Dervishi skraparlli dhe mërgata e atdhetarëve të Revolucionit të Nolit në Selanik të Greqisë

Dervishi skraparlli dhe mërgata e atdhetarëve të Revolucionit të Nolit në Selanik të Greqisë

 

Ilmi Qazimi

 

Para ca kohësh, “Orakujt e Tomorrit” botoi një fotografi të rrallë dhe shumë domethënëse të disa patriotëve skraparllinj, të cilët, pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, në vitin 1924, dhe dështimit të Revolucionit Demokratik të Fan Nolit, u detyruan të marrin arratinë.

 

Siç thuhet në diçiturën e fotografisë, ata u dënuan nga Ahmet Zogu me vdekje ose me 101 vite burgim, një dënim i njohur në praktikën e kohës.

 

Lart, në këmbë: Baki Qafa; 2. i paidentifikuar; 3. Tahir Vëseshta.
Poshtë, ulur: Riza Meçani; 2. Nuri Vlusha; 3. Riza Cerova; 4. Muço Kapinova (Bakiasi); 5. Riza Hasa (Kapinova); 6. Qamil Bubësi.

 

Të ndodhur përballë kësaj situate dhe të detyruar të largoheshin nga vendi, disa prej tyre gjetën strehë në teqenë e Turballisë, në Katerinë të Selanikut, në Greqi. Pikërisht aty janë fotografuar edhe personat që shohim në këtë dokument fotografik.

 

 

Në shkrimin e kaluar u publikua edhe një telegram i Ministrisë së Brendshme, ku bëhet fjalë për disa prej këtyre të arratisurve politikë. Në dokument thuhet:

 

 

“Informohemi se të arratisurit politikë, Riza Cerova, Muço Kapinova me kohë ndodhen në Selanik.

Atje më datën 9.04.1935 ka vajtur edhe Ali Koprëncka dhe rrinë në Teqenë e Turballisë që administrohet nga një dervish prej Skrapari.

Të gjithë janë keq ekonomikisht.

Lutemi të urdhërohet konsulli ynë në Selanik për t’i patur nënkontroll”.

Zv. Prefekti Elmaz Villa, d.v.

Ajo që dëshirojmë të sqarojmë në shënimin e sotëm është se në këtë dokument nuk jepet emri i dervishit. Dokumenti thotë vetëm se teqeja administrohej nga “një dervish prej Skrapari”.

 

 

Po kush ishte ky dervish?

 

Sipas disa burimeve arkivore, si dhe një letre të doktor Esat Dëshnicës, personalitetit të shquar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i cili më vonë u ndëshkua nga regjimi komunist, ky dervish ishte Baba Tahir Shahin Osmani (Çepani).

 

 

Ky identifikim përforcohet edhe nga të dhënat e përcjella nga doktor Dëshnica dhe Nuri Çuni, historian në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, në Tiranë.

 

Sipas këtyre burimeve, teqeja njihej si Teqeja e Turballisë, e ndërtuar gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, kur Selaniku ishte pjesë e saj.

 

Pas kalimit të Selanikut nën administrimin grek, nisën edhe ndryshimet e emërtimeve të vendeve dhe institucioneve me emra myslimanë. Kështu, në burime të mëvonshme, kjo teqe njihet edhe si Teqeja e Katerinës.

 

 

Teqeja e Turballisë (Katerinës), Selanik

 

 

Pra, me këtë shënim besojmë se u japim lexuesve dy sqarime të rëndësishme që lidhen me dokumentin e publikuar më parë:

 

Së pari:

identitetin e dervishit nga Skrapari, që administronte teqenë dhe që, sipas burimeve të sipërpërmendura, ishte Baba Tahir Shahin Osmani (Çepani).

 

Së dyti:

emërtimin e teqesë. Ajo njihej si Teqeja e Turballisë, ndërsa në burime të mëvonshme del edhe me emërtimin Teqeja e Katerinës.

 

 

Kështu, një fotografi e rrallë dhe një dokument arkivor na çojnë jo vetëm te gjurmët e disa atdhetarëve skraparllinj të mërguar, por edhe te figura e një kleriku nga Skrapari, i cili, në një periudhë të vështirë, e kishte kthyer teqenë në një strehë për bashkëatdhetarët e tij.