Një shkrim i rrallë i nxjerrë nga arkivi i Bibliotekës Kombëtare

Një shkrim i rrallë i nxjerrë nga arkivi i Bibliotekës Kombëtare

Botuar në “Jehona e Skraparit”, maj 1990 nga Zylyftar Hoxha

 

 

Petro Marko është një ndër shkrimtarët më të shquar, që zë vend nderi në letërsinë shqipe. Veprat kryesore të tij janë romanet: “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”, “Stina e armëve”, “Nata e Ustikës”: romanet për të rinjtë: “Shpella e Piratëve”, “Fantazma dhe plani tre plus katër”, “Griva”, tregimet: “Rrugë pa rrugë”, poezi “Horizont”etj.

 

Po i rezervojmë shkrimtarit Petro Marko disa kolona në gazetën tonë si shenjë mirënjohje e respekti për lidhjet e shumta e të vazhdueshme që ka mbajtur ai me Skraparin, me miqtë e vjetër e të rinj që ai, ka këtu, me frymëzimet e motivet që ka gjetur tek ne e që i ka pasqyruar në librat e tij.

 

 

Disa minuta të çmuara

 

Në një mbrëmje vonë, bashkë me poetin Xhevahir Spahiu i shkuam në shtëpi Petro Markos.

 

Sa i tha Xhevahiri për mua se vija nga Skrapari, Petros i qeshi fytyra:

“E dua Skraparin, – nisi bisedën ai. Pse e dua? E dua se kam shumë kujtime nga Skrapari, kam shumë miq e shokë që më vijnë e më takojnë, por më kujtojnë edhe me letra.

 

 

Unë Skraparin e njoha në fillim nga Mane Nishova. Ishte pranverë e vitit 1935. Mania më njohu me Riza Cerovën. U takuam në hotel “ Evropa”. Rizanë e kish thirrur Musa Juka me porosi të naltmadhërisë për ta graduar përsëri, ta bënin major, t’i jepnin edhe 7 vjet rrogë.

 

– Gradat e mia janë në Shkallën e Tujanit, – i kish kthyer përgjigje Rizai.

 

U gëzuam me këtë përgjigje të Rizait. Që atëhere u bëmë miq. U takuam edhe herë të tjera. Pas disa ditësh më nisi në Himarë për të përgatitur Kryengritjen e Fierit. Nuk arrita të bëja gjë, pasi, siç dihet, kryengritja dështoi.

 

 

Me Manen kam bërë një “kurbet” të mirë, shkuam në Luftën e Spanjës. Në vitin 1933 kam njohur në Dropull, ku isha mësues, Zylyftar Veleshnjen. Asim Vokshi më dha jnë fotografi të Muço Kapinovës me shokë që kish dalë në Selanik. Zylyftari kish shfaqur mosbesim për fotografinë që më dha mua Asimi.

 

 

Por më pas u bëmë shumë miq. Kam patur mik Kahreman Yllin, Tajar Grepckën e shumë të tjerë. Këta janë të vjetrit.

 

Por unë kam edhe shumë shokë të rinj nga Skrapari. Kur isha në pedagogjiken e Tiranës djemtë më të mirë ishin nga Skrapari. Edhe sot kam lidhje me ta.

 

 

Kam punuar në Skrapar një muaj për romanin “Stina e armëve”. Ka kapituj të tërë në atë libër ku unë kam patur parasysh Skraparin. Ku nuk kam shkuar gjatë atij muaji: në Potom, Cerovë, Radësh, Gjerbës, Çepan. Për herë të parë në televizor kam dalë në Kulmak me Endri Kekon.

 

 

Me që jemi tek Tomorri. Keni fat që e keni Tomorrin afër. Tomorri është një obelisk kombëtar, që rrit në shpirt poezi e krenari. Ndoshta është kjo arsyeja që skraparlinjtë kanë një shpirt aq të ndjeshëm e janë aq të pastër. Veçanërisht gratë janë fisnike”.

 

 

Dëshira e shkrimtarit për të folur e treguar e mund lodhjen që i jep shëndeti i dobët. Megjithatë ne e ndërpresim për t’u takuar përsëri një herë tjetër e për ta vazhduar këtë bisedë…