Publikohet për herë të parë: Letër e rrallë e kolonel Dilaver Radëshit
Petrit Zeneli
Ushtaraku i talentuar kolonel Dilaver Radëshi, diplomuar shkëlqyeshëm në shkollat ushtarake të ish Bashkimit Sovjetik, tre vjet (1946-1949) në Odesë, dega këmbësori, dhe tre vjet (1955-1958) në Akademinë “Funze” të Moskës, renditet ndër figurat më të shquara të artit ushtarak shqiptar.
Kur u kthye nga Moska ai u emërua pedagog i historisë së artit ushtarak në shkollën e Oficerëve, përfundoi Institutin e Historisë në Universitetin e Tiranës, lexonte e përkthente literaturë të huaj, gërmoi në arkivat e Stambollit e të Romës dhe botoi studime të shumta.
I guximshëm, atdhetar i flaktë, shkencëtar dhe largpamës në idetë e tij, pse kundërshtoi Enver Hoxhën për heqjen e gradave në ushtri, mori goditjen më të ashpër nga regjimi i tij. Sipas akuzës që ju bë, Gjykata Ushtarake e dënoi, në vitin 1967, me 25 vjet burg, nga të cilat kreu 10 vjet burg dhe 13 vjet internim.
Kur doli nga burgu, më 1977, e internuan në Kajan dhe Belsh të Elbasanit (13 vjet), derisa fitoi lirinë e plotë në mars të vitit 1990. Për jetën e tij në Belsh, mësojmë nëpërmjet kësaj letre interesante që Dilaveri i ka shkruar Prokurorit të Përgjithshëm, Rrapi Mino, më dt 15/05/1987.
Ja çfarë thuhet në të konkretisht:
I nderuari Prokuror!
Vuajta 9 vjet internim në fshatin Kajan të Dumresë. Në muajin janar të vitit të kaluar, më transferuan në fshatin Belsh, 10 kilometra më larg. Këto kohët e fundit nuk komunikova se dënohesha për të tretën herë edhe me pesë vjetë të tjera internim. Domethënë gjysmë jete do të kaloj në internim.
Më 2 dhjetor 1986, i postova një letër të thjeshtë Prokurorit të rrethit të Elbasanit, S. S. Nuk m’u dha asnjë përgjigje për çka i pata shkruar. Më 24 shkurt të këtij viti, i dërgova një letër të dytë rekomande, me kartelë, Prokurorit S.. Jo vetëm nuk mora përgjigje, por nuk m’u kthye as kartela, për të cilën shkova disa herë në postë. Prokurorit të rrethit i lutesha të ndërhynte pranë Degës së Punëve të Brendshme të rrethit, të më lejoheshin katër çështje që m’i kishte ndaluar. Po shtoj dhe një çështje të pestë, e po i lutem Prokurorit të Përgjithshëm të ndërhyjë direkt pranë Organeve të Punëve të Brendshme që mundësisht të më sigurojë:
- Më është caktuar për furnizim vetëm dyqani i fruta-perimeve të NB Belshit, e më është ndaluar të vete për furnizim në dyqanet e sektorit të Trojasit e të Gradishtës, të kooperativës së Shalsit, të cilat nuk janë më larg se 800 metra nga pallati ku banoj. Ndodh shpesh që në dyqanin e NB mungojnë produktet bujqësore e blegtorale, kurse në dyqanet e kooperativave gjenden. Të lejohem të vete për furnizim edhe në këto dy pika.
- Në Belësh ndodhet biblioteka e sektorit të Trojasit por mua atje libra nuk më japin, se nuk jam anëtar i kooperativës. Të lejohem të marr libra në këtë bibliotekë.
- Belshi ndodhet në një gropë midis dy kodrave. Mua më është caktuar të lëviz vetëm gjatë rrugës automobilistike, nga pika e furnizimit me karburant në lindje e deri tek çezma në perëndim. Të lejohem të shëtis deri në majën e dy kodrave, që nuk janë më larg se 1 km nga pallati ku banoj, për të vështruar një hapsirë më të gjërë të vendit, me qëllim çlodhjeje.
- Të lejohem të merrem me punë fizike, në një nga dy sektorët e kooperativës së Shalsit, ose në ndërmarrjen bujqësore të Belshit, ashtu sikurse punova për 8 vjet në Kajan, se jam ngushtë nga ana ekonomike dhe këtu më është ndaluar nga Dega të punoj. Më 1983, kur në Kajan më përjashtuan nga puna, me preteks se merrja një pension mujor 350 lekë nga shteti. Unë i shkrova ish sekretarit të parë të Komitetit të partisë të rrethit, Pali Miskës, e iu luta të kthehesha prapë në punë. Ai në fund të letrës sime kishte shkrojtur, siç e lexova vetë kur letra u kthye në byronë e partisë Kajan: – Të punojë, të marrë ditën e punës. Pali.
Unë u ktheva prapë në punë, marr një pension prej 350 lekë në muaj, që i bie afro 11 e ca lekë në ditë, me të cilat mund të ushqehem, por nuk më ngel asnjë lekë për shpenzimet e tjera, s’e nuk kam ndihmë tjetër ekonomike. Po të hysh në dhomën time do të shikosh: Dy jorganë të vjetër pa çarçafë, dy batanije të vjetra, dy pallto të vjetra, dy pardesy të vjetra, tre kostume të vjetra dhe tre palë këpucë të vjetra.
Çfarë pretendime ndaj meje kanë organet e Punëve të Brendshme, nuk duan që unë të punoj apo që të mos kem kontakt me masat?! … Mund të punoj në një brigadë ndërtimi, se jam mësuar me proçeset e atyre punëve. Me shëndet jam mirë dhe punën fizike e kam me shumë qejf. Mund të vete goxha larg ose pranë traktorëve e autokombajnave natën. Pranë pallatit është një brigadë e komunales, ku mund të punoj edhe aty.
Ngel me shpresë se Prokurori i Përgjithshëm do të ndërhyjë për të më plotësuar katër kërkesat e mësipërme, sidomos çështja e punës, që është më kryesorja; të më sigurojë një punë fizike të përshtatshme me moshën, se jam 65 vjeç, por e keqja më detyron të punoj më.
- I lutem Prokurorit të Përgjithshëm të më vërë në ato kushte që isha 10 vjet më parë, në 1977. Të kthehem në fshatin Kajan, të banoj në pallatin ku banova për 8 vjet, të punoj në brigadën e ndërtimit, ku punova për shumë vjet. Tri janë arsyet që më shtynë të bëj këtë kërkesë:
E para, unë humba fshatin tim të lindjes (Radëshin) e që nuk kam për ta parë më kurrë, por me mirësjellje e me punë fitova një fshat tjetër, Kajanin e Dumresë, banorët e të cilit me mua kanë mbajtur një qëndrim korrekt.
E dyta, anëtarët e brigadës ku unë punova, zëvendësuan anëtarët e familjes time, të cilët nuk kam për t’i parë më kurrë.
E treta, që nga Kajani unë vështroj një pjesë të Skraparit, që nuk e kam për të vizituar më kurrë.
Dilaver Radëshi
Belësh, 15.05.1987
Pa kësaj historie njerëzore kaq të dhimbëshme, autori i këtij shkrimi dhe stafi i gazetës “Orakujt e Tomorrit” i shprehin mirënjohje dhe nderim përjetë kësaj figure kaq të guximshme dhe kaq trimërore, siç ishte kolonel Dilaver Radëshi!