Respekt e mirënjohje nga prindër dhe fëmijë për mësuese Tatjana Bregu  

Respekt e mirënjohje nga prindër dhe fëmijë për mësuese Tatjana Bregu  

Jeta e mësuese Tatjana Bregu, si ajo profesionale ashtu edhe ajo njërëzore, është një jetë e plotësuar, e realizuar në kuptim më të mirë të fjalës, sepse ka dhënë shumë mund, energji, punë  e djersë, por edhe ka marrë dhe merr çdo ditë frytet e kasaj  pune, mirënjohje dhe falenderime pa fund që i vijnë nga të gjitha anët e Shqipërisë, pse jo edhe të globit, ku janë shpërndarë breza nxënësish të saj.

 

 

Tatjana u lind dhe u rrit në një nga fshatrat më të civilizuar të Korçës, në Boboshticën e mënave, të kurbetit, të traditave dhe të lezetit, në një familje të zëshme patriotike të periudhave të mëparshme historike, por, sidomos në ato të mëvonshme, në familjen e Gjançëve të njohur për bëmat dhe mirësitë e tyre në tërë krahinën.

 

Kur e pyet për familjen, ajo nuk lë pa përmendur edhe një plus tjetër, rrënjët nga gjyshërit nga mëma, që janë nga Veshot dhe Tutulanët e Beratit.

 

Dhe ka të drejtë të krenohet me prejardhjen, pasi në fund të fundit, prejardhja  është  pjesë e traditës që ndikon drejtë për së drejti dhe bëhet pjesë e edukatës.

 

I ati i saj Koli, qe një oficer me një karrierë të sukseshme dhe të admirueshme ushtarake. Për natyrën e punës që kishte, populli thotë, “ku ngrysej, nuk gdhihej”. Kish shkelur me shërbim, me punë dhe me familje shumë qytete të Shqipërisë. Megjithse prej Korçe, nga 6 fëmijë, vetëm Tatjana kishte lindur në Korçë, ndërsa fëmijët e tjerë kishin vendlindje të ndryshme.

 

 

Tatjana, pasi kishte mbaruar shkollën pedagogjike, erdhi në mësuese në Skrapar në vitin 1966. As e imagjinonte një gjë të tillë. Të tjera ëndrra kishte thurur, të tjera i dolën. E caktuan në Vëndreshë. E çoi vetë i ati. Për fat, aty, bashkë me të ishte edhe një shoqja e saj e shkollës, Jorgulla nga Vithkuqi.

 

 

“Atë vitin e Vëndreshës nuk do ta harroj kurrë – thotë ajo – me ato që pashë dhe përjetova atje, i harrova ëndërrat e qytetit, u futa një botë shumë të bukur njerëzore. Është e vështirë ta përkruash, dhe akoma më e vështirë ta besosh, por Vëndresha ka qenë një nga parajsat e mia qiellore, jo në kuptimin e mirëqënies dhe jetesës përrallore, se bukë misri hanim, por në kuptimin njerëzor, shprtëror.

 

 

Nuk i harroj ata njerëz të mekullueshëm, që nuk na lanë asnjë ditë në shkollë, në dhomën tonë, por na merrnin nëpër shtëpira.

 

 

Përpara se të dashurohesha me Teki Bregun, djalë Skrapari, unë jam dashuruar me skraparllinjtë e çdo moshe. Jam dashuruar me sinqeritetin dhe çiltërisinë e tyre, me shpirtin dhe zemrën e tyre mal.

 

 

Nëse unë vendosa lidhjen me Tekiun dhe ai e pati të lehtë me mua, ka qenë kjo arsyeja, se doja që njeriun tim të zemrës ta kisha skraparlli, si ata njerëz që kisha njohur në Vëndreshë. Ia thosha shpesh herë këtë edhe Tekiut. Ai qeshte dhe thoshte: “Pse për hatër të botës më ke marrë mua”!?…

 

 

Nuk ndenja shumë në Vëndreshë, një vit, dhe erdha në Çorovodë. Kuptohet, më solli Tekiu, që në atë kohë ishte një figurë e njohur në Çorovodë.

Në Çorovodë bëra një jetë të tërë si mësuese dhe si një banore e thjeshtë këtij qyteti. Nuk mund të them se historia ime ishte e njëllojtë me të tjerat, por aty gjeta mësuese të rretheve të tjera si nga Berati, Korça Vlora, që ishin bërë “nuse Skrapari” si unë, siç ishin: Jorgulla, “që ra menjëherë brenda” që në vitin e parë si unë, por edhe Lejlaja, Vangjelia, Vushja, Lutfia, Franceskina, Margarita, Vojsava, Dhimitrulla, Shpresa, Eli, Drania e të tjera që nuk po më kujtohen tani.

 

 

Aty kishim gjetur gëzimin e jetës, lindëm fëmijë, krijuam familjet tona, por mbi të gjitha gjetëm gëzimin në punë me fëmijët. Çorovoda ishte për të gjitha një realitet i patjetërsueshëm, ndërsa vendlindjet e tona ngelën një mall i pashur”.

 

 

Tatjana ishte një mjeshtre e vërtetë e mësimdhënies, një mësuese e rrallë, që ka lënë gjurmë te të gjithë nxënësit që ka nxjerrë nga duart e saj.

 

 

Megjithëse ishin interesa më madhore ato, kur ajo pas 10 vjetësh, u emërua në punë tjetër, inspektore e Seksionit të Arsimit dhe më pas sekretare e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, shumë qytetarë dhe prindër të nxënësve ngelën të pakënaqur nga lëvizjet e saja, pasi kishte lënë shteg të madh.

 

Ka qenë viti 198, që solli buzëqeshje dhe gëzim të madh te shumë prindër, rikthimi i saj si mësuese në shkollën “Zylyftar Veleshnja”. Aty ajo kuptoi edhe një herë se sa ngusht i kishte rënë “xhaketa” e pushtetit.

 

 

Prej atëhere, deri sa doli në pension, shpalosi edhe një herë të gjitha aftësitë e veta pedagogjike dhe psikologjike, për të ngelur një mësuese e dashur, e nderuar dhe e respektuar, një figurë ikonike e arsimit në Skrapar.

 

Tatjana ka gjetur një mënyrë, që mungesën e bashkëshortit të ndjerë, Tekiut, Teki Bregut, edhe ky një personaliteti arsimit në Skrapar, ta kalojë me veprimtari, tashmë të kohës, siç janë rrjetet sociale, ku ajo është shumë aktive, bashkëbisedon çdo ditë me miqtë, kolegët, me skraparllinjtë e njohur e të panjohur, merr pjesë dhe ndan me ta gëzimet dhe hidhërimet që sjell jeta. (Orakujt)