Pelegrinazhi në “Malin e Tomorrit”/ Policia publikon masat: Ja çfarë duhet të keni parasysh

Pelegrinazhi në “Malin e Tomorrit”/ Policia publikon masat: Ja çfarë duhet të keni parasysh

Pak para nisjes së pelegrinazhit në Malin e Tomorrit, policia e Beratit ka marrë masa për qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve në akset rrugore, pasi në periudhën 18 – 25 gusht 2022 pritet një numër i lartë vizitorësh atje.

 

 

Në terren do të jenë 185 efektivë  që do të mbikëqyrin 24 orë dhe do të menaxhojnë çdo situatë të krijuar në akset rrugore, si dhe në ambientet rreth teqesë në Kulmak, ku dhe do të kryhen ritet fetare.

 

Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Malit Tomorr (drejt teqesë) do të jetë:

 

Hyrje e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi Uznovë – Kryqëzimi Plirëz – Teqeja e Kulmakut.

 

Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga Mali Tomorr (Teqeja) do të jenë:

 

 

Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) –  Rrethrrotullimi i Kombinatit;

 

Teqe e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) –  Rrethrrotullimi i Kombinatit.

 

Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohet të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja Kulmak” dhe kthim.

 

Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë – Berat”, ”Ura Kuçit – Dimal – Berat”, “Pobrat – Dimal – Berat”, ”Berat – Mali Tomorrit”, ”Berat – Çorovodë”,  ”Çorovodë – Gjerbës – Mali Tomorrit”, nuk do të lejohet të qarkullojnë mjete të tonazhit të rëndë nga ora 06:00 – 24:00, për periudhën 18 – 25 gusht 2022.

 

Kufizime do të ketë edhe për autobusët, të cilët nuk do lejohet të qarkullojnë në aksin “Plirëz – Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit”.

 

Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.

 

Gjithashtu, është i ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në aksin e rrugës.

 

Drejtuesit e mjeteve të zbatojnë dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë për vendet ku do të lejohet pushimi dhe parkimi i mjeteve./ Top Channel