Një jetë në shërbim të dijes, një mision që nuk njeh lodhje dhe pension
Hajri Nuhu
Vite më parë, kur Hajri Kapllani mbushi moshën e pensionit, kam lexuar vlerësime, komente e deri edhe letra që nxënësit e shkollës së mesme të Prezës i drejtonin mësuesit të tyre.
Ishte një ndarje plot emocion. Largohej mësuesi i matematikës, i cili kishte qëndruar me ta plot 11 vjet. Një ndarje e tillë nuk ishte thjesht fundi i një marrëdhënieje pune, por dëshmi e një lidhjeje njerëzore e pedagogjike që nuk këputet lehtë. Përshtypjet dhe kujtimet e atyre nxënësve nuk janë shuar as sot.
E njëjta gjë ndodhi edhe me nxënësit e shkollës së mesme “Sadik Staveleci” në Tiranë. Edhe për ta, Hajriu mbetet ende mësuesi i rrallë, ai që nuk harrohet. Madje, ai vazhdon të ruajë lidhje me ish-nxënësit e tij. Në fakt, kushdo që e njeh Hajriun, e kupton se pas heshtjes dhe thjeshtësisë së tij fshihet një personalitet i veçantë: i matur, dinjitoz, komunikues, por, mbi të gjitha, njeri dhe qytetar me vlera.

Këtë e kanë njohur gjatë viteve njerëz të ndryshëm, në Skrapar, në Tiranë e gjetkë. Por Skrapari e ka pjesë të historisë së vet një brez të artë mësuesish, bij e bija të tij, që në vitet ’70 i dhanë arsimit jo vetëm një dimension të ri profesional, por edhe një frymë të veçantë përkushtimi, idealizmi dhe përgjegjësie qytetare. Hajri Kapllani është njëri prej tyre.
Ai lindi në Kuçovë, por babai, kur Hajriu ishte ende i vogël, u vendos në Çorovodë. Kështu, Hajriu u rrit bashkë me qytetin, u formua në mjedisin e tij dhe aty hodhi themelet e para të dijes. Përfundoi në Çorovodë tri nivelet e shkollimit dhe më pas vijoi studimet e larta në Gjirokastër, në Institutin e Lartë Pedagogjik.
Stazhin pedagogjik e kreu në shkollën e Radëshit, ndërsa më pas u emërua mësues në Qafë, ku shërbeu për dy vjet. Ato ishin vitet e para të përballjes me realitetin e shkollës dhe me përgjegjësinë e madhe që mbart profesioni i mësuesit.
Viti 1978 e gjeti në Çorovodë, tashmë mësues në gjimnazin “Ramis Aranitasi”. Kërkesa të tjera, nivel tjetër, përgjegjësi më të mëdha. Por për Hajriun kjo nuk përbënte problem. Ai e shihte mësimdhënien si mision, pavarësisht nëse punonte në një shkollë tetëvjeçare apo të mesme, në një shkollë të vogël fshati apo në një gjimnaz. Për të, rëndësi nuk kishte madhësia e institucionit, por serioziteti me të cilin duhej kryer detyra.
Në çdo vend ku punoi, u përpoq të përcillte te nxënësit dhe kolegët modelin e mësuesit të përkushtuar, të përgatitur dhe të përgjegjshëm. Në atë periudhë shërbeu edhe si metodist në Kabinetin Pedagogjik, ku pati mundësinë të punonte pranë mësuesit të njohur Qani Zaimi. Ishte një përvojë tjetër, që e ndihmoi të zgjeronte horizontin profesional dhe të kuptonte më mirë rëndësinë e bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe përgatitjes metodike të mësuesve.
Më pas, veprimtaria e tij pedagogjike u shtri në disa shkolla të qytetit dhe në të dy drejtimet e arsimit të mesëm, gjimnaz e shkollë bujqësore. Punoi edhe në shkollat “Zylyftar Veleshnja” dhe “Kahreman Ylli”, si mësues dhe zëvendësdrejtor.
Viti 1997 e gjeti në Drejtorinë Arsimore, si përgjegjës i Kontrollit dhe Kualifikimit. Më vonë, për gjashtë vjet, drejtoi këtë institucion.
Por Hajriun nuk e bënë të vlerësuar vetëm detyrat që mbajti dhe funksionet që ushtroi. Vlerësimi i tij buron para së gjithash nga puna e gjatë si mësimdhënës, nga marrëdhëniet njerëzore që ndërtoi dhe nga respekti që fitoi në vite. Ai është ndër përfaqësuesit e një brezi mësuesish idealistë, të cilët punuan shumë, u përkushtuan pa rezerva dhe, në raport me atë që dhanë, morën pak në kuptimin material.
Nëse e pyet Hajriun edhe për këtë, përgjigjja e tij është e shkurtër, por domethënëse:
“Morëm dhe morëm shumë… Po ja, gëzohemi për respektin, për ata breza që përgatitëm, për raportet që kishim me qytetin dhe qytetarët. Jo vetëm unë. Sa shumë ishim të vlerësuar! Kohë që vërtet ‘perëndoi’, por gjurmë besoj se lamë. Nuk është pak, apo jo?”
Në këto fjalë ka një filozofi të tërë jete. Ka nostalgji për një kohë që nuk kthehet, por edhe krenari për atë që është ndërtuar.
I miri nuk resht së punuari. Edhe pse kanë kaluar gati nëntë vjet që kur doli në pension, Hajriu vazhdon të jetë i kërkuar. E kërkojnë nxënës që kanë pasion matematikën, të rinj që duan të thellojnë njohuritë, të përgatiten për provime apo të provojnë aftësitë e tyre në olimpiada. Takime, konsultime, ushtrime, detyra dhe përgatitje të veçanta janë bërë pjesë e përditshmërisë së tij.
Puna e mban të ri, para së gjithash në shpirt. E mban të lidhur me brezat e rinj dhe me atë botë që ka qenë pjesë e jetës së tij për dekada të tëra. Sepse mësuesi i vërtetë nuk del kurrë plotësisht në pension. Ai vazhdon të jetë i pranishëm në kujtesën e nxënësve, në këshillat që u jep dhe në çdo rast kur dikush ka nevojë për dijen dhe përvojën e tij.
Por Hajri Kapllani nuk është vetëm mësuesi dhe profesionisti. Ai është edhe bashkëshorti, babai dhe qytetari që ka ditur të ndërtojë marrëdhënie të shëndosha njerëzore.
Së bashku me bashkëshorten, Manushaqen, kanë krijuar një familje që gëzon respekt në Skrapar dhe në Tiranë.
Gëzimi dhe krenaria e tyre janë dy djemtë, Aldi dhe Klevisi, të cilët kanë ndjekur rrugën e dijes dhe janë formuar në fusha të rëndësishme të teknologjisë. Aldi është diplomuar për Informatikë, ndërsa Klevisi për Inxhinieri Informatike. Një tjetër dëshmi se në këtë familje dija, puna dhe formimi profesional kanë qenë vlera të çmuara, të kultivuara brez pas brezi.
Krahas punës profesionale dhe familjes, Hajriu ka shpalosur edhe një dimension tjetër të personalitetit të tij: atë të veprimtarit shoqëror. Për tre vjet me radhë ka marrë përsipër të organizojë mësuesit skraparllinj që jetojnë në Tiranë dhe Durrës, për t’u mbledhur së bashku me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
Nuk është thjesht një takim festiv. Është një përpjekje për të mos lejuar që koha dhe largësia t’i zbehin kujtimet, miqësitë dhe përkatësinë e përbashkët.
“Nuk duhet të harrojmë, – thotë Hajriu. – Ky brez bëri histori. Me punë e pasion. Unë jam një prej tyre.”
Dhe ka të drejtë. Në këtë histori, Hajri Kapllani ka vendin e tij, sepse ka ditur të fitojë vlerësimin e të tjerëve me thjeshtësinë, seriozitetin dhe korrektësinë e tij. Ndaj dhe me këtë rast kujtohet.
