Një foto e panjohur e Mestan Ujanikut e gjetur në arkivat britanike

Një foto e panjohur e Mestan Ujanikut e gjetur në arkivat britanike

Ndryshe nga shumë formacione dhe komanda të tjera partizane, Çeta e Skraparit dhe komandanti i saj, Mestan Ujaniku, kanë lënë mbrapa një nga fondet arkivore fotografike më të pasura të kohës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Më interesante akoma është se fotografitë nuk janë bërë nga një dorë amatore, pasi ato janë shumë shprehëse në gjetje dhe mendim, janë teknikisht të ngopura me dritë dhe të kudratuara mjeshtërisht, ç’ka tregon se ato janë të një dore profesionisti.

Askush deri tani nuk e ka marrë mundimin të hulumtojë, se kush është ky njeri dhe në ç’laborator i stamponte ai fotogrfitë.

 

Duke lexuar historikun e Çetës dhe  ato që janë shkruar për Mestan Ujanikun deri tani, një hamendje të çon se ai do të ketë qenë pjesëtar i çetës, jo vendës, por nga ata luftëtarë të rinj që Partia Komuniste dërgoi nga Korça në çetën e Mestanit, njëri prej të cilëve ishte edhe Gjin Marku, që u bë komisar i Çetës.

 

Arsenali i fotove të çetës së Skraparit është i pasur, me fonde të veçanta në Arkivin e Shtetit, në Muzeun Historik Kombëtar, në Muzeun Historik të Skraparit dhe në famljet e ish-luftëtarëve.

 

Madje ky fond pasurohet herë pas here me foto të tjera, siç është rasti i fotos së mësipërme, që është gjetur në arkivat britanike.

 

Falenderojmë publicistin e njohur, Roland Qafoku, që ua besoi “Orakujve të Tomorrit” publikimin për herë të parë të kësaj fotoje.

 

Siç shihet, fotoja është pjesë e një albumi amator në një bllok shënimesh. Diçitura është shkruar në anglisht dhe dëshmon se fotoja është bërë në Mallakastër…

 

Por nga një vështrim i kujdesshëm i sfondit ku është realizuar fotoja, nuk ta mbush mendjen të jetë bërë në Mallakastër. Ajo është bërë në oborrin (avllinë) e një shtëpie karakteristike të zonës së Nahijes së Tomorrit, Kapinovë, Peshtan, Hoxhaj, Bargullas ose Novaj – Nishovë, ku Mestani rrinte në intervalet me betejave.