Një veçori tjetër, thuajse e panjohur deri më sot, që e bën edhe më të veçantë figurën e Sulejman Qafës
Në vitet ’30–’40, në një kohë kur fshatrat e Skraparit jetonin ende në kushte të vështira dhe teknologjia moderne ishte pothuajse e panjohur, Sulejman Qafa ndërtoi, në fund të fshatit, një mulli me erë.
Nuk ishte një njeri i arsimuar në shkollat e larta të kohës. Dijet i kishte fituar kryesisht në mënyrë autodidakte, duke u marrë me fusha që për kohën ishin jashtëzakonisht të avancuara për një fshat malor siç ishte Qafa.
Mulliri kishte një zgjidhje teknike të zgjuar. Në fillim ai ndërtoi një topilë të madhe, një rezervuar uji të ngritur me gurë, ku grumbulloheshin ujërat e dy përrenjve: përroi i fshatit dhe ai që vinte nga Shekasi e Dërrasazi. Uji shërbente për nisjen e mekanizmit, ndërsa më pas, kur sistemi vihej në punë, era merrte përsipër rrotullimin e helikave, të cilat përmes ingranazheve transmetonin lëvizjen te gurët e rëndë të mullirit.
Kështu, aty ku natyra kishte dhënë dy forca – ujin dhe erën – Sulejman Qafa kërkoi t’i bashkonte në një mekanizëm të dobishëm për njeriun. Mulliri funksionoi fare pak kohë, por në të vërtetë funksionoi.
Megjithatë në atë kohë, ideja ishte më e avancuar se mundësitë që kishte vendi për ta mirëmbajtur. Kur dëmtoheshin helikat apo ingranazhet, pjesët zëvendësuese nuk gjendeshin lehtë. Madje, krahët e helikës shpesh i sajonin me dërrasa druri. Nga fërkimi dhe rrotullimi i vazhdueshëm ato konsumoheshin, nxehtoheshin e, në raste të caktuara, edhe digjeshin.
Ndaj, ajo që mbeti ishte vetëm kujtimi i një mulliri. Edhe sot, topila prej guri-popozall, e rrethuar me mure në formë rrethore, qëndron ende. Dallohen edhe kanalet në të dyja anët, përmes të cilave silleshin ujërat që e furnizonin.
Dhe vendi, edhe sot, ruan emrin që i dha historia e tij: “Te mulliri i Sulejmanit”. Është një nga ato gjurmë të heshtura që flasin më shumë se shumë dokumente.
Sepse Sulejman Qafa nuk ishte vetëm patrioti që u vu në shënjestër të regjimit të Zogut pas Revolucionit të Qershorit 1924 por pas figurës së luftëtarit dhe patriotit ishte edhe mendja e një autodidakti, e një njeriu që nuk priste që përparimi të vinte nga dikush tjetër.
Dhe sot, kur flasim për energjinë e erës, për energjinë e ujit dhe për teknologjitë e prodhimit të energjisë nga burimet natyrore, vlen të kthehemi pas dhe të kujtojmë se në një fshat të Skraparit, rreth një shekull më parë, një patriot kishte menduar t’i vinte erën dhe ujin në shërbim të njeriut.
