Parime dhe perime: “Lufta” e çiftit backalli për të jetuar bukur

Parime dhe perime: “Lufta” e çiftit backalli për të jetuar bukur

Yzedin Hima

Të dy qendronin në skajet e verandës të lodhur nga diskutimi i gjatë, nëse mund të quhet e tillë zënka midis tyre. Ishte, pa asnjë dyshim, çifti më interesant në lagjen periferike. Jetonin bashkë gjatë afro gjashtë dekadave. Në pjesën më të madhe të kësaj kohe, në Berat, ku kishin ardhur që herët.

 

Nuk ndaheheshin kurrë nga njeri – tjetri, në dasma, në urime, në treg, për vizita. Kur ftohej njeri, teshtinte edhe tjetri. Jetesa e gjatë bashkë me kohë i kishte limuar mospërkimet a ndryshimet midis tyre. U dukej sikur kishin lindur të dy në këtë shtëpi. Po cila qe arsyeja  qëatë kishte plasur sherri midis tyre?!

 

Shtëpia e tyre e madhe, me dy kate, qendërtuar e gjitha nga ata të dy, pa llogaritur ndihmesën e e vogël të fëmijëve. Feimi i ka duart flori. Të gjitha zanatet që lipsen për të ngritur një shtëpi i zotëron më së miri.

 

Vetë i hapi themelet, vetë e përgatiti betonin, vetë i ngriti kollonat e betonit, vetë i përgatiti hekurat, vetë  i ndërtoi muret midis kollonave, vetë bëri instalimet elektrike, vetë bëri  instalimet hidraulike. Natyrisht, gjithmonë pranë do të kishte, gruan e tij, Zenepen, që nuk përtonte të bënte llaçin, t’i afronte tullat dhe gurët, t’i gatuante vaktet, t’i bënte vrejtje apo t’i jepte mendimin e saj për ngritjen e ndërtesës. Ai e dëgjonte të shoqen sidomos për rifiniturat dhe estetikën e ndërtesës, ku ajo nuk gabonte kurrë.

 

Parë në vështrimin poetik, të dy formonin një distik me plot kuptim e rimë të përsosur dhe kurrsesi nuk mund të formohej me ta një tercinë, thënë më qartë nuk donin as praninë as ndihmesën e një të treti në rrugëtimin e tyre.

 

Shtëpia e tyre ngrihej hijerëndë në atë lagje, duke i sfiduar vilat e ngritura në qytet me para droge apo me para korrupsioni. Ajo ndërtesë ishte ngritur e gjitha me frytin e djersës së tyre, ndaj e gjithë lagjja i respektonte.

 

Pasi u ngrit shtëpia, mbollën rreth saj pemë dekorative dhe hardhi. Këtu nisi dhe moskuptimi midis tyre. Feimi kërkonte të mbillte rreth e rrotull shtëpisë hardhi, ndërsa Zenepja pemë dekorative dhe lule, shumë lule.

 

Sherri i parë nisi kur pyetjes së Feimit se pse donte të mbillte lule, për çfarë lipseshi gjithë ato barishte që lëshonin lule ngjyra – ngjyra, Zenepja nuk e pa të udhës t’i jepte përgjigje. Nuk e dimë e as e marrim me mendn nuk deshi t’i shpjegonte të shoqit psenë, apo e pa të udhës se nuk e vlente shpjegimi, pas vështrimit të egër të Feimit. Feimi mbill hardhi dhe Zenepja mbill lule, derisa shtëpia u zhyt në një gjelbërim të harlisur. Nuk kishte më vend as për të shtuar lulet, as për të shumuar hardhitë.

 

Femi, por edhe me mendimin e Zenepes sajuan disa  lehe anash shtëpisë. I ndërtuan me llaç e tela dhe i mbushën me dhe e pleh që e blenë diku larg, në anën tjetër të qytetit. Kur u shtua sipërfaqja e “tokës” në katin e dytë dhe në taracën mbi katin e dytë, Zenepja u gëzua sepse tani lehet do të shpërthenin në lule e gjethe dhe aroma e tyre do të përhapej në gjithë lagjen.

 

Shtëpia e tyre do të dukej edhe më e bukur. Pikërisht këtu nisi sherrnaja. Feimi mendonte se krahas rrushit, në “tokën” e përftuar mund të verseliste ca perime bio për merak.

-Do mjell kastraveca, domate, qepë dhe piperka, të gjitha bio – i tha Zenepes.

– Au, jo –  ia ktheu Zenepja. Perime ka tregu plot. Mos na e shëmto shtëpinë me perime. Lulet do na e zbukurojnë edhe shëpinë edhe lagjen.

 

Kur Feimi nisi të mbillte fidanët e perimeve, Zenepja, grua në moshë, nisi të qante. Feimi e pa i irrituar dhe nuk po arrinte ta kuptonte këmbënguljen e saj. Vazhdoi të mbillte fidanët e tij. Kur e pa se me të qarë nuk zgjidhi gjë, Zenepja vrapo te fidanët e luleve dhe shkoi pas të shoqit, ai mbill fidanin e perimeve, ajo mbill fidanin e luleve. Lehet po ngarkoheshin me fidanë një qepë, një lule, një kastravec, një lule, një piperkë, një lule.

 

Ndoshta Zenepja u ngatërrua dhe e prishi këtë radhë, por Feimi e mori si arrogancë të luleve ndaj perimeve, ndaj, pa iu drishur dora, i shkuli dhunshëm disa lule dhe në vend të tyre mbolli perime. Po nuk i shpëtoi ky veprim syrit vigjilent të Zenepes. Kur e pa që nga sytë e qielltë të Feimit po shkrepnin vetëtima si Qafa e Martës mbi Backë, ia nisi sërish të qarit. Pastaj secili shkoi në skajet e tarracës. Ende pa gjetur një kompromis.

 

Të dy janë me origjinë nga Skrapari. Feimi rrjedh nga një familje patriotësh nga Backa. Babai i tij, Sulua ka qënë komandant i çetës patriotike, që luftoi kundër andartëve grekë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ndërsa Zenepja rrjedh nga Bejkot, belerbejtë e Grëmshit, fshatit qytezë nga rrjedh edhe familja e njohur e frashërllinjëve, Naimit, Samiut, Abdylit.

 

Feimi vjen nga Backa, afro 1500 metra mbi nivelin e detit, ku jetesa gjatë shekujve përcaktohej si “Ta nxjerrësh bukën nga goja e gjarpërit”, ndërsa Zenepja vjen nga një fshat më i butë, me kopshtije e toka të begata. Të parët e saj kanë qënë të kamur dhe i lejonin vetes edhe të kujdeseshin për anën estetike të jetesës.

 

Midis Feimit dhe Zenepes, që kishin përballuar dallgë të egra të jetës duke qënë kurdoherë bashkë, kishte nisur sherri. Si njeri i afërt i tyre, kur më thanë arsyen e sherrit, nuk munda të jepja asnjë ide, se si duhej zgjidhur problemi.

 

E si mund të mos merrja anën e Zenepes, unë që gjatë orëve të mësimit i nxisja nxënësit e mi të jetonin estetikisht edhe në këtë botë të zhytur në pragmatizëm?!

E si të mos përkrahja mendimin  e Feimit me duart flori?!

 

Ky sherr kishte hollë – hollë shkaqe estetike. Zenepja donte të jetonte bukur. Gjithë jetën i kishte dashur lulet, por nuk gjente një vend për t’i kultivuar. Tani që e gjetën mundësinë, dolën para perimet.

 

Ky sherr kishte nisur edhe për shkaqe pragmatiste, Feimi donte të gjente dhe merrte vlerën e gjithçkaje që kultivonte. Atje lart, në Backën e tij, perimet mezi piqeshin në gusht dhe pas ca ditësh i kapte ngrica, ndërsa këtu harliseshin për muaj me radhë.

 

Qe një luftë midis parimeve dhe perimeve. Parimeve estetike të Zenepes dhe perimeve bio të Feimit. Më afër kohës së sotme qe Feimi, ndërsa e nesërmja i takon Zenepes, kur edhe banorët e këtij vendi të mendojnë për të jetuar bukur, sikurse banorët e Europës.