
Profili i një studiuesi të njohur shkencor, por edhe i një personaliteti dhe veprimtari të shquar shoqëror
Për shumicën e ndjekësve dhe lexuesve të “Orakujve të Tomorrit”, nuk është nevoja ta prezantoj, pasi ai është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kësaj platforme, që sjell materiale me vlera të çmuara të krahinës së Vakëfeve, fqinjes sonë me fate të njëjta historike, natyrore, sociale dhe kulturore, por është edhe një miku im i kahershëm personal.
Drejton prej gati tri dekadash shoqatën atdhetare kulturore të krahinës së Vakëfeve të Korçës, një nga shoqatat më të mira, më aktive dhe më të njohura në Shqipëri.
Është një nga njohësit më të mirë të arkivave dhe historisë së Shqipërisë Juglindore, Korçë, Kolonjë, Pogradec dhe Skrapar.
Ka qenë botues i gazetës “Tradita” dhe autor i disa librave dhe monografive historike, dy nga këto libra janë për Skraparin.
Ka mbajtur ligjërata në disa tribuna dhe konferenca shkencore historike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për arsye të ndryshme, objektive apo subjektive, që, më shumë se të tjerët, i di vetë ai, ngeli de jure pa një titull shkencor, por që në të vërtetë, me gjithë atë opus krijues dhe hulumtues, me gjithë ato botime dhe me gjithë atë aktivitet të ngjeshur organizativ shkencor, historik, social dhe kulturor, de fakto e ka marrë këtë titull.
Zylyftar Hoxha
Administrator i “Orakujve të Tomorrit”