Pse i donte Napoleoni shqiptarët në gardën e tij? 210 vjet më parë, 3 000 burra shqiptarë rreshtohen në ushtrinë perandorake të Napoleonit
Ilmi QAZIMI
Njihen dhe dihen nga të gjithë lidhjet e dhe simpatitë e Napoleon Bonopartit për shqiptarët, sidomos pas marrëdhënieve me Ali Pashë Tepelenën, ku atij i ranë në sy karakteristikat luftarake të shqiptarëve. Duke gjetur një rast ideal, ai i bëri ata pjesë të ushtrisë së tij.
Kjo ka ndodhur 210 vjet më parë, kur Bonapartit ishte në kulmin e fuqisë së tij dhe ushtritë e tij kishin pushtuar gati 1/3 e botës. Batalionet me ushtarë shqiptarë vepruan në gadishullin ballkanik, duke filluar nga Kroacia në Greqi dhe u bënë një barrierë e fuqishme e armatës së Bonapartit për mbrojtjen nga ushtria angleze.
Gjithsej njëmbëdhjetë batalione me afro tetë mijë ushtarë prej provincave ilire morën pjesë në luftën e vitit 1812 në fushatat e Napolonit.
Ushtarët shqiptarë, nga venecianët te Napoloni
Pavarësisht dëshirës, por Napoloni këto struktura ushtarake nuk i ngriti nga hiçi. I quajturi “Regiment albanais” (regjimenti shqiptar) e kishte origjinën e vet te regjimenti venecian i futur në shërbimin francez më 1797, së bashku me një repart ushtarak shqiptar të ngritur nga rusët më 1799, i cili iu kalua francezëve kur ata rimuarën ishujt jonikë më 1807.
Më 12 tetor të atij viti, Napoloni miratoi rekrutimin e rreth tremijë shqiptarëve, shumica e të cilëve ishin refugjatë të larguar prej sundimit të ashpër të guvernatorit të Janinës Ali pashë Tepelena. Këto forca u bashkuan dhe u organizuan si regjiment shqiptar më 12 dhjetor 1807, në përbërje të të cilit ishin tre batalione, secili nga tri kompani. Çdo batalion kishte edhe shtabin e vet.
Me gjithë rekrutimet prej individësh nga rajone të banuara me grekë, italianë dhe dalmatë, ky regjiment nuk e arriti kurrë shifrën zyrtare organike të plotë prej 3254 vetësh. Me urdhrin e 10 marsit 1808, francezët krijuan edhe një batalion të emërtuar “Chasseurs a pied grecs” ose”Greek Foot Chasseurs” (gjuajtës këmbësorë grekë), edhe këta të njohur si xhandarë shqiptarë (pandours de Albanie); ky batalion përbëhej nga shqiptarë refugjatë nëpër ishujt jonikë pas marrëveshjes së Tilsit.
Batalioni në fjalë kishte 951 luftëtarë të ndarë në tetë kompani, tre prej të cilave ishin me efektiv tepër të zgjedhur. Dy toga nga ky batalion u bashkuan në një të vetme me regjimentin shqiptar (të krijuar, siç e sipërpërmendëm) më 1 korrik 1809. Ky regjiment tashmë kishte ndërtim organizativ, sipas modelit francez: gjashtë batalione, gjithsej 160 oficerë dhe 2934 ushtarë. Çdo batalion kishte një repart (kompani) me luftëtarë të mirëzgjedhur dhe pesë kompani pushkatarësh.
Regjimenti ishte i përshkoqur nëpër shumë garnizone ushtarake të vendosur në ishujt jonikë. Meqë edhe luftëtarët ishin vullnetarë, dhe mund të largoheshin kur të dëshironin, disiplina nuk ishte aq e rreptë; madje oficerët mund të shkonin rregullisht në vendet e tyre të banimit vetjak e familjar, për t’u marrë me problemet e gjakësive, ose për të rrëmbyer bagëti e për t’i pjekur në hell.
Gjakmarrja ka luajtur një rol jo të vogël, madje vende-vende, rol të rëndësishëm në ecurinë kulturore të popullsisë së brigjeve lindore të Jonit, në marrëdhëniet ndërfisnore e ndëretnike. Me gjithë rastet e shumta të kompaktësisë, ku të fortë e ku të cunguar, me burim varfërinë
ekonomike, në sajë të shpirtit luftarak në fushën e luftimit, luftëtarët e këtij batalioni morën pjesë aktivisht në fushata e veprimtari luftarake.
Kompanitë që ishin dislokuar në ishujt Zantes (Zaqintos), Qefalonia dhe Itaka, në tetor 1809 luftuan me furi deri në vetëmohim me forca britanike të shumta në numër. Por ndodhi ndryshe me 34 oficerë dhe 78 ushtarët e batalionit që u dërguan për të mbrojtur ishullin Shënmauri; ata dezertuan në masë, veç 13 vetëve që dergjeshin në burg. (Më vonë shumica e këtyre pushkatarëve u bashkuan me forcat e këmbësorisë së lehtë të Dukës së Yorkut të ngritur nga britanikët).
Pjesa tjetër e regjimentit qëndroi në Korfuz dhe nuk u angazhua në luftime direkte. Radhët e dezertorëve ishin gjithnjë e më të mëdha, e për pasojë, regjimenti më 6 nëntor 1813 u riorganizua me një shtab të ri, me dy batalione, gjithsej 470 oficerë dhe 1204 luftëtarë, shtoju këtyre, ndonëse jo zyrtarisht, edhe 1036 gra e fëmijë, 1426 dhi, 36 kuaj, mushka, lopë…
Regjimenti i ri shqiptar (ilirik)
Ky regjiment, por edhe të tjerë në disa pjesë të Evropës dhe në Ballakan, ishtin produkt i një mendjeje gjeniale ushtarake, pasi ata nuk kishin lidhje direkte me frontin e luftës, por edhe të paguar mirë si mercenarë do të jepnin më të mirën e mundshme. Ai e dinte se shqiptarët zanatin e parë të tyre kishin luftën, me atë jetonin.
Ndaj në fillim të vitit 1810, vetë perandori kërkoi të ngrihej një repart ushtarak në përbërjen e të cilit të ishin trupa prej provincave ilire: Kroacia, Rijeka (Fiume), ish-Istria austriake, Karniola, Karinthia, Gorizia dhe Trieste. Ky regjiment u krijua me urdhrin e datës 16 nëntor 1810 dhe mori formë të plotë nga fundi i këtij viti në Lubjanë. Kishte edhe një kompani rezervë të formuar nga Mareshall Marmont në fillim të atij viti prej oficerëve dhe ushtarëve të shpërndarë të regjimentit austriak të rekrutuar më parë në këto zona.
Ky regjiment u mblodh në Turin të Italisë për t’u veshur me uniformë dhe për t’u kompletuar me pajime e pajisje ushtarake. Më 1811, me pesë batalione u inkuadrua në ushtrinë franceze. Pati edhe dezertime e largime. Komandanti i regjimentit ishte oficeri veteran kolonel Nikola Sçmit. Një e treta e oficerëve ishin francezë dhe të tjerët ishin belgë e austriakë, të cilët kishin mbetur nga betejat e mëparshme në Passan.
Oficerë me origjinë të mirëfilltë ilirë u lejuan, me urdhër perandorak, që të shërbenin në këtë regjiment vetëm një pakicë syresh, prej atyre që kishin pas qenë më parë në njësi të ushtrisë austriake. Regjimenti pati një veprimtari të gjerë e të gjallë luftarake në fushatën kundër Rusisë, në Kovno, Minsk, Valentino-Gora, Krasnoi (afër Moskës). Por gjatë luftimeve edhe humbjet në oficerë e ushtarë ishin të mëdha. Një batalion i këtij regjimenti luftoi në Lajpcig e në pjesë të tjera të frontit gjerman, i atashuar te Korpusi i Mareshallit Oudinot, më 1814.
Përveç këtij regjimenti, “Les troupes Septinsulaire” (trupat ushtarake të Shtatë Ishujve të detit Jon, Korfuzit, Qefalonisë, Zaqintos, Paksos, Lefakadës, Itakës, Cerigos), në shërbim të ushtrisë franceze ishin të përbërë kryesisht nga kontingjente të mirëfillta të banorëve autoktonë grekë, shqiptarë dhe italianë. U quajtën “ilirikë” nga që shumica e tyre ishin banorë të bregut dalmat, ku qysh në historinë e lashtë dihet se kanë jetuar ilirët. Këto reparte e nënreparte kishin oficerë e nënoficerë të përzierë, francezë, kapedanë, kaçakë vendas dhe prej kombësive të tjera. Të gjithë këto reparte u shpërndanë në vitin 1814.
Shqiptarët, stoli dhe krenari në gardën e Napolonit
Veç bëmave që kishte dëgjuar dhe parë te ushtarët shqiptarë, Napolonit i pëlqente edhe uniforma e tyre dhe donte t’i kishte në gardën e tij. Për këtë qëllim 500 ushtarë u nisën për Francë, por të gjithë mbetën rrugës, vetëm tre kalorës shqiptarë iu ngjitën Alpeve, u armatosën dhe u pajisën sipas mënyrës së stërgjyshërve të tyre, udhëtuan gjatë deri në Paris.
Më 1813 kërkuan takim me ministrin e Luftës dhe u futën në skuadrat e Gardës Perandorake gjatë fushatës së vitit 1814.
Ajo që i bënte të dallueshëm ushtarët shqiptarë, ishte uniforma dhe armatimi. Ato afroheshin me ato të këmbësorisë së lehtë franceze, gjë që do të ndikonte në të mirë të rritjes së nderit dhe gjendjes morale të efektivit, si dhe do të qe më lehtë për t’u integruar këto forca në ushtrinë franceze. Napolon Bonaparti e kundërshtoi këtë propozim me argumentin se duhej shmangur çdo konfrontim e ngatërresë midis ushtarëve francezë dhe ushtarëve të reparteve të shteteve të tjera.
Uniforma ushtarake e shqiptarëve, e veçantë nga të tjerët
Ai urdhëroi që, për të qenë lehtësisht të dallueshëm, forcave ilirike t’u vendosej në uniformë “një çerdhe dallëndyshe me xhufka në sup të xhaketave blu siç e kishte ushtria franceze, por me ngjyrë të kuqe të ndezur në qafë dhe në kapakun e mëngës së xhaketës si dhe në pjesën e kërcinjve. “Komçat e xhaketës të uniformës së forcave të regjimentit ilirik ishin me mbishkrimin “Empire francais” (perandoria franceze) të rrethuar me një shkrim “Regiment d’Illyrie” (regjimenti ilirik).
Luftëtarët e forcave të shtatë ishujve jonikë dhe të regjimentit shqiptar mbanin veshur kostumet e tyre të stilit shqiptar. Kostumi e kish origjinë nga veshjet popullore të krahinave të Shqipërisë Jugore dhe atyre që banohen nga arvanitas, në Greqinë Veriore; një këmishë e bardhë greke, një brez i gjerë mesi, një kapotë pa mëngë e kuqe dhe kilota blu, me çorape të gjata ose kallce në formë gjunjakësh, këpucë të lehta lëkure (prej rretre me rripa të trashë), një tallagane me lëkurë leshi të papërpunuar që shërben si kapotë dhe si fletë çadre; me kësulë të kuqe me një xhufkë të gjatë e të derdhur flokësh kali të zeza, ose me një kapë të vogël me ose pa një çallmë në krye.
Bie në sy koka e rruar dhe një pjesë e lëkurës së kokës me flokë shumë të gjatë. Armatimi i tij përbëhet nga pisqolla, thika (jatagan) model kretas dhe një pushkë e gjatë me strall. Ja se si i përshkruan Kol Milot në një letër drejtuar ministrit të Luftës: “Rrobat e tyre të veshjes janë shumë të bukura e luksoze; beretë e kuqe e leshtë me një xhufke të artë; sandale me shollë të trashë, dollakë të kuq, xhaketë vere me një këmishë të shkurtër (fustanellë), një jelek i shkurtër i kuq, i zbukuruar me pulla (folla) të florinjta, me mëngë të hapura te bërryli, një brez i gjatë i leshtë me ngjyrë të kuqe e me xhufka të arta në fund të të dy anëve të tij, një tallagane e trashë prej lëkure dhie që nuk e depërton shiu dhe që është e përdorshme edhe si shtresë edhe si çadër”.
Të gjithë ishin të armatosur me një ose dy pisqolla (pistoleta), një jatagan dhe një pushkë të gjatë të kalibrit të vogël e stilit ballkanik ose turk. Pisqollat kanë një dorezë pothuajse të drejtë, janë tërësisht të tunxhta ose të zbukuruara me argjend. Jataganët janë të modelit karakteristik grek, epirotas ose kretas. Pushkët, të cilat shpesh janë të mbuluara me zbukurime, njihen me emrat arnautka (shqiptarka), sharajlija, rashak dhe roga.
Uniforma e oficerit dhe atyre që ishin me detyra si nënoficer ishte e një cilësie shumë të mirë dhe tepër e zbukuruar; binin në sy mbrojtëset e hekurta të kohëve shumë të vjetra, tek gjunjët dhe noçkat e këmbëve. Veç dy pistoletash me një dorezë karakteristike të gjatë e të drejtë, shpesh në armatimin e oficerit përfshihej edhe një ose më shumë jataganë të zbukuruar, një shpatë dhe një ose më shumë palla të hershme shqiptare.
“Pendaurët” ose “xhandarët” shqiptarë
Më 1 qershor 1810 në ishulli Katro u krijua batalioni ushtarak i quajtur “Pandours of Cattaro” (Pandurët e Kataros), të cilët ruanin territorin e pushtuar nga sulmet e malazezve. Ky batalion ishte i ndarë në gjashtë kompani me nga pesëdhjetë vetë secila, por numri i përgjithshëm i ushtarëve kurrë s’e kaloi dyqindëshin.
Më 8 nëntor 1811, ky batalion u zgjerua në tetë kompani dhe emri iu ndryshua në “Batalioni shqiptar” (bataillon Albanais). Batalioni pati shumë dezertime për mjaft arsye, midis të cilave kushtet ekonomike, trajtimi i egër nga ana e oficerëve, kuptimi i qëllimeve të vërteta të luftimeve etj.
Nga fundi i vitit 1813, ky batalion pushoi së ekzistuari. Emërtimi “pandour” e ka prejardhjen nga emri “Pandur”, një fshat në Hungari, ku Napoloni mori nën armë shumë fshatarë për fushatat e tij luftarake. Kjo fjalë që nënkupton mercenarizmin, militarizmin, mund të shkojë me fjalën shqipe xhandar.