Neslie Kaso e Dëshnicës e meriton të kujtohet, sepse na kujton “tatatë”, “nunutë” dhe “kolet” tona të shtrenjta

 Neslie Kaso e Dëshnicës e meriton të kujtohet, sepse na kujton “tatatë”, “nunutë” dhe “kolet” tona të shtrenjta

E veçantë për historinë e saj individuale, por e ngjashme me shumë nga nënat tona të Jugut

 

Gëzim Voda

 

Kur ajo në vitin 2011 kish mbushur 4 vjet që ishte ndarë nga jeta, 92 vjeçe, dy miqtë e mi, Taria dhe Nuredini (i pari i biri dhe tjetri i afërt i familjes), e përjetësuan atë në një libër të denjë monografik me titull “Nderim e mall për Nënë Neslien”, që u mirëprit nga gjithëkush që pati mundësi ta lexonte.

 

Një personazh, që, aq sa të dhimbset për të kaluarën familjare ku ajo kish rrënjët e saj, në Veleshjar të zonës së Ballabanit, po aq të befason me atë çka ngjarë më pas, kur ajo do të bëhej nuse e Kasove në fshatin Goricë të krahinës Dëshnicës, e cila u thirr “nuse e fisit” deri sa u nda nga kjo botë.

I jetoi të tre sistemet qeverisës të këtij vendi: mbretërinë zogiste, monizmin komunist dhe rivendosjen e kapitalizmit (alias demokracisë). Nuk ishte nga ato “zonjat” me skrapina që të kishte bërë “devër” sa kohë që qe e re në moshë, as nga ato që të ishtë shquar si aktiviste lufte apo gjetiu, por një grua e thjeshtë familjare, punëbërëse, paqësore, e njerëzishme dhe aspak qaramane, pjesë e një “dere goriciote” me mbi 30 burra e gra që jetonin sëtoku prej vitesh, mes të cilëve 8 fëmijët e vet dhe ajo me bashkëshortin 10.

 

Ajo lindi në Veleshjar në vitin 1915, duke qënë vajza e dytë e Musa Lytajt, ndërkohë që më pas u bë njëra prej 8 motrave dhe një vëllai, veç 4 aborteve të nënës së vet që i morerën edhe jetën në moshë të re.

 

Fukarallëku atë kohë ishte i ulur këmbëkryq si kudo edhe tek kjo familje. Nuk do t’i nxirnin dot nga halli edhe pse Musai tre vjet shkoi e punoi në minierat e Francës para vitit 1930. Në tërë atë kallaballëk dhe i vuajtshëm, martesa shpejt e çupave, ishte një prej “zgjidhjeve” më fatlume për të dalë disi nga situata. Si të thuash, “kurbani” më i pranueshëm për kohën. Ndaj atë e martojnë sapo kish mbushur 12 vjeç(!)…

 

Nuk është sajim kjo që them, por fakt i njohur. Por edhe “burri” që po e merrte atë (Ferik Kasua), nuk  kish i kaluar të 15-at në moshë. Fiks, moshë “për të lozur cingli”. As ajo nuk qe “për burrë” dhe as ai nuk qe “për grua”. Sot kjo e dhënë quhet e pa besueshme, madje e dënueshme. Por koha nuk kthehet pas njëtrajtësisht. Bëhet fjalë për vjeshtën e vitit 1927.

Po semos qe vetëm kjo e pa besuseshmja per Neslien?! Vjehrra e saj, Haxhireja, që burri e kish lënë vetëm me dy djem, kur ajo kish qënë 26 vjeçe dhe kish mbetur në Jemen pa u kthyer më, si nizam i perandorisë osmane, donte t’u gëzohej atyre sa më shpejt. Madje, thuajse ishte vetë ajo sebepçije për këtë lidhje martesore.

 

E vetëdijshme se kjo moshë prej “kalamai” e të posamartuarëve ishte më shumë punë dëshire se sa nevojë, ajo lipsej ta “kompesonte” këtë veprim duke i bërë sfidë zakonit me një veprim sa të zgjuar aq dhe burrërore para opinionit, duke habitur jo vetëm fisin, por edhe fshatin e më tej.

 

Ajo nuk “ia dorëzoi’ djalit të vet nusen as natën e parë të martesës dhe as ca vite më pas. Priti të rritej nusja pranë saj. E trajtoi si vajzën e vet deri sa Neslia dhe Feriku të ishin tamam për njëri-tjetrin. Nuk u qederos kur në fshat “çirrnin faqet” me këtë veprim të pa dëgjuar. Një rast mbase unik në Dëshnicë.

 

Më pas Neslia lindi dhe rriti 8 fëmijë (4 djem e 4 vajza), mes tyre Taren, farmacistin e njohur në Përmet, i pari farmacist në atë rreth me arsim të lartë, i pëlqyer me ëmbëlsinë dhe fisnikërinë e tij gjerësisht në Tranë mbas viteve 2000.

 

Edhe pse vjerra e saj për ca kohë qortoi veten ngaqë nuses së djalit iu deshën 14 vite që të lindte fëmijën e parë, duhet thënë se nënë Neslia ngjante në shumë gjëra me nënat tona dëshnicare. Prirja e atyre viteve: që “çupa është për derë të botës”, “ose kush marton shpejt çupën ka hequr belanë nga shtëpia e vet” etj; bashkëjetesa me shumë kurora së toku dhe as që bëhej fjalë për planifikimin familjar (duke lindur shumë fëmijë në kondita fukarallëku), e dukuri të tjera të kohës, ishin një fat i përbashkët me shumë gra të tjera në krahinë. Veçse ajo mbeti një nënë e dashur, gojëëmbël, punëbitisur, e sakrificës, e shkuar në fis e në fshat duke merituar respektin e kujtdo që e njohu, deri sa ajo u nda nga kjo jetë.

 

U largua nga kjo jetë në prillin e vitit 2007, e qeshur dhe e gëzuar për fëmijët që kish lindur e rritur. Ky tipar i saj përligjte edhe domethënien e emrit “Neslie” ose “ Nesheli” nga turqishtja, që ka kuptimin: i gëzuar, i qeshur dhe i lumtur.

 

E meritojnë nënat si ajo të kujtohen, sepse kujtojmë “tatatë”, “nanatë” ose “kolet” tona.