Nexhip Visocka, engjëll dhe shenjt

Nexhip Visocka, engjëll dhe shenjt

Zylyftar Hoxha      

 

E mbaj mirë mend atë burrë, që në biseda dëgjonte shumë dhe të gjithë me radhë, dhe në fund fliste vetë me fjalë të numëruara një e nga një si kokrrat e farës së misrit në arë, por të kujdesshme dhe të mençura. Ajo që thoshte, s’kthehej asnjëherë prapa. E tha ai, iu vu vula, e ka thënë Perëndia, dëgjoja të thoshin bashkëfshatarët për të. Ishte shumë autoritar dhe imponues, por në atë portret të butë, me mjekër të shkurtër të bardhë, që mua nuk e di pse më ngjante me Ismail Qemalin e librave të shkollës, nuk shihje asnjë shenjë të vogël fudullëku apo epërsie.

 

 

Ky ishte me pak fjalë portreti i Nexhip Visockës (Myftarit). Nexhipi që kishte një djalë, Seferin dhe një vajzë, Xheken,  ishte kryetari i një familje të madhe, me dhjetë- dymbëdhjetë burra. Qamili ishte vëllai madh dhe kishte pesë djem, Izetin, Neimin, Lacen, Demirin dhe Nazifin; vëllai tjetër ishte Veizi me gjithë djalin, Nuriun dhe tri vajza, dhe i treti Mediu, me tre djemtë e dy vajza.

 

 

Pa u bërë kooperativë, në vitin 1957, kjo familje numëronte 37 frymë. Të gjithë burrat e shtëpisë i kishin të ndara punët, në mëngjes secili shkonte në punën e vetë, dikush kazmën e në Gunarovë, dikush kërrabën e torbën e bukës dhe me dhi, një tjetër në mulli, Veizi në pazar në Korçë, ndërsa Nexhipi, o te ndonjë mik, o në ndonjë mbledhje, o e kishin thirrur të ndante ndonjë davá, siç i thoshin sherrit atëherë.

 

 

Edhe grat, si dhe burrat, i kishin të ndara punët, një pjesë, më të rejat dhe të fuqishmet, shkonin pas burrave të tyre në arë, të tjerat bënin punët e shtëpisë që gjithmonë ishin të shumta, se gjithmonë kishte miq, por edhe do të përpunohej bulmeti dhe rrushtë.

 

Në foton e kopertinës banorë të fshatrave Qafë dhe Visockë. Në rreshtin e dytë ulur, Kahreman Ylli dhe Nexhip Visocka

 

Veç mbiemrit Myftari, atyre u thërrisnin edhe “Poçe”, një nofkë për të cilën nuk zemëroheshin si të tjerët kur u përmendje llagapin në fshat. Kjo nofkë u ishte ngjitur nga që e kishin mbushur oborrin dhe hajatet me qypa të vjetër të periudhës ilire, të gjetur në Gunarovë, ku mbanin bereqet dhe tagjinë e bagëtive, por edhe nga që bënin shumë raki, rehani e pekmez.

 

 

Pasuria e “Poçeve” nuk ishte e madhe kush e di, por administrohej mjaft mirë. Ata kishin një arë të madhe, që quhej Gunarovë, me ledhe mbushur me lisa dhe frashëre shekullorë me rrush, Pigazin, Vathat, Perivolin dhe selishtat, edhe këto po kështu me pemë me rrush dhe hereke. Kishin rreth 500-600 kokë bagëti të imta dhe gjithmonë tri-katër mushka. Prodhimi bazë dhe që mbante më këmbë gjithë atë shtëpi, ishte rrushi.

 

Bëheshin në vit 30-40 kv raki dhe sasi jo të vogla me rehani e pekmez, me tregtinë e të cilave ishte caktuar vëllai i Nexhipit, Veizi, i cili në mos çdo javë, të paktën në çdo 15 ditë shkonte në Pazarin e Korçës ku shiste këto prodhime. Rakinë, bulmetin apo pekmezin dhe rehaninë Veizi nuk mundohej t’i shiste në pazar si gjithë të tjerët, por i çonte te dyqani i Rakos, tregtarit më të fuqishëm të Korçës në atë kohë, i cili Veizit nuk i kërkonte mostër të rakisë as e peshonte mallin, por i thoshte sa ke dhe e hidhte në depozitat e tij. Më vonë, kur u shtetëzua dyqani i Rakos, ai e çonte mallin në kooperativën e konsumit, ku e kishte të garantuar të shitur për besimin që kishin krijuar.

 

 

Në qoftë se ndonjëri nuk e di, duhet ta mësojë, se rrushi i shullëreve të Visockës është nga më të mirët në Shqipëri përsa i përket rrezes që jep dhe sasisë së lartë të sheqerit. Këtë nuk e them vetëm unë që e kam parë me sytë e mi, por edhe specialistë të njohur. Aq më tepër e vërteton këtë edhe fakti që në vitin 1970 shteti i asaj kohe ndërtoi në fund të arave të Gunarovës, në mes të pyllit, ku s’kishte as rrugë makine, një punishte rrushi, e cila prodhonte në mënyrë artizanale, me kazanë të vegjël, raki dhe rehani rrushi vetëm për Bllokun e udhëheqjes në Tiranë. Fatkeqësisht tani gjithë ato pjergulla shekullore janë tharë nga sëmundja e filokserës dhe askush nuk kujdeset që t’i zëvendësojë.

 

 

Nexhipi kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe më pas në revolucionin e Nolit në vitin 1924. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ngritjen e Këshillave Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai u bë kryetar i Këshillit Antifashist të fshatit, anëtar i Këshillit Krahinor dhe komandant i njësisë së Komandës së Vendit për fshatrat Visockë, Qafë dhe Sukarës, njësi që të paktën një herë e tregoi veten kur në Galinat e Qafës, bashkë me Batalionin e Rinisë “Margarita Tutulani” shpartalluan çetën e Ballit të komanduar nga Haziz Çeta, ku vra edhe vetë Hazizi.

 

 

Shtëpia e Nexhipit me të drejtë është shpallur “Shtëpi-bazë e LANÇ”, pasi aty për një kohë të gjatë u ngrit një pjesë e spitalit partizan me 20-30 të plagosur pas zhvendosjes të këtij spitali nga Vlusha në vitin 1944, ku një pjesë qëndroi aty dhe pjesa tjetër shkoi në Çepan. Katër veta prej kësaj shtëpie,  Izeti, Neimi, Lacja dhe Demiri dolën partizanë dhe dy prej këtyre, Lacja dhe Demiri u veshën oficerë, i pari në Tiranë dhe tjetri në Berat.

Menjëherë pas Luftës familja u nda në pesë-pjesë, por nuk e humbi rëndësinë. Kjo familje, tani e kthyer në lagje, ruajti emrin dhe traditat e së kaluarës, mbi të gjitha ata ishin punëtorë të zotë e të palodhur, që edhe pse u shkuan krahët dëm në kooperativën bujqësore, përsëri bënë një jetë të thjeshtë, por për t’u admiruar. Nga kjo familje rrjedh edhe humoristi i njohur Sejfulla Myftari (Cekja i Beratit).

 

 

Pas viteve ’90 një pjesë e mirë e këtyre familjeve, sidomos më të rinjtë, janë larguar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në Tiranë. Në Visockë, ka mbetur dhe mban ndezur zjarrin e “Poçellarëve” vetëm Nuriu, djali i Veizit, një njeri punëtor dhe i zgjuar. Ai ka qenë dhe mbetet një nga miqtë më të mirë të familjes sonë, pasi ka punuar për një kohë të gjatë më babanë tim dhe ishte si vëlla me një vëllain tim, Kastriotin, që humbi jetën nga një aksident në Greqi.

 

 

Me sa di, Nexhipi mbante një dekoratë si pjesëmarrës i Luftës së Vlorës më 1920 dhe një tjetër nga Lufta, dekorata që nuk ia pashë kurrë në gjoks si shumë të tjerëve në atë kohë. Në një ditë vjeshte të vitit 1970 i vuri një kapak të florinjtë jetës, vdiq duke kënduar në një darkë me miq të ftuar, i qeshur, i kënaqur, i plotë, si një njeri që bëri atë që duhej dhe s’kish ç’të bënte më.