Një fotografi që flet prej106 vitesh

Një fotografi që flet prej106 vitesh

Ilmi Qazimi

E shikoj këtë fotografi dhe nuk çmallem dot. E vështroj përsëri e përsëri dhe gjene nuk ndjehem mirë. E kundroj me ngadalë, pjesë pjesë, një nga një…dhe më pushton një ndjenjë e furishme krenarie!

 

Pastaj çoç më hipën një trishtim i brydhtë por shpejt e marr veten dhe them: Eh ç’burra ka patur ky truall! …(Vallë a ka edhe tani të tillë? Andej dhe këtej meridianëve që ndajnë Amerikën me Shqipërinë? Me siguri, ma thotë mendja se ka; natyrisht në kushtet e reja të zhvillimit njerëzor dhe ekonomik kapitalist).

 

Kjo është një fotografi që flet. Është foto historike plot magji. Janë 35 burra nga Shqipëria në mes të Amerikës zë zezë këtu e 106  vjet më parë? Kaluar një shekull ! Mu afër Bostonit!

Janë 35 gjithsej. Të moshës 25 deri 35 vjeç. Shqiptarë të organizuar nga kryeshqiptari Fan Noli dhe atdhetari tjetër erudit po aq shqiptar sa i pari, Faik Konica, në shoqërinë”Vatra”. Dalin në fotografi rrëzë një peme të madhe. Nuk kanë asnjë salltanet, asnjë teprim e asgjë mangut si në veshmbathje edhe në paraqitjen e jashtme.

 

Me gravatë janë 28! Me papion një. Pa gravatë gjashtë. Uniformitet dhe diversitet. Unitet shqiptar më tepër.

Me mustaqe, 18. Sa bukur shkojnë në fytyrat e rreshkura, tërë bronx e hekur, me sy vështrim shqiponje të këtyre burrave të sertë.  Ato janë vetë hija dhe burrëria e këtyre shqiptarëve. Asnjëri nuk i ka njëlloj me tjetrin, por ama i kanë, mu aty mbi buzë poshtë hundës karakteristike skifteriane të fisit ilir të këtyre brigjeve të Adriatikut dhe në thellësi të kësaj” toke të ashpër me burra të egër”.

 

Mendohuni pakëz ju lutem,se sa e brishtë, e mekur, e zbehtë dhe e tretur do të dukej fotografia pa mustaqet e këtyre burrave trima, puntorë, që ndonëse kanë ardhur për bukën e gojës këtu në Amerikën e madhe, nuk harrojnë se janë shqiptarë edhe për sa u takon mustaqeve.

 

Me mjekër –asnjë. Janë të fisshëm, të paqëm dhe të disiplinuar në vetvete këta burra. E ç’u duhet mjekra xhamën!? Ata e mbajnë fytyrën të rruar, të pastër e pa asnjë cen që do të kishte të bënte me qimen dhe flokun. I respekton shqiptari denbabaden këto dy pjesë të trupit të tij , ku ai shfaq ashtu si e gjykon karakterin e vet. Nuk është punë mode. Jo aspak! Po pse pak njerëz kish në Amerikë atëkohë me mjekër? Por shqiptari s’është kopjac , imitues majmun. Jo, ai është individualitet.

 

Të gjithë kanë veshur kostum, dhe madje kostum serioz. Ky është një kulm fisnikërie, bukurie dhe përbën, kam dëshirë ta theksoj, tregues të posaçëm evropianizimi dhe jo amerikanizimi. Po ta shikosh me kujdes , edhe sot e kësaj dite bie në sy ky tipar dallues. Në fund të fundit , shqiptari di se kur duhet të vishet me kominoshe, me opinga llastiku, me mushama shiu apo me thes në kokë , por ama ai di mirë se kur duhet të vishet e pse duhet të veshë kostum.

 

Edhe një kostum po të ketë shqiptari, atë e ruan dhe e vesh atje kur e ku duhet të tregojë virtytet e tij, personalitetin e tij dhe fisin e tij. Kjo nuk ka të bëjë fare me pasurinë apo varfërinë. Jo! Është punë karakteri, është punë nderi , është punë shqiptari të vërtetë!

 

Me këmishë të bardhë janë 22. Eh sa e vlerëson shqiptari të bardhën! Të bardhë e ka zemrën, të bardhë e ka shpirtin, të bardhë e ka ndjenjën e mirësisë , të atdhetarisë dhe të fqinjësisë.

Me kapele janë disa. Ne shohim vetëm 7- me shapkë me strehë dhe republikane. Kapela me strehë- origjinale për nga madhësia , cilësia e stofit apo dokut, nga lloji i strehës dhe veçanërisht nga mënyra se si e mban shqiptari (pakëz mënjanë) – këtu në foto është një tregues që burrat nuk i kanë vënë rëndësi. Ata i paraqet më mirë kostumi se sa kapela, ndaj edhe e kanë hequr dhe e mbajnë në dorë ata që e kanë.

Pa dekorata apo shënjëza të tjera në kostum. Bukuri në thjeshtësi dhe thjeshtësi në bukuri!

 

Të gjithë të krehur e të qethur si pëllumba të bardhë. Shumë bukur! Tamam si për ditë feste. E si të mos quhet festë takimi me Fan Nolin e me Faik Konicën? Është dita kur krijohet dega nr.10 e shoqatës “Vatra”.

 

Duart mbi supin e shokut, mbi gjunjë dhe prapa.Sa domethënese janë këto pozicione të duarve!

 

Vendosur në katër rreshta: ulur 8; unjur në gjunjë 9; në këmbë 12; në këmbë në rreshtin e katërt 6 vetë.Ushtarakisht, do ta vlerësoja shumë të goditur këtë foto: skalionim në formën e rrombit në falangat e lashtësisë ilirike; skalionim në thellësi e në lartësi. ‘Trupat sulmuese’ janë tetë.’Forca kryesore’ përbëhen nga 24 vetë dhe me dëndësi maksimale për njësinë e sipërfaqes. ‘Forcat mbështetëse’ – gjashtë. ‘Repartet’ për krahëmarje – 10 vetë, pesë në çdo anë.Nga kush agresor duan të mbrohen këta burra vallë aty në mes të Amerikës!?

 

Janë myslimanë , ortodoksë e katolikë të mirëfilltë dhe nuk u shkon fare në mëndje për fenë. Aspak! Krenarë të gjithë. Kokë lart, serbes e me sy të qeshur.Janë vëllezër të një fare, të një gjaku e të një feje: janë shqiptarë, dhe pik!

 

Edhe ato dy fjalë që shkruhen në diçiturë më duken me interes: Dega 10. Vendi,( i përkthyer fjalë për fjalë edhe pse është toponim i mbivendosur për arsye që ne nuk kemi pse t’i kërkojmë,) quhet Ura e Jugut. Koincidencë? Në një nga 50 shtetet e Amerikës një urë e jugut, ku pozojnë 35 shqiptarë në një ditë qershori! Edhe Shqipëria, mëmëdheu i tyre e lë në jug ekuadorin dhe ka qënë e mbetet urë lidhjeje me …

E më kë e për kë nuk është urë lidhjeje Shqipëria?! E ku nuk i gjen shqiptarët!?

 

Nuk dimë mjeshtrin fotograf që ka kompozuar këtë foto- novelë shqiptare. Nuk i njohim dot të gjithë emër për emër e ku, në cilin vënd të Shqipërisë kanë lindur, kur kanë ikur dhe vallë a u kthyenë të gjithë…jeta e secilit prej tyre, ashtu si edhe e qindramijërave tani në kohët moderne, do të përbënte roman më vete…

 

Eh, sa gjëra që nuk dimë ne sot për këtë foto. Por dimë më të fuqishmen: Janë 35 shqiptarë të bashkuar në afërsi të Bostonit të Amerikës para një shekulli!

 

 

———-

Shënim:

Siç thamë, në këtë fotografi të 16 qershorit të vitit 1916, nxjerrë nga albumi origjinal me foto i arkivit të “Vatrës”, mungojnë emrat në diçiturë, por nëpërmjet burimeve të tjera me metodën e krahasimit, me pyetjen e pasardhëve e të afërmve të personave që janë në foto, disa janë identifikuar. Psh, Sotir Gjika, kryetar, Naum Dishnica, sekretar, Llazar Kozma, Tasi Vangjeli dhe Jani Lubonja , anëtarë. Jnaë identifikuar skraparlinjtë Brahim R. Basho, Dine Bërham Duçe, Sefer Prishta, Adem Qani Zabërzani dhe Hasan R. Rovica.