Njerëzit, historia dhe qytetërimi i një krahine që për shekuj ka qenë porta malore dhe shpirti i Beratit

 Njerëzit, historia dhe qytetërimi i një krahine që për shekuj ka qenë porta malore dhe shpirti i Beratit

 

 

Ylli Polovina

 

Pesëqind e më shumë vite të shkuara princi i Beratit Gjon Muzaka do ta përshkruante Tomorricën gjeografike të shtrirë në hapësirën e 80 fshatrave, duke përfshirë edhe luginën e lumit Devoll, deri në Maliq të Korçës.

 

 

Pjesa që ka mbetur tani prej kësaj përmase të madhe historike, sidoqoftë ka një larmi tingëllimash të emrave të fshatrave, prejardhje gjuhësore, gjithashtu dendësi, të cilat shpjegojnë dhe provojnë se Tomorrica është historikisht territori i parë më përfaqësues i Malbabait, Tomorit, jo si masiv shkëmbor, si pjesë gjeografie apo truall me begatim biologjik, por si dukuri shoqërore, si mendësi e kulturë të sjelluri.

 

 

Nëpër Tomorricë kalonte zhvillimi evropian, një degë rrugore e kontinentales së famshme Egnatia. Ajo ka funksionuar pothuaj dymijë vite, deri në Mesjetën e vonë, kur Venediku çonte mallrat e tij në Voskopojë e më tej, në Grebené e Selanik.

 

 

Ja pse theksojmë që në rast se në hapësirën qytetkrijuese të Beratit janë përfshirë një territor i cili shkon deri në afërsi të Kavajë-Durrësit, deri buzë Elbasanit, në kahun e anasjellë, madje dhe nga perëndimi sapo prek kufijtë e Labërisë, boshti themelor mbetet drejtimi prurës i Tomorricës.

 

 

Me pak fjalë, është Berati, kjo qendër kryesore grumbullimi e popullit, por pastaj vjen një “qendër” e dytë: Tomorrica. Shpiragu dhe territori i tij i banuar rreshtohet më pas, siç po ashtu, edhe pse është hapësirë e madhe, Myzeqeja.

 

 

Gabojmë fare pak (ndoshta) nëse themi se territori qytet Berat-Tomorricë (përfshirë edhe vetë malin e Tomorit) është Berati i Madh.

 

 

Këtu shtrihet një masiv i ngjashëm njerëzish, temperamentesh dhe mendësish, mënyrash të jetuari.

 

 

Tani duket e pamundur, pothuaj një sforcim kundër logjikës, por në një rrjedhë tjetër të ngjarjeve mund të ndodhte që të përdorej sinonimia, sipas të cilës tomorricar donte të thoshte edhe beratas dhe beratas po ashtu tomorricar.

 

 

 

Banorët e Tomorricës, por edhe ata të quajtur Tomorrakë, të cilët e kanë përditshëm para syve qytetin dhe më thellë në horizont, fushën e Myzeqesë, mund të quhen në mënyrë figurative edhe “beratasit e malit”.

 

 

Ata kultivojnë një bujqësi mjaft pjellore: në tokën e tyre mbin çdo gjë që mbillet. Një shaka e vendasve thotë se tani mbetet të provojnë dy të fundit: kafen dhe bananet.

 

 

Tomorricarët kanë kullota sa për të mbajtur tërë tufat e bagëtive të Myzeqesë. Në këtë kuptim ata janë një kryeqendër, territor me fuqi ekonomike.

 

 

Ata janë mjaft mikpritës, por njëkohësisht edhe shumë mirënjohës. Po ashtu kokë ulur, jo sepse nënshtrohen, por nga që punojnë.

 

 

Tomorricarët nuk shkaktojnë kurrë sherre dhe nuk mbajnë mërira. Këto mbyllen pa u hapur.

 

Lufta e klasave gjatë diktaturës në këtë krahinë nuk shkaktoi asnjë viktimë.

 

 

Gjithashtu paralel me administratën shtetërore të çdo regjimi fuqia reale e mirëveprimit shoqëror në këtë territor të shtrirë të Beratit deri tek mali i Tomorit ka qenë e mbetet në duart e urtësisë popullore, kryepleqve.

 

Këta konsiderohen pothuaj si të shenjtë.

 

 

Tomorricarët nuk janë kurbetllinj. Jetën janë mësuar ta nxjerrin aty. Ikësit më së shumti zhvendosen për shkollim, por jo për funksione nëpunësie, ca më pak për karrierë ushtarake.

 

Vrapim pas pushtetit për tomorricarët nuk ka.

 

Mbetet e habitshme se si prania e Malit të Tomorit, gjithësi madhështie dhe autoriteti, nuk ka ndikuar tek ta me ambicien për poltron të lartë.

 

Tomori me pamjen e tij ballore autoritare nuk ka përhapur ndjesinë e adhurimit dhe të kërkimit të epërsisë dhe të pushtetit.

 

 

Ndërkaq krahina më përfaqësuese e malit, Tomorrica, ka krijuar shumë histori, deri edhe përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë prodhim të saj të shquar ajo nuk ndihet më ulët se vetë qyteti i Beratit.

 

 

 

 —————–

 

 

Ylli Polovina është autor i 45 librave me tematikë ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare, për të cilat është heshtur apo janë keqshkruar.

Pesë prej tyre janë në gjuhën italiane.

 

Kjo pjesë është shkëputur nga libri i tij “Berat, o zemër”