“Teoria Nurka”, vështrim nga kriteret shkencore

“Teoria Nurka”, vështrim nga kriteret shkencore

 

 

Ndaj nacional-romantizmit gjuhësor të Ymer Nurkës me pseudoshkencën, që e sheh gjuhën jo si sistem historik e struktural, por si mit identitar

 

 

          ALI  JAUPI

 

 

 

 

Pikat kryesore të teorisë së Ymer Nurkës

 

 

Gegnishtja si protoshqipe: Nurka pohon se gegnishtja nuk është dialekt, por “vetë shqipja” në formën e saj origjinale, rrënja nga ku burojnë jo vetëm shqipja por edhe gjuhë të tjera indoevropiane.

 

 

-Toskerishtja si degë e gegnishtes:

 

 

Sipas tij, toskërishtja është thjesht degë e trungut gegë dhe standardizimi i shqipes ka neglizhuar këtë realitet historik.

 

 

-Rilindësit dhe bashkimi gjuhësor:

Ai thekson se rilindësit nuk e ndanë gjuhën në gegë e toskë, por e trajtuan si një të vetme kombëtare; ndarja gegë/tosk u vendos më vonë, sipas tij, pa vetëdije historike.

 

 

– Kritika ndaj standardizimit të viteve ’70:

 

Nurka e konsideron atë të njëanshëm politikisht dhe jo të përsosur shkencërisht; kërkon një “Kongres të Ri Panshqiptar të Gjuhës”.

 

 

-Nevoja për përmirësim të shqipes standarde:

 

Ai mendon se standardi nuk duhet mbetur i ngrirë, por të vëzhgohet dhe përmirësohet, duke përfshirë më shumë elemente gegërishte.

 

 

-Kundërshtim ndaj “imponimit” të toskërishtes:

 

Sipas tij, dominimi i toskërishtes në gjuhën letrare kufizon pasurinë tingullore dhe shprehëse të shqipes.

 

 

-Akuzë ndaj akademikëve dhe institucioneve:

 

Nurka i kritikon për heshtje, për degradimin e gjuhës dhe për dështimin për ta mbrojtur nga ndotjet e huaja dhe analfabetizmi gjuhësor.

 

 

-Retorikë nacionaliste:

 

Ai e paraqet gegnishten si “mëmëgjuhë iliro-pellazge” dhe standardin aktual si rezultat të “komplotit Beograd–Shkup–Athinë”.

 

 

-Thirrje për bashkim kombëtar rreth gjuhës:

 

Përfundimisht, ai kërkon një kongres gjithëshqiptar për unifikimin e shqipes dhe rivendosjen e “statusit historik” të gegnishtes.

 

 

Rreth mitit të “gegnishtes indoevropiane”

 

  • Pretendimi se gegnishtja është “mëmë e gjuhëve indoevropiane” është krejtësisht i pabazë.

 

Çabej dhe Demiraj kanë treguar se shqipja është bijë e proto-indoevropianishtes, jo anasjelltas.

Asnjë dëshmi fonetike, morfologjike apo leksikore nuk e mbështet këtë përmbysje.

 

 

  • Standardi dhe keqkuptimet ideologjike.

 

Kongresi i Drejtshkrimit (1972) nuk krijoi “njëanshmëri”, por një kompromis kombëtar.

 

Shaban Demiraj shpjegon se standardi u ndërtua mbi bazën e të dy dialekteve me strukturë fonetike toske, por me përfshirje të qartë leksikore e morfologjike gege.

 

 

Qëllimi i tij nuk ishte të shuante larminë dialektore, por ta unifikonte komunikimin kombëtar.

 

Vetë Çabej e mbështeti këtë hap si “akt civilizimi dhe bashkimi gjuhësor”.

 

Përpjekja për ta paraqitur toskërishten si “pushtuese” krijon përçarje krahinore, jo debat shkencor.

 

 

  • Ideja për “komplote gjuhësore” dhe realiteti.

 

 

Deklaratat për ndërhyrje nga “Beogradi, Shkupi dhe Athina” janë element tipik i diskursit konspirativ, pa mbështetje në burime. Procesverbalet e Kongresit të vitit 1972 dhe dokumentet shkencore e dëshmojnë qartë se standardi u hartua nga gjuhëtarë shqiptarë, me pëlqimin e institucioneve akademike kombëtare.

 

 

Vetë Eric Hamp, që bashkëpunonte me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e quajti standardin “a scientifically balanced codification”.

 

 

  • Për një kongres të ri: po, por me themel shkencor.

 

 

Idetë për një kongres të ri të shqipes nuk duhet të kenë qëllim përmbysës, por përmirësues.

 

Siç thotë Çabej:

 

“Gjuha nuk është monument i ngrirë, por qenie e gjallë.”

 

 

Pra, çdo rishikim duhet ta ndjekë evolucionin natyror të gjuhës, në bazë të kritereve të fonetikës historike, të sociolinguistikës dhe të komunikimit bashkëkohor, jo të mitologjizimit të dialekteve.

 

  • Së fundi:

 

Gjuha si shkencë, jo poezi.

 

 

Gegnishtja është një degë e ndritur dhe e vlefshme e shqipes, me vlera të mëdha letrare, por ajo nuk është “proto-shqipja”. Shqipja është një tërësi që e përfshin gegërishten e toskërishten si dy zëra të një muzike të vetme.

 

 

Kushdo që e do shqipen, duhet ta mbrojë me arsye dhe dije, jo me mitologji

 

 

Nga mërgimi i shpreh teorisë Nurka:

 

 

    “Kur mitet zëvendësojnë argumentet, gjuha humbet fisnikërinë e saj dhe kthehet në vegël krenarie bosh, pavërtetësitë nuk e ngrenë gjuhën, ato vetëm e dëmtojnë të vërtetën.”

 

 

Pra gjuha shqipe nuk është poezi, por shkencë.

 

 

Normandi, Francë

  13.04.2026