Një ngjarje e shënuar, por, me këtë rast, edhe një sqarim i domosdoshëm për dashamirësit, lexuesit dhe ndjekësit e shumtë, të nderuar dhe të respektuar të kësaj gazete online
Më datën 25 prill mbushen plot 5 vjet që nga nisja e botimit të gazetës online “Orakujt e Tomorrit”, një e përditshme me karakter të theksuar shoqëror, historik dhe etnokulturor, e hapur dhe e pavarur për të gjitha opinionet që janë në interes të njerëzve, të formimit, informimit dhe edukimit të tyre.
Siç është vënë re edhe nga ndjekësit dhe lexuesit, ajo trajton dhe pasqyron kryesisht jetën dhe veprimtarinë që zhvillohet në trevat rreth Tomorrit, por edhe në bashkësitë dhe komunitetet e këtyre zonave në të gjithë Shqipërinë.

Misioni i saj ka qenë dhe mbetet:
- të realizojë dhe të plotësojë nevojën shpirtërore për të komunikuar, për t’u bashkuar dhe për t’u lidhur më tepër me njëri-tjetrin;
- të nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet më të mira njerëzore që kemi trashëguar nga të parët tanë dhe që i manifestojmë edhe sot: shpirtin atdhetar, mikpritjen, bujarinë, respektin ndaj punës dhe familjes etj.;
- të luajë rolin e një testamenti trashëgimie për fëmijët tanë, që të mos e mohojnë, por përkundrazi, të krenohen me origjinën e tyre, duke ruajtur dhe zhvilluar traditat më të mira.
Unë, si administratori kryesor, së bashku me bashkëpunëtorët, miqtë, lexuesit dhe ndjekësit e shumtë, vërejmë me kënaqësi se misioni i “Orakujve të Tomorrit” është përmbushur me sukses, sipas objektivave të vendosura që në fillim.
Për të vijuar këtë mision fisnik dhe për të zgjeruar gamën dhe cilësinë në përputhje me kërkesat e kohës, kjo gazetë ka nevojë për mbështetjen, ngrohtësinë dhe dashamirësinë jo vetëm të lexuesve dhe ndjekësve, por edhe të kontributorëve financiarë.
Deri tani, kjo platformë mediatike është mbajtur financiarisht nga unë vetë, si themelues dhe pronar.
Kam investuar kursimet e mia. Kam paguar hostin, domenin dhe serverët ku ruhet faqja, taksat, mirëmbajtjen elektronike, pa llogaritur punën e përditshme si administrator, shpenzimet telefonike, takimet, intervistat dhe lëvizjet për mbledhjen e materialeve, të cilat nuk janë paguar kurrë.
Megjithatë, duhen falënderuar sinqerisht disa miq dhe dashamirës që e kanë vlerësuar këtë punë dhe mision, duke dhënë kontributin e tyre modest, edhe pse kjo nuk ka qenë një zgjidhje e qëndrueshme.
Me një fjalë, deri tani “Orakujt…” janë mbajtur “me dhëmbë”, por kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Këtë nuk e them vetëm unë, por edhe shumë njerëz të ndjeshëm dhe dashamirës që e njohin situatën.
Njëri prej tyre është miku im dhe dashamirësi i “Orakujve…”, Nesim Alushani, i cili, pa dijeninë time, ngriti alarmin me shkrimin “Orakujt e Tomorrit drejt mbylljes”.
I jam shumë mirënjohës për ndjeshmërinë dhe përkushtimin, sepse më dha edhe mua shtysë që, në këtë përvjetor, të parashtroj hapur problematikat dhe vështirësitë.
Jam në një mendje me Nesimin dhe një grup nismëtarësh, bashkëpunëtorësh dhe dashamirësish të hershëm, që sugjerojnë një zgjidhje alternative:
që shoqata, organizata apo individë ta marrin në administrim këtë platformë, ta drejtojnë me borde dhe struktura të organizuara, dhe të sigurojnë burime financiare, të cilat për një grupim janë të përballueshme, por për një individ mbeten të rënda.
“Le të mos e lëmë të shuhet një zë që ka folur për ne. Sot është radha jonë të flasim për të” – shkruajnë një grup lexuesish.
Ashtu qoftë!
Faleminderit për mirëkuptimin!
Në pritje të një riformatimi organizativ
Administratori dhe moderatori i “Orakujve te Tomorrit”
ZYLYFTAR HOXHA
15 prill 2026
