Një libër i ri për Aliajt e Vëndreshës

Një libër i ri për Aliajt e Vëndreshës

Këto ditë doli nga shtypi libri “Aliajt, Smail dhe Lule Vëndresha”, me autor Gëzim Aliajn.

 

I nisur si një libër familjar i zakonshëm, libri tejlakon çdo paramendim dhe paragjykim si i tillë. Ai ka dalë një libër tepër interesant, me histori të bukura dhe me vlera të spikatura njohëse dhe artistike, si nga mënyra e rrëfimit, por edhe nga stili i të shkruarit.

Është një libër që mund merret dhe të lexohet nga kushdo, një libër që mëson shumë, por edhe një libër, që, secili që e shfleton, gjen veten, gjen historitë e jetës së tij, të prindërve dhe të bashkëvendësve të tij.

 

“Duke patur parasysh fjalën latine, “fjalët i merr era, e shkruara mbetet”, por edhe  duke ndjerë mungesën e historisë së shkruar të familjes sonë, kam vendosur që unë, në moshën 70 e ca vjeçare, të hedh në letër këtë histori modeste familjare, që në fakt është edhe pasuria më e madhe që po u lë fëmijëve, se pasuri tjetër, për arsye që dihen, nuk u kam lënë” – shkruan në parathënien e librit, autori, biri i kësaj familjeje, Gëzim Aliaj. 

 “Linda dhe u rrita në Vëndreshë të Skraparit, – shkruan ai më tej, – në një vend me bukuri të rralla natyrore, të paktën kështu më është dukur mua, sepse e kam njohur me themel, por edhe se vërtet është i tillë.

Është një gaz hyjnor ta përshkruash Vëndreshën, këtë fshat me shtrirje të madhe gjeografike në krahun e majtë të lumit Osum, ballë përballë me Tomorrin legjendar, ku, çdo ditë, të pupulit sytë dielli i mëngjesit, duke të sjellë, veç shkëlqimit, edhe një frymë optimiste shpirtërore për ta filluar mbarë ditën e re”.

Duke vazhduar më tej, Gëzimi shkrua: “Ka qenë një fatkeqësi e madhe, si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Skrapar, që për shkaqe që dihen, luftërat shumëshekullore, fukarallëku i madh, mungesa e arsimit dhe shkollës shqipe, të mos njihet historia e shkruar. Është për të ardhur keq, por ne historinë e kemi gojore, e cila transmetohet brez më brez, por duke qenë e pa shkruar, tretet dhe zvogëlohet dhe e mbulon pluhuri i kohës rrugës deri sa vjen te ne.

Me sa kam kuptuar dhe mësuar edhe nga historia e familjes sonë, ne nuk shkojmë dot më tej gjyshit, dmth, më shumë se tre breza.

Të them të drejtën, ky fakt më ka shqetësuar, pse unë dhe brezat e familjes tonë që vijnë më pas të mos dijnë se ç‘ka ndodhur para 100 apo 200 vjetësh. A themi që e kaluara i shërben së ardhmes? A nuk do të na shërbente ne për të pasuruar dhe zbukurar më tej jetën materiale dhe kulturore tonën.

Patjetër, njeriu është njeri, ky është civilizim, kjo është kulturë”.