Një këshillë për çdo shqiptar nga Fan S. Noli
Ilmi Qazimi
Për Fan S. Nolin sado që të shkruhet përsëri kanë mbetur shumë gjëra pa thënë, sepse ai ishte Fan Nol në çdo hap të jetës së tij. Jeta e tij është thesar i pafund.
Shkroi Nasho Jorgaqi aq shumë për të; përsëri shkroi Ilir Ikonomi për të dhe prapë, me siguri, do të dalë ndonjë tjetër që të thotë të pathënat e tjera për të paarritshmin shqiptar atdhetar shumëplanësh Fan Stilian Noli.
Bashkëfshatari im nga Çepani i Skraparit, Brahim Rushit Basho (1882-1973) tregonte një episod gjatë kohës që kishte qenë emigrant me një grup shqiptarësh në Boston të cilët kryenin punë të rënda në fonderi, atje ku prodhoheshin vagonët e trenave dhe pjesë të ndryshme të linjave hekurudhore.
Aty grupi i tyre u njoh nga afër me Fan Stilian Nolin, i cili, siç tregonte xha Brahimi, i mblidhte shpesh bashkatdhetarët, u fliste për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe dhe herë pas here u mësonte praktikisht si të shkruanin e të lexonin shqip.
Na mblodhi një herë e na tha: “Mësoni të shkruani shqipen që t’u dërgoni letër kalamaqve dhe familjeve”!
E këtë porosi na i thoshte gjithnjë, rrëfente xha Brahimi. Grupi prej shtatë-tetë vetësh i këtyre emigrantëve u mor nën kujdesin e shqiptarit të madh edhe në aktivitetet e shoqërisë “Vatra” të asaj kohe. Me ato çka mësoi në Boston, xha Brahimi mundi të lexonte gazetat e kohës deri në vitin 1972 në fshatin e lindjes, Çepan.
Dhe ajo këshillë, madhërisht e ruan edhe sot e kësaj dite aktualitetin për shqiptarin kudo qoftë,në emigracion apo në atdhe ku politika,celulari dhe mediat po godasin ashpër shkrimin dhe shqiptimin e saj.
Gjuha shqipe është e vetmja pasaportë që tregon se jemi shqiptarë në trojet tona, me historinë e kulturën tonë që duhet dhe do ta ruajmë. Globalizmi bën punën e tij, por po të kemi gjuhën, traditat, kulturën dhe territorin,do ta gjejmë vetë më lehtë rrugën e ndritëshme të ecjes përpara.
Dëgjoja një ditë mësuese Shqiponjën që u thoshte nxënësve: ”Gjuha ruhet kur shkruhet mirë dhe mësohet mirë kur flitet drejt.”
Ja , thashë me vete, mësimet e Fan Nolit janë dhe mbeten diell për të gjithë e jo kandil për disa.