Një foto që zgjon kujtime dhe flet shumë për disa burra të nderuar nga Skrapari…

 Një foto që zgjon kujtime dhe flet shumë për disa burra të nderuar nga Skrapari…

Ilmi S. Qazimi

 

Shkrimi rreth kësaj fotoje të rrallë 66-vjeçare, evokon një periudhë kur komunistët shqiptarë punonin me ideale të larta, me ndërgjegje shumë të pastër, për rindërtimin e Shqipërisë të shkatërruar nga pushtuesit fashistë italianë e nazistët gjermanë.

 

Nga e majta në të djathtë: Faik Halilaj(nga Muzhencka); Qani Idërshaj (nga Rovica); Hatem Bregu (nga Çepani); Mane Koçumi (nga Çepani); Bexhet Hasanaj (nga Zabërzani); Ferhat Metaj (nga Çepani); Njazi Caka (nga Osoja) dhe Qemal Alimeri (nga Muzhaka).

Është foto gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçare që ruhet në arkivin e shoqatës atdhetare kulturore “Çepani”. Për këtë foto aparatin e ka shkrepur profesionalisht për kohën, i ndjeri Bektash Çela nga Grepcka.

 

I kam njohur personalisht këta tetë burra, çfarë përfaqësonin ata në atë kohë dhe gjurmët e tyre ndër vite. Fotoja është bërë në vitin 1956, pra 12 vjet pas çlirimit të Shqipërisë,në Çepan, diku afër oborrit të shkollës, jo shumë larg zyrave të lokalitetit të Çepanit. Ata, realisht, ishin nëpunësit e administratës shtetërore të lokalitetit të Çepanit i cili, edhe pse quhej së lashti qendra e 16 fshatrave të krahinës, ishte cilësuar me ligj si komunë në vitin 1928 dhe vijoi të jetë komunë (lokalitet, fshat i bashkuar e përsëri komunë deri në vitin 2015; tani quhet njësi administrative).

 

Madhështia e tyre, thjeshtësia

 

Shikoni këpucët e këtyre burrave: jo të vjetra, por as të reja nuk janë. Janë tërë baltë, sepse ata që i mbathin nuk njohin zyrën sa njohin udhën dhe arën, gurin dhe vreshtën, bregun dhe lumin, ugarin dhe qilizmën. Dy janë me çizme. Komandanti i Postës së Policisë, Njazi Caka i ka të uniformës së punës shtetërore, kurse Qemali i mban se, nga njëra anë tregon që ka punuar në polici më parë, së dyti, ato kanë më shumë paraqitje, e së fundi, të mbajnë ngrohtë këmbët e të mbrojnë nga të ftohtit. Se dihet që burri nga të ftohtit e këmbëve i vjen më e keqja. Asnjëri nuk i ka pantallonat të hekurosura.

 

Gjashtë i kanë me mansheta, dy i kanë kilota (atëherë quheshin “qëllota”), kurse Mania i ka të shajakta. E çuditshme është se të gjithë e tregojnë rripin e pantallonave, pra e mbajnë xhaketën të pambërthyer.  Të gjithë (veç komandantit të postës së policisë që ka uniformën shtetërore me qafore akull të pastër në xhaketë), kanë këmishën të bardhë, të larë e që iu shdrit nga pastërtia edhe pse nuk janë të hekurosura. Xhamadan kanë veshur katër vetë. Mania e ka të shajaktë, kurse të tjerët e kanë të pambuktë. Ishte në modë xhamadani atokohë.

 

Të gjithë i kanë flokët e krehura dhe mjekrën e rruar-cilësi e bukurisë trupore, fizike e psikologjike kjo, e banorëve të krahinës. Dhe në tërësi e tërë shqiptarëve të atyre viteve. Tregonte Ilo Furxhiu një kolonel i vjetër i ushtrisë, se partizani Sadush Myftari (nga Vërzhezha e Skraparit) rruhej para se të nisej për luftim!… “Dua që edhe vdekja të më gjejë të pastër e të rruar” thoshte Sadushi!

 

Më plaku, Mania, ka mustaqe. Ato i shkojnë dhe i japin seriozitet të zilishëm. Gjithsekush, në mënyrë origjinale u ka dhënë duarve atë pozicion që duket se po kryejnë një funksion natyral. Askush nuk pozon. Ata qëndrojnë natyrshëm para aparatit ashtu siç janë edhe në jetë. Bexheti mban në dorë një stap. I ka mbetur në dorë që nga rruga prej Zabërzanit, apo e gjeti diku dhe e mbajti për qejf në dorë?Por ia ka hije ama!

 

Idealistë

 

Komandanti i postës së policisë mban në dorë një lloj shkrese të rulosur, kurse kryetari i fshatit i ka hedhur dorën mbi sup bashkëfshatarit të tij. Karrigen e drunjtë, më e mira e kohës dhe e vendit, ia kanë lënë kryetarit të lokalitetit, ndoshta për respekt posti e jo nga mosha.

Diellin e kanë para karshi në lartësi. Asnjëri nuk i ka ngritur vetullat, madje ato të Manes duket sikur bëjnë hije. Asnjëri nuk e ka rrudhur ballin; të gjithë e mbajnë lart. Ka krenari në fytyrat e të tetëve, ashtu siç ndjehet edhe vobektësia ekonomike dhe prejardhja fshatare. Ka burrëri e largpamësi në shikimet e tyre, ashtu siç ka edhe një lloj pasigurie nga e pa njohura e së ardhmes. Por ndjehet një optimizëm i ngulitur thellë në fytyrë e në tërë fizionominë e tyre. Sytë u shndrijnë nga një shirt revolucionar që sot nuk konceptohet dot.

Fytyrat e tyre shprehin qartë idealin: të mbrojmë fitoret e arritura me gjak dhe të ndërtojmë jetën e re në Shqipërinë tonë të dashur, pa klasa shtypëse e klasa të zhfrytëzuara.

 

Po kush janë ata në vetvete?!…

 

 

Ata, që në këtë foto janë nga mosha 22 deri 49 vjeç, mbetën të respektuar ndër kohra; ndaj le t’ia prezantojmë lexuesit sa më thjeshtë e sa më shkurt, nga e djathta në të majtë:

 

Faik Halilaj:

në këtë foto është vetëm 29 vjeç. Kryente detyrën e ofiqarit të gjendjes civile (kështu quhej atëkohë nëpunësi i asaj zyre). Lindi me 22.02.1927 në Muzhenckë. Arsimin fillor e mori në Malind dhe atë shtatëvjeçar në Çorovodë. Korrier në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Bujk deri 1946, dy vjet ushtar 1946-1948, përsëri në fshat me bujqësi deri 1955. Gjatë viteve 1956 – 1958 në Çepan ofiqar i gjendjes civile. Në vitet 1958-1967 punonjës i pasaportizimit në degën e punëve të brendshme në Çorrovodë. Vitet 1967-1969 – kryetar kooperative bujqësore që kishte këto fshatra në përbërje të saj: Qeshibes, Strenec, Kakos, Muzhenckë, Malind, Sevrani i vogël, Sevrani i madh. Më pas; 1969-1971 ai punon shitës në tregti dhe në vitet 1971-1979 kryetar i këshillit të bashkuar Malind. Vitet 1979 – 1987 përsëri i kaloi në tregti si shitës deri në dalje në pension. Njeri i qetë dhe i qeshur, rigoroz në detyrë dhe i gjendur për njerëzit. Asnjëherë nuk ra as defiçit e as sufiçit. U nda nga jeta në 4 janar 2002. Më pas, vite më vonë në shkollën e Çepanit do të jepte mësim djali i tij, Barjam, gjyshi i sotëm, pensionist në Tiranë…

 

Qani Idërshaj:

i cili kish lindur në Rovicë në vitin 1918 në një familje atdhetare dhe banonte familjarisht në Çepan, ishte sekretari i lokalitetit të Çepanit. Në këtë foto është 38 vjeç. Pas Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ai punoi ca kohë oficer, në Durrës, pastaj është kthyer në Skrapar. Ka punuar disa vite mësues në Veleshnje, më pas punonjës banke në Çorovodë. Së fundi ishte në Çepan. Ishte tepër korrekt në punë e në shoqëri. Familjar i rregullt dhe i komunikueshëm me banorët. Shokët tregojnë se detyrat i zbatonte me seriozitet dhe kishte humor të veçantë. U nda nga jeta 13 janar 1968.

 

Hatem Bregu:

(1914 – 1959), djali i dytë i Meleqit nga Çepani. Familje atdhetare dhe e varfër. I zgjuar, i qeshur dhe i shkathët do të regjistrohej partizan në Br.16.S., ku qëndroi pak muaj sepse u sëmur rëndë dhe e zëvendësoi i vëllai, Avniu. Më 28 nëntor 1946 Hatemi plagoset duke humbur dorën e djathtë nga një granatë dore difensive e mbetur nga lufta në një ledh të fshatit, por nuk iu nda kurrë punës. Edhe pse me një dorë, punoi sekretar këshilli për fshatin dhe lokalitetin dhe shitës në dyqanin e shitblerjes dhe të shkëmbimit reciprok të fshatit për pak vite. Pjesën tjetër të kohës deri në fund të jetës ai punoi me një ndershmëri të pashoqe në zyrat e post-telegraf-telefonit (P.T.T.) të lokalitetit të Çepanit me detyrën e çentralistit dhe të shpërndarësit të shtypit e të korrespondencës. Ishte njeri i qeshur dhe i shkuar me të tërë, njeri i këngës dhe i valles si rrallë kush në Çepan, i muhabetit dhe i rakisë në çdo rast gëzimi. Hatemi u nda nga jeta tre vjet më pas nga kjo foto,kur kishte shkuar në Tiranë për t’u vizituar dhe kuruar, por sëmundja ishte e pashërueshme. E shoqja e tij, Meto D. Bregu, përballoi si pakush vuajtjet dhe fatkeqësitë me punë, djersë e besim te e ardhmja, duke iu gëzuar nipërve e mbesave,stërnipërve…

 

Mane Koçumi:

në këtë foto është më i moshuari: 49 vjeç. Kish lindur rreth vitit 1905, në një familje atdhetare, por të varfër. Për shekullin e njëzetë është ai që ka lënë gjurmë të pafshira nga koha për historinë e fshatit Çepan. I thatë në trup, por tepër energjik qysh në rini, Mania është treguar i shkathët, punëtor dhe i mençur. Në vitin 1943-1944 ai ishte anëtar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar të krahinës së Çepanit kur kryetar ishte Rustem H. Çepani. I zgjedhur nga banorët e Çepanit, Mania kreu detyrën e kryetarit të këshillit popullor të fshatit prej vitit 1949 deri në vitin 1960 me një përkushtim të pashembullt. Edhe pse i pashkollë, ai ishte i pajisur me një zgjuarsi natyrale. I rreptë, por i drejtë, kërkues me këmbëngulje në zbatimin cing për cing të ligjeve dhe i lidhur me hallet e bashkëfshatarëve. Ai forcoi marrëdhëniet vëllazërore dhe të mirëkuptimit midis banorëve. Ndihmoi të varfërit duke respektuar ligjet, punoi për ndarjen e saktë, ruajtjen dhe forcimin e pronës së fshatarëve. Ju lutem vini veshin mirë: Ndihmoi më të varfërit duke respektuar ligjet! Mania punoi në kooperativë bujqësore me po atë ndershmëri si murator dhe punëtor bujqësie deri në vitin 1972. Mbas humbjes së djalit të tij Mehmet, i cili ra në krye të detyrës si elektricist i krahinës, për një vit nuk doli më, rralloi ushqimin, nuk u rruajt më, dhe priti me vrer, por qetësisht vdekjen e tij në 06.05.1973.

 

Bexhet Hasanaj:

në këtë foto është 23 vjeç. U lind në Zabërzan më 10.08.1933. I arsimuar në shkollën e Çepanit, ku ishte ndër të shkëlqyerit, e me rastin e 100-vjetorit të asaj shkolle iu dha titulli ”Nxënës i Shekullit”. Në pak vite ka punuar shitës në dyqanin e fshatit Çepan, madje ka banuar me gjithë familje aty tek një çepanlli. Kreu shkollën dyvjeçare të tregtisë në qytetin e Vlorës dhe më pas punoi revizor në ndërmarrjen shtetërore të tregtisë në qytetin Çorovodë. Vite më tej ai punoi llogaritar në ndërmarjen e Artizanatit dhe punonjës i degës së planit në ndërmarrjen shtetërore të ndërtimit po në Çorovodë. Në periudhën kur në qendrën e Skraparit ndërtoheshin objektet shtetërore të quajtura”vilat”, ai punoi ekonomist në ndërmarrjen shtetërore të ndërtimit nr. 10 që kish vartësi nga kryeqyteti. Në kohën mbyllëse të viteve tridhjetë të moshës punoi llogaritar në ndërmarrjen shtetërore të bonifikimit të rrethit Skrapar dhe tre muaj para se të mbushte dyzet vjeç nga një aksident në Urën e Lapanit, së bashku me drejtorin Kapllan Dyrmishi dhe dy punëtorë, gjeti vdekjen. Ato ditë ishte me leje të zakonshme por, me që e thirri detyra, ai shkoi në punë dhe ra në krye të detyrës. Familja e tij: bashkëshortja Jeta (bijë Sevrani), vajzat Lumturi, Margarita, Elsa e Xhuljeta me burrat e tyre (të gjithë njerëz të respektuar), dhe djali Ermal krenoheshin me të atin; shkruajti për këtë rast edhe gazeta ”Jehona e Skraparit”. Bexheti edhe pse me jetë tepër të shkurtër la gjurmë shumë të mira e të pastra në krahinë.

 

Ferhat Meta:

është më i përveçmi në këtë foto. Rrjedh nga një familje atdhetare që jetën e ka fituar vetëm me djersë e punë. Ferhati, djali i parë i Duçkës, i lindur më 18.09.1913, ka qenë partizan prej 20 tetor 1942 deri 10 janar 1946, i inkuadruar gjithnjë në forcat territoriale të krahinës. Në vitin 1943 ishte pjestar i çetës së Çepanit dhe në qershor të po atij viti bënte pjesë në Komandën e Vendit. Infermier i hershëm, pas një kursi të shkurtër në kohën e luftës partizane, më tepër si prakticien se sa i recetave, ai mbetet në kujtesën e çepanllinjve dhe të të gjithë njerëzve që e njohin si njeriu që vetëm punon, punon pa pushim. Në zonën e Çepanit e më gjerë ai njihet si “doktori” i kudogjendur, që shpëtoi qindra e qindra jetë njerëzish. Ai e mprihte agen e gjilpërës në grijë ose në gotën e qelqit. E dezinfektonte atë duke e zjerë në tenxheren cingo…E kush nuk e ka njohur Ferhatin në Skrapar? Ai punoi jo vetëm për shëndetin e njerëzve, por dhe në bujqësi, duke zgjatur jetën e vet e duke gdhëndur gjurmë mirësie.  U nda nga prej nesh në shtator 2004. Një nga djemtë e tij, Ylli, duke punuar afërsisht si ati, kreu detyrën e sekretarit të komunës prej disa vitesh. Një nga mbesat e tij punon në Tiranë në një zyrë pensionesh…

 

Njazi Caka:

ka lindur në Osojë të Skraparit më 1926. Në këtë foto është plot 30 vjeç. Ka shërbyer në postën e policisë të lokalitetit të Çepanit disa vjet. Njeri i qetë dhe buzëgas, ai i njihte mirë banorët dhe mbante lidhje të ngrohta me të gjithë duke lënë gjurmë mirësie e njerëzie. Ai e mbronte ligjin duke e zbatuar atë që nga vetja deri tek banori më i fundit. Që të jemi realistë, policët e kësaj poste mund të kenë qenë më të privilegjuarit e kohës dhe të profesionit të tyre sepse në Çepan kishte fare pak shkelës të ligjit e të moralit, vjedhës, shkatërrues dhe dëmtues. Mbasi mbaroi shkollën 7 vjeçare në fshatin Qafë të Skraparit, në 1942-1943 u inkuadrua disa muaj në Çetën e Skraparit. Në vitet 1945-1947 ai kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartet e kufirit në rrethin e Korçës. Pastaj më 1948 filloi si punonjës policie në Berat. Pas disa kualifikimesh u emërua po në polici në disa zona të Skraparit, si në Çepan, Potom, Gjerbës me detyrën e komandantit të Postës së Policisë, punë këto që i ka kryer me profesionalizëm ,me nder dhe me atdhetari. Është dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në vitin 1968 del në lirim dhe fillon punë në ato që quheshin ’rezervat e shtetit’ në Kakrukë gjer në moshën e pensionit. Ai së bashku me Arzikon lindën dhe rritën 6 fëmijë, tre djem e tri vajza, të cilët u edukuan duke ecur në gjurmët e mira të babait të tyre. U nda nga jeta më 06. 03. 2013.

 

Qemal Alimeri,

lindi më 10.03.1927 në Muzhakë, në një familje atdhetare që mezi siguronte bukën e vitit me punë e djersë. Në këtë foto është 29 vjeç. Shkollën fillore e kreu në Çepan në vitet 1933-1937. Dhe më pas, 15 vjet të jetës së tij ai do t’i kalonte në Çepan ku jetoi punoi,lindi edhe fëmijët. Aty kreu më së miri detyrat: kryetar lokaliteti, kryetar i kooperativës bujqësore, sekretar i këshillit popullor, përgjegjësi i ndërmarrjes tregëtare shtetërore për sektorin e Çepanit. Për dy vitet e tjera deri në mars 1975, datë kur doli në pension, ai punoi ekonomist-plani në degën e furnizimit të ndërrmarjes tregëtare Skrapar. Qemal Alimeri mbetet një nga kuadrot që në Çepan la emër. Disa nga fëmijët e tij tani jetojnë në kryeqytet e në Çorovodë me nder e krenari, dhe nipërit e mbesat të shpërndarë edhe jashtë Shqipërisë…

 

 

18.12.2022