Rruga Tiranë – Çorovodë, mund dhe duhet të kalojë nga Gramshi!…Dhe ja pse!

Rruga Tiranë – Çorovodë, mund dhe duhet të kalojë nga Gramshi!…Dhe ja pse!

 

Prof. asoc. dr. Hysen Binjaku

 

Nuk di ku, por këto ditë më zuri syri një deklaratë në të cilën, pak a shumë, thuhej se në katër vitet e ardhshme, me fondet e qeverisë do të ndërtohej një rrugë e re, rreth 50 km nga Berati në Çorovodë, duke shmangur rrugën ekzistuese. Thuhej se rruga e re do të ishte e gjitha buzë lumit Osum.

 

 

Mendja nuk ma pronon se ekziston një projekt i tillë, por, nëse ekziston, kurrsesi nuk do të isha përkrahës i tij edhe pse bëhet fjalë për Skraparin.

 

 

Do të mundohem ta argumentoj “kundërshtimin”:

 

Jemi në shekullin njëzetë e një dhe jo në mesjetë. Për Skraparin nuk është më pikë referimi Berati, Korça apo Përmeti (si atëhere kur udhëtohej me kuaj, mushka dhe gomerë). Sot, pikë referimi për gjithë Shqipërinë (pra edhe për Skraparin) është Tirana. Sa më pranë saj, aq më mirë.

 

 

E pra, rruga nga Skrapari (nënkupto qendra e tij, Çorrovodë) për në Tiranë “nuk kalon më nga Berati”, por Grëmshi.

 

 

Po përpiqem ta tregoj këtë që sapo thashë.

 

Sot, ndryshe nga mesjeta, skraparasve (të mbetur në Skrapar) nuk u lind më nevoja të shkojnë në Berat a Korçë (për pazar), por ca më larg, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan (se aty kanë njerëzit e tyre).

 

Skrapararasit e “shpërngulur” në shumicë janë në Tiranë, Durrës dhe rrethinat e tyre. Këtyre as u shkon në mend për Beratin e  Korçën (edhe po t’u shkojë, aty i kanë le të venë). Skraparasit e ikur kērkojnë, si e si, të shkojnë (me mjetin e tyre modest) sa më shpejt e sa më afër fshatit të tyre.

 

 

E pra, por ajo rruga e re 51 km, buzë lumit Osum, nga Berati në Çorrovodë as që u hyn në punë fare (e kanë edhe rrugën egzistuese nëse duan, kanë bërë si kanë bërë gjithë këto vite do shtyhen edhe katēr të tjera).

 

 

Një zonë si Skrapari nuk e ka luksin të ketë dy rrugë parale Berat – Çorovodë për ca turistë të huaj që kanë ardhur për Beratin dhe duan t’u hedhin një sy edhe Kanioneve të Osumit në Skrapar (se në fakt, bash për këtë kërkohet të bëhet).

 

 

Skraparasve, sidomos atyre të Tomorricës dhe fshatrat që bënin pjesë në komunat Leshje e Turbohovë, u nevojitet së pari rrugë që i lidh me qendrën e Bashkisë, Çorrovodën. Ajo që e zgjidh këtë është asfaltimi i rrugës Guak, Radësh, Dëvri, Gjerbës vetëm 25 km. Në Dëvri të bëhet e njëjta gjë me degëzimn Dëvri, Leshje, Turbohovë 10 km. Vetëm me asfaltimin e këtyre 35 km rrugë (gjurmë ekzistuese, mjaftueshme e gjerë) Bashkia Skrapar zgjidh përfundimisht shërbimin (detyrë kryesore e saj) për Vëseshtën, Mollasin, Radëshin, Koritën, Gradecin fshatra të komunës qendër.

 

 

Lehtëson dukshëm kushtet e jetesës për fshatrat: Leshje, Gostënckë, Vlushë, Turbohovë, Krastë, Kapinovë, Faqekuq, Krushovë etj. E njëjta gjë edhe për fshatrat Përrenjas, Mëlovë, Zaloshnje, Gjerbës, Gradec, Ujanik.  Mungesa e Rikualifikimit të këtyre 35 km rrugë duhet të bëj me turp të gjithë ish deputetët e Skraparit që nga viti 1992 e deri më 11 maj 2025.

 

 

E njëjta gjë vlen edhe pēr ish-kryetarēt e Bashkisë Skrapar. Nëse bëhet rikualifikimi i rrugës Çorrovodë – Gjerbës, krijohet një mundësi e artë për të lidhur Çorovodën me Tiranën shumë më shkurt se sa që nga Berati.

 

 

Ja një mundësi: Tiranë-Grëmsh, rrugë shumë e mirë, 81 km. Grëmsh – Sotirë 19 km rrugë e përfunduar, vijon për Kërpicë 4 km (e bën Grëmshi edhe këtë). Të vijojë buzë lumit të Tomorricës përfund fshatrave: Kërpicë, Tërrovë, Rromas, Dunckë, Trebël, Shpatanj, Gradec, Brerimë (në fund të Gjerbësit). E gjitha kjo do të jetë një gjurmē e re, buzë lumit të Tomorricës, përfund dhe gjat gjithë gjatësisë së “Parkut Natyror të Tomorrit”, panoramike, diku tek 15-20 km.

 

 

Pra, Çorovodë – Gramsh: 35+5+15 (20)= 55 (60) km. Çorovodë – Tiranë 55 (60) + 81 = 136 (141) km (Ju lutem, me dorë në zemër, nëse dalin ca km më tepër mos e lini pa bërë, bëjeni !

 

 

Kjo rrugë zgjidh përfundimisht problemin për të gjithë fshatrat e anës së majtë të rrjedhjes së lumit të Tomorricës. Për anën e djathtë të  rrjedhjes (që të mund të ketë akses gjithvjetor) duhen ndërtuar të paktën tri ura. Një urë diku në fund të Mëlovës (ose Zaloshjes), një në Brerimë dhe një përballë Dobrenjit (në Rromas).

 

 

Shumëkush mund të verë buzën në gaz (mbase edhe me ironi) por, nëse deputetët apo kryetarēt e Bashkive zgjidhen për të zgjidhur hallet e votuesve të tyre, këtë duhet të bëjnë, sepse edhe lugina e Tomorricës është aq atraktive dhe aq turistike sa ajo Osumit deri në Kanionet, madje madje ka dhe një plus tjetër, që është më e virgjër për resurse të reja turistike.