Nga rruga e karvanëve te rruga e së vërtetës

Nga rruga e karvanëve te rruga e së vërtetës

 

 
Një kujtim fëmijërie nga Koprencka shndërrohet në një takim të vonuar me botuesin Naim Zoto, njeriun që i kushtoi më shumë se një dekadë kërkimit të së vërtetës historike

 

Dashnor Dosti

 

Midis Koprenckës ka kaluar historikisht një nga ato që dikur quheshin rrugë karvanësh, udhë të rëndësishme që lidhnin krahina të tëra. Ishte rruga kryesore, për të mos thënë e vetmja, që bashkonte Kolonjën me Skraparin e më tej me Beratin. Dhe, çuditërisht, ajo kalonte pikërisht përpara portës së shtëpisë ku kam lindur.

 

 

Rruga vinte nga Cerova, ngjitej në Brekovë, kalonte te Bregu i Lumit, Gjollët dhe ndalonte, si të thuash, para portës sonë, që ishte edhe hyrja lindore e Koprenckës. Më pas vazhdonte përmes fshatit, drejt Gërmenjit, Çorovodës e më tej.

 

 

Për një fëmijë ishte kënaqësi të sodiste udhëtarët e shumtë që kalonin në atë rrugë. Por gëzimin më të madh ma sillnin grupet e nxënësve. Ata vinin kryesisht nga Nikollara, ndonjëherë edhe nga Melcka, dhe ndiqnin shkollën tetëvjeçare në Çorovodë, ku banonin në konvikt.

 

 

Ishte një zgjidhje e mençur, sepse shkolla më e afërt për ta ishte në Staraveckë, rreth dy orë larg në këmbë. Në dimrat e ashpër të asaj zone, një rrugë e tillë ishte pothuajse e pamundur.

 

 

Unë i kisha zili ata nxënës. Ata e shihnin qytetin çdo ditë, ndërsa unë shkoja atje vetëm në ndonjë festë të 5 Shtatorit ose kur na e kërkonte ndonjë gëzim familjar.

 

Ata mbanin çanta të blera në dyqan, ndërsa çantën time ma kishte qepur Nukja me spango, nga një mbulesë e vjetër tavoline që kishte dalë jashtë përdorimit.

 

Ata mësonin në klasa të mëdha, me shumë nxënës, kurse në klasën time ishim vetëm Luani, Enveri, Bexheti, Kastrioti dhe unë. Bashkë kalonim jo vetëm orët e mësimit, por edhe pasditet e fëmijërisë.

 

Ata vishnin këpucë të zeza e të lustruara, sepse jetonin në qytet. Ne vazhdonim të ecnim me atlete të konsumuara, ose, ndonjëherë, edhe me opinga llastiku.

 

Madje, në imagjinatën time të atëhershme, mendoja se ata mësonin edhe rusisht, ndërsa ne vetëm shqip.

 

 

Ishim mësuar edhe me ritmin e udhëtimeve të tyre. Një ditë para fillimit të shkollës, pas çdo pushimi ose sapo mbaronte viti mësimor, e dinim se do të shfaqeshin përsëri. Vinin të gjithë bashkë, në rresht, si një repart i vogël ushtarak.

 

 

Vit pas viti, grupit i shtoheshin më të vegjlit, ndërsa më të rriturit largoheshin për studime. Me kalimin e kohës filluam të njiheshim, të shkëmbenim ndonjë fjalë e të mësonim emrat e tyre: Naimi, Ajeti, Avdyli, Vladimiri, Petriti…

 

 

Pak ditë më parë u gjenda sërish para portës së shtëpisë sime, kësaj radhe me njërin prej atyre udhëtarëve të dikurshëm: Naim Zoton.

 

 

Jeta e ka çuar secilin në rrugën e vet, por ne na ribashkoi panairi i përvitshëm i librit.

 

 

Naimi ka ngritur shtëpinë e tij botuese, e cila mban emrin e tij. Pak kohë më parë ai botoi librin me kujtimet e Xhelal Staraveckës, një botim që ngjalli interes të madh, por edhe polemika. Në fund të fundit, edhe kundërshtia është një formë suksesi, sepse dëshmon se libri ka zgjuar debat.

 

 

Por Naimi nuk u mjaftua me botimin. Me këmbënguljen e një studiuesi skrupuloz dhe me pasionin e një njeriu të dashuruar pas së vërtetës, ai ndërmori një punë që, në pamje të parë, dukej e pamundur: të dokumentonte, me fakte dhe burime, gjithë veprimtarinë e përshkruar në kujtimet e Xhelal Staraveckës.

 

 

Ishte një punë titanike. Mbi dhjetë vjet kërkime, udhëtime, dokumente, krahasime dhe verifikime.

 

Dhe ia doli.

 

Neve na mbetet ta lexojmë, ta vlerësojmë dhe ta falënderojmë për këtë përkushtim ndaj së vërtetës historike.

 

 

Unë kam edhe një arsye më shumë për ta vlerësuar. Kujtimet e fëmijërisë më bëjnë të kuptoj se njeriu nuk shkëputet kurrë nga rrënjët e veta. Ato rrugë, ato ecje të gjata, ato sakrifica të hershme kanë formuar karakterin e autorit që është sot.

 

 

Duke qenë prej më shumë se katër dekadash një botues, gazetar dhe publicist i njohur, u ndjeva i nderuar kur mora ftesën e Naimit për një kafe.

 

Ajo kafe zgjati gjysmë dite.

 

Folëm për libra, për historinë, për njerëzit, për kohën dhe për jetën. Folëm aq shumë, sa në fund kuptova se na kishin mbetur edhe më shumë gjëra pa thënë sesa kishim arritur të thoshim.

 

 

Madje, aq na rrëmbeu biseda, sa ende sot nuk jam i sigurt nëse arrita ta falënderoj siç duhej për librin që ma dhuroi.