

 Luftar Hasallari

 

Nebi Shefit Çela ka lindur në Gjerbës të Tomorricës Skrapar më 05.11.1938 ku edhe mbaroi shkollën 7- vjeçare në vitin 1946 – 1953.

 

Shkollën e mesme pa shkëputje nga puna e vazhdoi në Durrës në vitin 1967 – 1971.

 

Studimet ushtarake i kreu në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve për Artileri Bregdetare dhe e mbaroj në vitet 1957 – 1960 me rezultate të shkëlqyera me gradën toger.

Më pas kreu Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm në fakultetin e Artilerisë, të cilën e mbaroi në vitin1973.

Ka kryer gjithashtu kursin e lartë të Filozofisë në ish-shkollën e Partisë.

 

Gjatë 32 viteve të karrierës ushtarake ka kryer funksione si komandant toge, komandant i Baterisë ABD (Artilerisë Bregdetare) Kepi i Rodonit në vitet 1960 – 1967; komandant i Batrisë ABD në Golem 1967 – 1970; shef Operativ i Regjimentit ABD në Durrës 1970 – 1971; komandant i grupit ABD në Sazan 1973 – 1974; komandant i Regjimentit Artilerisë Bregdetare Detare në Vlorë 1975 – 1992.

U lirua nga reforma me gradën kolonel në korrik 1992.

 

Nebi Çela në aktivitetin dhe karrierën e tij, të cilën e filloi dhe e mbaroi në në artilerinë bregdetare, ka dhënë një kontribut të çmuar në të gjithë drejtimet. Ka qenë kuadër me aftësi të shkëlqyera organizuese edhe drejtuese, komunikues me njerëzit, korrekt me eprorët dhe vartësit.

 

Nebiu ka qënë një kuadër dinjitoz, i matur në vendime dhe me një figurë të pastër morale, karakteristikë e tij ishte shpirti i sakrifices për kryerjen sa më mirë të detyrave në pregatitjen luftarake të ushtrisë tonë në kryerjen e shërbimit të gadishmërise dhe fortifikimin e artilerisë bregdetare.

 

Per rezultate të larta gjatë kryerjes së detyrës është dekoruar me disa urdhra dhe medalje nga Presidjumi i Kuvendit Popullor si dhe nga instancat eprore. Nebiu për kontributin e tij mban këto urdhëra e medalje:

 

Medaljen e 10-vjetorit në ushtri; medaljen “Ylli I Kuq” Klasi II; Urdhrin e Shërbimit Ushtarak klasi II; Urdhri i Shërbimit Ushtarak klasi III; Urdhri i Shërbimit Shumëvjecar në Ushtri etj.

 

Pas daljes në pension është aktivizuar në detyra shoqërore, është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe kryetar i kësaj shoqate për Degën e Vlorës.

 

Është pasardhës i veteranëve dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it në rrethin e Vlorës.

 

 

Ana tjetër, familjare, e Nebi Çelës

 

Ndërsa më sipër treguam anën “zyrtare” të kolonel Nebi Çelës, do të zbulojmë posht, anën tjetër, intime, familjare.

Është martuar në vitin 1965 me Shqipe Ismailaj nga fshati Trebël. Në jetën bashkëshortore ndërtuan një familje të shëndoshë me rreth të gjërë miqësor mikëpritëse dhe dinjitoze.

 

Fruti kësaj bashkëjetëse janë katër fëmijë, dy djem edhe dy vajza, të arsimuar me shkollë të lartë dhe me rezultate të shkëlqyera.

 

Sot ata janë zotë të vetes: vajza Alketa pedagoge për informatikë në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë; Yllka, ish-kampione Republike në gjimnastikë, tani mësuese në Tiranë; Dritani, i diplomuar për informatikë, vazhdon aktivitetin e vet në sipërmarrje private për programe kompjuterike në Tiranë; Arbeni ka mbaruar për gjuhë angleze dhe aktualisht punon mësues në Vlorë.