Përhapja e Bektashizmit në Shqipëri u bë shpejt dhe, çuditërisht, në mënyrë të butë, vullnetare dhe me dëshirë.
Dhe kishte disa arsye për këtë, bektashizmi ishte shumë pranë fesë së krishtere, ishte si të thuash, një “islam perëndimor”.
Nga ana tjetër, në Mesjetë, në përgjithësi ashtu siç thotë Bajroni, shqiptarët më shumë nuk kanë besuar se kanë besuar në fe, në një farë mënyrë ata ishin ateistë.
Kjo frymë liberale i shkonte për shtat bektashizmit, i cili në shtetin osman të suninjve vepronte pothuajse në ilegalitet dhe në minoritet.
Bektashizmi në Shqipëri u krijua si Tarikat (rrugë mistike), që ishte e kundërta e fondamentalizmit islam suni:
– Ndërsa Sunitë besojnë te Profeti Muhamet; shitët, ku bëjnë pjesë edhe bektashinjtë me ngjyrën jeshile besojnë te Imam Aliu. Udhëheqësi shpirtëror i bektashinjve është Haxhi Bektash Veliut
– Bektashizmi fenë e merr jo nga letrat, duke lexuar kuranin si suninjtë, por nga mendja, nga zemra, nga shpirti.
– Sunitë lahen, marrin abdes para se të falen, bektashinjtë shkojnë në falje, jo me duar, por me shpirt të larë.
– Sunitë thonë se duhet të falesh pesë herë në ditë dhe mundësisht në objekte kulti (xhami); bektashinj falen dy herë në ditë, kudo që të jetë, me shpirt, duke kujtuar Zotin.
– Sunitë e detyrojnë femrën të mbulojë trupin dhe fytyrën me ferexhe dhe shami, bektashinjtë thonë se femra nuk duhet të ruajë cipën materiale, por cipën e nderit, ndershmërinë.
– Sunitë janë për poligaminë, martesën me shumë gra, bektashinjtë janë për monogaminë, martesën me një grua.
– Sunitë ndalojnë pirjen e alkoolit, bektashinjtë ndalojnë të dehurit, jo të pirët.
– Sunitë besojnë në një Perëndi, një kombësi, në një qeveri, në një kalif në të gjithë rruzullin tokësor, bektashizmi thotë se Zoti është në vetë shpirtin e njeriut, është në çdo gjë të gjallë. Bektashinjtë janë panteistë.
Parimet e Bektashinjve janë tre: Hakikati (E vërteta), Marifeti (Dituria), Sheriati (Ligji).