Yzedin Hima: Shkolla e pasdites

Yzedin Hima: Shkolla e pasdites

 

Rrëfim i dhimbshëm, mjerisht i vërtetë

 

Te vila e madhe e bosit hyjnë e dalin kopshtarë, pastruese, hidraulikë e të tjerë mjeshtra, që mirëmbajnë kopshtin dhe ngrehinën madhështore.

 

Pasditeve shfaqen para vilës, plot ndrojtje, mësuesit e lëndëve të ndryshme, që zhvillojnë mësim me djalin harrakat të bosit. I pari këtë pasdite u shfaq mësuesi i gjuhës shqipe, zoti Kolë. Sapo kishte mbaruar mësimin te shkolla publike, erdhi me vrap te vila për t’i mësuar djalit zgjedhimin e foljes.

 

I hutuar, u ndesh me nxënësin e tij në sallonin e madh të vilës. Me zë të ulët i kërkoi zotërisë së vogël të priste pakëz, sa të shkonte në tualet.

 

Djali, pa folur zgjati dorën në drejtim të tualetit më të afërt. Kur mësuesi u fut në tualet, djali vrapoi dhe ia kyçi derën nga jashtë. Profesor Kola doli nga tualeti fiks pas 90 minutash, kur djali i bosit pati mirësinë të mos e mbante mësuesin asnjë minutë më shumë nga koha, për të të cilën e paguante i ati.

 

Profesor Kola mori të hollat për “orën akademike”  të gjuhës shqipe te sirtari që i kishte caktuar bosi dhe u nis për në shtëpi.

 

Pas lëndës së gjuhës shqipe, i erdhi radha lëndës së matematikës. Mësuesi i imët u shfaq fiks në orën e caktuar. Djali i bosit i kërkoi ta shtynte mësimin vetëm 15 minuta, sepse qe lodhur shumë me mësimin e gjuhës dhe donte të pinte një lëng frutash.

 

Profesor Kudreti nuk ia bëri fjalën dy dhe u ul në kolltukun e rehatshëm. Edhe ai qe lodhur  e bërë telef nga mësimi në mësim.

Në muzg e zgjoi zëri i ëmbël i zonjës së bosit. Më pas dëgjoi zërin e djalit që i pëshpëriti së ëmës. Profesori qe lodhur shumë dhe e zuri gjumi. I hodha një batanie që të mos ftohej.

 

Profesor Kudreti brofi në këmbë dhe kur pa nënë e bir që po shkriheshin gazit, u skuq, mori të hollat dhe u nis për në shtëpinë e tij.