Mësuesi misionar Pertef Therepeli, një pishtar drite që s’ka për t’u shuar kurrë trojeve shqiptare të Maqedonisë së Veriut

Mësuesi misionar Pertef Therepeli, një pishtar drite që s’ka për t’u shuar kurrë trojeve shqiptare të Maqedonisë së Veriut

Nazif Selimi

Ismet Selimi *

 

Në pllakën e varrit të mësuesit në vend të epitafit shkruan “Pertef Abaz Therepeli, lindi më 25.12. 1909 në Therepel, rrethi i Skraparit, Shqipëri”.

 

 

Punoi si arsimtar prej vitit 1925, ndërsa në Jagoll prej vitit 1942 gjer në ditën e vdekjes më 25. 12. 1972.

 

 

Erdhi këtu, në trojet shqiptare, që ishin nën juridiksionin e Jugosllavisë, me vendim të qeverisë së Tiranës dhe urdhër të ministrit të Arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqi. Ishin mbi 100 mësues për të çelur shkolla shqipe dhe për të përhapur arsimin shqip.

 

 

Pertefi erdhi në rrethin e Kërçovës në mision të shenjtë, të mësojë banorët të shkruajnë dhe të lexojnë shqip, atëherë kur në këto anë për herë të parë u hapën shkollat shqipe. Ai nuk bëri një episode, por  me përpjekje prometeiane shënoi  epokë në historinë e arsimit, duke zënë vend të merituar në të.

 

 

Po kush ishte Pertef Therepeli?…

 

 

U lind më 25 dhjetor 1909, në Blanë të fshatit Therepel të Skraparit – Shqipëri. Në vitin 1925 ka qenë mësues në Zaloshnje. Më pas ka shetitur në disa fshatra të Skraparit. Në vitin 1941, siç u tha edhe më lart, në kuadrin e një iniciative të qeverisë së asaj kohe, erdhi në Jagoll të Kërçovës, në këtë cep të Shqipërisë natyrale.

 

 

Jetën e jetoi i vetmuar në kasollen afër shkollës së fshatit Jagoll Dolencë.

Vdiq më 25 dhjetor 1973 pa asnjë të afërt.

 

 

Pas vdekjes gjetën flamurin shqiptar, një revole si dhe një dosje poezish që kishte shkruar ai, e cila u zhduk nga nga forca të errëta të regjimitt jugosllav. Ndoshta një ditë do të gjendet dosja e plotë e këtij veprimtari të paharruar.

 

 

Njërën dorë dhe njërën këmbë e kishte të paralizuar përjetësisht, sëmundja nuk u reflektua kurrë në punën madhore të tij. Ndësa shumë arsimtarë ikën drejt Shqipërisë më 1945, ai nuk u kthye në Shqipëri, por qëndroi në Jagoll.

 

 

Kishte shkuar një herë në familje në Shqipëri në vitin 1947, por, pasi u prishën marrëdhëniet me Ish-Jugosllavinë, u mbyllën kufijtë.

Disa herë u bëri kërkesë organeve qendrore nëShkup e Beograd, por askush nuk ia vuri veshin.

 

 

Shumë njerëz që e kanë njohur mësuesin flasin me respekt të veçantë si një njeri i  urtë dhe i vyeshëm, për mënyrën e punës dhe për dashurinë që kishte për nxënësit e mirë, metodat pedagogjike që përdorte si dhe përpikëmërinë e orarit të punës.

 

 

Këtë njeri të urtë dhe modestë, që u flijua për të përhapur dritë e kujtojnë shumë bashkëpunëtorë, shumë gjenerata nxënësish.

 

Vdiq me shpresën e thyer. Jagollasit, ish-kolegët e tij, arsimtarë e pedagogë, ish-nxënës, familjarë ku kishte bujtur dhe ngrënë bukë e përcollën për në banesën e fundit me një ceremoni madhështore, dinjitoze, siç e meritonte.

 

 

Kishte një motër në Shqipëri për të cilën e digjte malli, punonte tetë orë në ditë, nuk lodhej dëshironte t’u jepte dituri nxënësve, shkronjat shqipe ai i quante të shenjta, të gjithë mendonin se mësuesi i përkiste konfensionit ortodoks, në relitet ishte mysliman, përkatësinë fetare nuk e tregoi kurrë, kurse atë kombëtare e kishte thënë që moti.

 

Në nderimet e duhura ngeli pa u bërë vetëm një, ngeli ajo që ai digjej dhe që jagollasit e dinin, por nuk mund të bënin gjë, pengu i vendlindjes.

 

 

Por amanetin s’e tret dheu, thotë populli. Me t’u krijuar mundësia me hapjen e kufijve, ish-nxënës dhe banorë të ndjeshëm të Kërçovës, Jagollit dhe fshatrave përreth u munduan të plotësojnë në një farë mënyre dëshirën e tij.

 

Para disa vitesh, një dërgatë e kryesur nga kryetari komunes së Kërçovës, Fatmir Dehari, në përbërje edhe të drejtorit ië shkollës 9-vjeçare të Jagollit që mban emrin e Naim Frashëri, Ismet Selimi, si dhe ish nxënësitë e Pertefit,  profesor Qamil Fejza, profesor Nazif Selimi, Ahmet Mora, dr. Ilmi Veliu etj. kanë udhëtuar disa herë deri në Skrapar, jo vetëm për t’a njohur më në detaje jetën dhe veprimtarinë e ish-mësuesit të tyre, por edhe për t’ua ndriçuar pjesën tjetër të panjohur të Pertefit për arsyet që thamë më sipër, bashkëpatriotëve të tij.

 

 

Me kërkesën dhe propozimin e tyre, ai ka marrë titullin Mësuesi i Popullit, titullin Qytetar Nderi i Kërçovës dhe Nderi i Skraparit.

Emri i tij tashmë ka zënënjë vend të merituar në historinë e arsimit shqiptar.

 

Më pas janë bërë shkëmbime të ndërsjellta, një përfaqësi e shoqatës “Tomorri, Durrës” ardhur në Jagoll për homazhe dhe nderime të mësuesit Pertef Therepeli, por edhe përfaqësi të jagollasve dhe shkollës “Naim Frashëri” të këtij fshati kanë shkuar disa herë në Skrapar, Durrës dhe në Tiranë.

 

 

Shënim i Redaksisë

 

 

Ndërsa ishim duke postuar shkrimin e dy vëllezërve Selimi, një tjetër material interesant, i bukur dhe i vyer, na doli përpara.

 

Ishte një poezi e sapo anuncuar në statusin e tij të FB e ish-nxënësit të Pertef Therepelit, Nazif Selimi, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

 

 

 

MËSUESIT

 

 

Nasif Selimi

 

 

Ç‘u shkëput një yll nga qielli

E po zbret në Therepel

Në gji t‘nënës e djep thanash

Në mes lisash në mes zanash

 

 

Rriti nëna një petrit

U bë yll që dhuron dritë

Flakë Tomorri nxjerrë nga stralli

Ky petrit digjet nga malli

 

 

Për motra t‘veta e v‘llazëri

Pa drit‘dielli nën krajli

Jo, tha, nën‘ këtu s‘ mund të rri

Se e kam një cop‘ Shqipëri

 

 

Ku mbretëron një terr i zi

Hapi krahët Uskanë kreshnike

Hapi krahët Dardani

Po vijnë shqipet yje drite

Sjellin diell e liri

 

 

Dhe Pertef‘i Therepelit

Në Jagoll ngriti folenë

Ky vullkan e rreze drite

Kjo kala me bedenë

Flakëroi si qiriri

 

 

Tridhjetë vjet e s‘u sos kurrë

Sot mbretëron me lavdinë

N’gur mermeri me flamur

 

 

Jagoll, 30.12.2023

 

 

 

 

*)  Autorët e këtij shkrimi janë vëllezërit Selimi nga Jagolli i Kërçovës:

 

Nazif Selimi, mësues veteran, ish-nxënës i Mësuesit të Popullit Pertef Therepeli dhe Ismet Selimi, drejtori aktual i shkollës 9 – vjeçare “Naim Frashëri”, Jagoll, Kërçovë.

 

 

“Orakujt e Tomorrit” gjen rastin për t’i falenderuar të dy këta miq, që nuk janë vetëm soditës, ndjekës te thjeshtë, por edhe bashkëpunëtorë të tij, që herë pas here ndihmojnë me  shkrime dhe mendimet e tyre të vyra andej dhe këtej kufirit.