Përzgjidhet logoja e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut
Prej ditës së sotme, të gjitha autoritetet publike të Republikës së Shqipërisë, duhet të përdorin shkresat zyrtare me logon e 80 vjetorit të Çlirimit. 80 Vjetori i Çlirimit të Shqipërisë është miratuar si vit jubilar mbarëkombëtar nga Këshilli i Ministrave. Logoja e 80 vjetorit të çlirimit është miratuar nga Komisioni Shtetëror i 80 vjetorit pas një konkursi të hapur të zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Institucionet shtetërore janë të detyruara ta përçojnë këtë mesazh, përmes logos së miratuar, në çdo shkresë zyrtare, deri në fund të vitit 2024.
Logoja Kombëtare e 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë mban autorësinë e 26-vjeçares Ejona Karkini, ish-studente e arkitekturës.
Të rinj, artistë dhe krijues në fushën e arteve pamore, iu përgjigjën ftesës së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të dhënë kontributin e tyre artistik në konkursin e organizuar me këtë rast, ku konkuruan denjësisht 64 projekte që plotësonin të gjitha kriteret si punime origjinale, të papublikuara më parë, individuale dhe punë të realizuara në grup.