Përurohet libri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri (1922-2022), i gazetarit Roland Qafoku

Përurohet libri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri (1922-2022), i gazetarit Roland Qafoku

Më 20 korrik 2022 gazetari dhe moderatori i njohur Roland Qafoku promovoi librin e tij më të ri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri (1922-2022), që përkon edhe me 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Në këtë veprimtari promovuese mori pjesë kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, ambasadorja e SHBA-se znj. Yuri Kim si edhe shume personalitete te shkencës, mediave dhe shoqërisë civile.

Drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike pranë Akademisë se Shkencave, prof. asoc. Marenglen Kasmi, bëri këtë paraqyje të librit:

“Përgjithësisht historianët profesionistë janë pak “nopranë” për të pranuar e vlerësuar punime shkencore historike, kur ato nuk vijnë nga radhët e tyre. Dhe jo fare pa të drejtë, në një kohë që historishkruarja, më saktë biografishkruarja, është shndërruar në një “sport popullor”, ndërkohë që është maja e shkrimit të historisë.

 

Por ndryshe me këtë botim të Dr. Shkencave Roland Qafoku!

 

Metodologjia e përdorur është sa e thjeshtë në pikëpamje të ndërtimit strukturor, çka i mundëson lexuesit të ndjekë me lehtësi tematikën, aq edhe e plotë në trajtim. Burimet e shumta arkivore si edhe literatura e pasur, e përdorur me mjeshtëri nga autori, bëjnë që ne të kemi sot në duar një punim solid dhe të munguar.

 

Ajo çka e bën më interesant dhe të veçantë botimin, është se në tekst ndërthuret stili i zhdërvjellët i të shkruarit të një gazetari me përvojë siç është z. Qafoku, me atë të studiuesit të kujdesshëm të shkencave të informimit dhe komunikimit, dyshues e vlerësues ndaj burimeve primare e sekondare, për t’ju afruar sa më pranë ngjarjes, së kaluarës, së vërtetës historike.

 

Metodologjia e ndjekur, aparati i pasur shkencor, analizat politike e historike të kontekstit kohor ku veprojnë personazhet e librit, sidomos ata të kohës së kaluar, e kategorizon këtë botim padyshim në një vepër biografiko-politike dhe në një studim shkencor të konsoliduar të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe historisë moderne shqiptare”.

 

Siç u theksua edhe më parë, libri që kemi sot në duar është studimi i parë i plotë, si në Shqipëri ashtu edhe në SHBA, që rreket të bëjë një analizë të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në gjithë spektrin e shtrirjes së tyre në këto 100 vite, duke marrë si pikënisje 22 drejtuesit e përfaqësisë diplomatike amerikane në Shqipëri, çka sigurisht ka qenë një sfidë për autorin, si në aspektin e trajtimit biografiko-historik aq edhe bibliografik.