Historia e një luftëtari të pavdekshëm
Nesim Alushani
Koha rrjedh, por ata që ranë për atdheun mbeten përherë të dashur, të nderuar dhe të paharruar në kujtesën e popullit.
Në vargun e gjatë të dëshmorëve të Shqipërisë ndriçon edhe emri i Ismail Qerim Alushanit (Gjerbësi), i cili dha jetën më 23 maj 1947, në përballje me bandën kriminale të Hamit Matjanit.
Ismaili lindi në Gjerbës të Skraparit, në vitin 1916, në një familje të njohur për ndjenjat dhe qëndrimin e saj atdhetar. Babai i tij, Qerimi, kishte qenë emigrant dhe më pas i burgosur në Turqi për disa vite, ku qëndroi deri në shpërbërjen e Perandorisë Osmane.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe, nën ndikimin e ideve të rilindësve shqiptarë, ai përvetësoi një edukatë të fortë patriotike, të cilën më vonë ua përcolli edhe fëmijëve të tij. Vargjet e Naim Frashërit ishin ndër më të dashurat për Qerimin dhe zinin një vend të veçantë në botën e tij shpirtërore.
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, familja e Qerim Alushanit u shqua për një protagonizëm të theksuar patriotik. Ismaili u rreshtua në çetën partizane të Mestan Ujanikut që në ditët e para të krijimit të saj, në mars të vitit 1942. Krahas angazhimit partizan, deri në shtator të vitit 1943 ai drejtoi edhe rininë antifashiste të fshatit.

Ismail Alushani, majtas; Mitat Hebibasi, djathtas
Njëri prej vëllezërve të tij, i ndikuar nga idetë e Mithat Frashërit, u rreshtua në Ballin Kombëtar. Kështu, gjatë viteve të luftës, mes dy vëllezërve u krijua një antagonizëm i fortë politik dhe ideologjik, pasqyrim i përçarjeve që përshkuan edhe vetë shoqërinë shqiptare të asaj kohe.
Në formimin patriotik të Ismailit ndikoi jo vetëm familja, por edhe ambienti atdhedashës i Tomorricës, krahinë që kishte nxjerrë shumë patriotë të shquar. Gjatë viteve të shërbimit ushtarak në periudhën e mbretërisë së Zogut, ai njohu nga afër kalbësinë e atij regjimi, që e kishte zhytur vendin në varfëri dhe mjerim.
Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me urrejtje të thellë. Qëndrimin e tij atdhetar e shfaqi hapur edhe kundër ushtrisë greke, e cila pushtoi Tomorricën në dhjetor të vitit 1940, gjatë luftës italo-greke.
Ismaili nuk iu nënshtrua rregullave të okupacionit grek, pasi kujtimet e terrorit të ushtruar në vitin 1914 ende “kullonin gjak” në ndërgjegjen e banorëve të krahinës. Për këtë arsye ai u arrestua dhe u internua në Pirg-Ili të Greqisë.
Pas kthimit nga internimi, Ismaili vendosi lidhje me çetën patriotike të Mestan Ujanikut dhe, pak ditë pas formimit të çetës partizane, u rreshtua në radhët e saj. Paralelisht me veprimtarinë partizane, ai bashkëpunoi me të rinjtë antifashistë në Tomorricë, Skrapar dhe Berat.
Ismaili ndiqte me vëmendje zhvillimet politike të kohës dhe ishte i mirëinformuar si për gjendjen në Shqipërinë e pushtuar, ashtu edhe për situatën ndërkombëtare.
Ai përqafoi idetë përparimtare të kohës, që synonin shkatërrimin e fuqive nazi-fashiste dhe ndërtimin e një shoqërie më të lirë, më humane dhe më të zhvilluar.
Sipas burimeve, gjatë pranverës dhe verës së vitit 1942, Ismaili, së bashku me dy të rinj nga Zaloshnja — N. Sula dhe V. Dosti — mori pjesë në një kurs disa javor në Berat, ku u njohën me programin e Rinisë Antifashiste nën drejtimin e të riut atdhetar Ajet Xhindole.
Veprimtarinë e tij luftarake Ismaili e nisi që në pranverën e vitit 1942, si pjesëmarrës në aksionet e çetës “Plakë”, ku ishte rreshtuar. Ai u dallua si organizator dhe drejtues i fshatarëve të armatosur të Gjerbësit në aksionin për çarmatimin e milicëve të Xhaf Balit, më 30–31 gusht 1942, në fshatin Mëlovë.
Në ditët që pasuan, Ismaili mori pjesë në veprimet luftarake për çlirimin e Skraparit, më 5 shtator 1942.
Më pas ai u përfshi në të gjitha aksionet e çetës në Frashër, Përmet dhe Berat gjatë muajit dhjetor 1942, si edhe në aksionin 20-ditor të janarit 1943 në Sulovë, Shëmitër dhe Dumbravë të Elbasanit. Në mars të vitit 1943 ai mori pjesë në operacionin partizan kundër garnizonit fashist pranë Roskovecit.
Me riorganizimin e forcave partizane, më 23 qershor 1943, Ismaili u bë efektiv i batalionit partizan “Riza Cerova”. Në vijim ai mori pjesë në të gjitha veprimet luftarake të këtij batalioni, ku spikatën veçanërisht luftimet për asgjësimin e bandës së Isa Toskës në zonën e Roskovecit, më 4–5 shtator 1943, si dhe përballjet në Skrapar gjatë fazës së parë të operacionit armik të dimrit, nga 15 nëntori 1943 deri në ditët e para të janarit 1944, ku u shpartalluan mbi një mijë forca balliste.
Më 18 janar 1944, Ismaili u inkuadrua në Grupin e Tretë Partizan të Skraparit dhe luftoi me heroizëm në betejën e Tendës së Qypit kundër forcave naziste gjermane. Kjo betejë, e zhvilluar nga 20 deri më 25 janar 1944, përbën një nga përplasjet më të rëndësishme të operacionit armik të dimrit.
Më 17 mars 1944 ai u rreshtua në Brigadën VII Sulmuese, për të mos u shkëputur më asnjë ditë nga rruga e saj luftarake. Për trimërinë dhe aftësitë e treguara në beteja, u emërua komandant kompanie, ndërsa në nëntor të vitit 1944 u ngrit në detyrën e komandantit të Batalionit të Dytë.
Në përbërje të kësaj brigade, Ismaili mori pjesë në dhjetëra beteja, nga Skrapari deri në Shkodër. Krisma e pushkës së tij, së bashku me mijëra krisma partizanësh shqiptarë, kontribuoi në çlirimin e atdheut dhe në fitimin e pavarësisë së tretë të Shqipërisë.
Në fillim të dhjetorit 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Brigada VII Sulmuese mori detyrën të luftonte edhe jashtë kufijve shtetërorë, kundër forcave naziste gjermane në Jugosllavi.
Edhe në këtë rrugëtim të vështirë dimëror, batalioni i dytë, nën komandën e Ismail Gjerbësit, zhvilloi beteja të ashpra dhe kreu akte heroizmi.
Pas kthimit nga Jugosllavia, në korrik 1945, Ismaili u emërua komandant në batalionin e këmbësorisë në Përmet dhe më pas komandant i Batalionit të Dytë të Ndjekjes në zonën e Elbasanit, një repart që kishte për detyrë goditjen e bandave diversioniste që synonin destabilizimin e vendit në favor të armiqve historikë të Shqipërisë. Në këtë periudhë ai mbante gradën “kapiten i parë”.
Kjo ishte një luftë e vështirë, pasi bandat kriminale fshiheshin nëpër pyje e guva dhe godisnin në befasi. Megjithatë, Ismaili e mori përsipër edhe këtë mision me të njëjtin përkushtim dhe guxim.
Ishte 23 maji i vitit 1947. Në pyllin Xherije të Elbasanit u diktuan forca diversioniste të drejtuara nga Hamit Matjani. Batalioni rrethoi pyllin dhe nisi operacionin për kapjen ose asgjësimin e tyre. Sipas urdhrit të komandës, repartet duhej të krihnin të gjithë zonën për të zbuluar bandën.
Në atë çast, Ismaili tregoi edhe njëherë virtytet që e karakterizonin si komandant dhe si njeri. Atij i dhimbsej jeta e çdo ushtari. Pa u tërhequr përballë rrezikut, në krye të një skuadre, hyri vetë në pyll.
Papritur, në brendësi të pyllit shpërtheu përplasja me armë. Diversantët qëlluan në befasi mbi forcat e batalionit, të cilat iu përgjigjën menjëherë. Në këtë përballje ra dëshmor komandanti trim dhe guximtar Ismail Alushani (Gjerbësi).
Luftëtari që kishte kaluar pesë vite në dhjetëra beteja, nga Skrapari deri në Vishegrad, u shndërrua në një yll të pashuar në pyllin Xherije të Elbasanit, duke mbrojtur deri në frymën e fundit lirinë e atdheut.
Gjerbësllinjtë ruajnë edhe sot një këngë të bukur për Ismailin. Vargjet e saj kanë mbetur të skalitura në kujtesën popullore:
Ditë maji njëzet e tri,
lule Ismail Gjerbësi.
Vrare shtatë i teti ti,
lule Ismail Gjerbësi.
Lule Ismail xhani,
lule Ismail kapedani.
Lule Ismail bukuria,
Të këndohet historia…
