Riza Vala, jeta e një luftëtari të paepur në një libër të autorëve Kastriot Caka dhe të ndjerit Avdulla Bregu

Riza Vala, jeta e një luftëtari të paepur në një libër të autorëve Kastriot Caka dhe të ndjerit Avdulla Bregu

 

Riza Vala ishte një nga personalitetet e zonës së Skraparit. Për aktivitetin kombëtar u burgos dy herë nga austriakët dhe nga regjimi i Ahmet Zogut. Përveçse ka qenë pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë, Vala ka qenë dëshmitar në vrasjen e Riza Cerovës, luftëtar në Luftën e Vlorës në vitin 1920, dhe partizan i çetës Plakë të Kulmakut në vitin 1942.

 

 

I respektuar në të gjithë krahinën, Riza Vala ka pasur rastin të ishte në krah të udhëheqësve komunistë, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut sa herë që ata vizitonin Skraparin. Por për të mësuar më shumë për aktivitetin e tij patriotik, lexoni në vijim shkrimin.

 

 

U lind në fshatin Valë të Skraparit më 1888. Që në moshë të re ra në kontakt me njerëz të niveleve të ndryshme, që nga fshatari analfabet e deri tek patriotë të dëgjuar, njerëz të ditur e udhëheqës të të gjitha periudhave historike.

 

Në shpalljen e Pavarësisë ka pasur fatin që të provojë dy gjëra të shënuara. Të shohë, të dëgjojë e të kuvendojë me Themistokli Gërmenjin, atdhetarin dhe patriotin e shquar korçar. Po ashtu, në karvanin e drejtuar nga Themistokliu, në udhëtimin historik Skrapar-Vlorë, për ngritjen e flamurit, ishte edhe Rizai me të atin, Tahirin dhe shumë skraparlinj të tjerë.

 

 

Në vitet 1920-1924 mori pjesë në Revolucionin Demokratiko Borgjez, të drejtuar nga Fan Noli. Në vitin 1935, krah Riza Cerovës mori pjesë në Lëvizjen e Fierit. Për këtë shkak u dënua nga regjimi i Zogut me burgim të përjetshëm, por, pas reagimit ndërkombëtar, mori amnistinë.

 

 

Me fillimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, që në orët e para inkuadrohet në çetën e Kulmakut, krah legjendës së Skraparit Mestan Ujanikut. Luftëtar aktiv, do komandonte në betejën e Qafës së Shkozës, në Vërtop u përlesh fyt më fyt me pushtuesit, ku dhe u plagos. Pas çlirimit qe komandant i Komandës së Vendit në Sinjë të Beratit.

 

 

Më 1946, shkon në Shkollën e Bashkuar të oficerëve në Tiranë.

 

 

Sa qe gjallë u nderua e u respektua me urdhëra e medalje, i ftuar në përvjetore e veprimtari të ndryshme.

 

 

Ka marrë pjesë në Konferencën e Parë Kombëtare të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar në korrik 1957, si dhe në Kongresin e Tretë Kombëtar të Paqes në 5 korrik 1958.

 

 

U nda nga jeta më 1 qershor 1966, në fshatin e tij të lindjes, i nderuar nga populli i Skraparit, por disi i harruar nga pushteti edhe pse ka kontribuar dhe sakrifikuar aq shumë.

 

 

Riza Vala ka dy varre; në Valë ndodhet varri i tij simbolik, dhe në Çorovodë në radhën e patriotëve prehen eshtrat e pjesëmarrësit në të dyja luftërat botërore.