Një foto e rrallë e Dëshmorit të Atdheut Ismail Gjerbësi (Alushani)
Caush Carkanji
Dëshmori Ismail Alushani është një nga krenaritë e Gjerbësit. Emrin e tij e mban shkolla 8-vjeçare e këtij fshati, që tashmë është kthyer në historike me atë brezni mësuesish që kanë dhënë mësim dhe nxënësish që kanë mësuar aty.
Fotoja që po botojmë në “Orakujt e Tomorrit” është gjetur në shtëpinë e tij, në Gjerbës në datën 15 korrik të vitit 1972, kur unë isha i aktivizuar në komisionin e ngritjes së Muzeumit të Luftës Nacionalçlirimtare të Skraparit.
Vëllai i tij, Isufi, me kënaqësi na e vuri në dispozicion për përdorim publik.
E falenderuam për këtë gjest.
Pas fotos, Ismaili me dorën e tij kishte shkruar diçiturën:
“Të dashurit prindërit e mij…!
“Kujtim nga jeta partizane, i dalur me gjithë dy anëtarë të tjerë të Shtabit të Batalionit: Në krahun e majtë, komisari i Batalionit, sh. Bajram Radëshi dhe në krahun e djathtë, n/komandant i Batalionit, sh. Sulo Gradeci. Në mest, komandanti i Batalionit të Dytë S. Ismail Gjerbësi. V.F. L.P.
Më,D. 28- 3-45”
Ismail Gjerbësi lindi në Gjerbës të Tomorricës në vitin 1918. U inkuadrua në çetën e parë partizane të Skraparit që ditën e parë të formimit të saj në Qafën e Kulmakut, në 14 mars 1942, me komandant Mestan Ujanikun, për të mos u ndarë asnjë ditë për pesë vjet me radhë nga çeta dhe më pas nga formacinet e tjera partizane deri në fund të jetës së tij.
Ismaili ishte një nga organizatorët dhe drejtuesit e forcave partizane të qarkut të Beratit.
Në korrik të vitit 1943, Ismaili bëhet efektiv i batalionit partizan ‘Riza Cerova.
Me krijimin e Grupit të Tretë Partizan të Skraparit, në 18 janar 1944, Ismaili inkuadrohet në këtë formacion dhe luftoi me heroizëm në betejën e madhe të Tendës së Qypit, kundër nazistëve gjermanë, që nisi dy ditë më pas.
Në ditën e formimit të Brigadës të 7-të sulmuese, në 17 mars 1944 në Vlushë të Skraparit, Ismaili emërohet komandant kompanie dhe më pas zëvendës dhe komandant batalioni në këtë brigadë.
Pas çlirimit emërohet komandant në batalionin e këmbësorisë në Përmet dhe më pas komandant i batalionit të dytë të ndjekjes në zonën e Elbasanit i cili kishte për detyrë të asgjësonte bandat diversioniste që synonin destabilizimin e vendit.
Ishte pranvera e tretë e çlirimit të Shqipërisë dhe plagët e luftës ishin akoma të hapura. Më datën 23 maj 1947 në pyllin Xherije të Elbasanit vritet në përpjekje më bandat diversante të udhëhequr nga krimineli Hamit Matjani, duke dhëë jetën në moshën 29 vjeçare.
Prehet në varrezat e dëshmorëve të Skraparit bashkë me shokët e tij të rënë në luftë.
Vëllai i tij i vogël, Resuli u vra nga fashistët italianë dhe bashkëpunëtorë e tyre në fshatin Sult të Gramshit, në mars 1943, në rrethana të panjohura dhe ende nuk është bërë dëshmor, siç i takon për aktin e kryer.