Rubrika “Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: ÇORROTATI

Rubrika “Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: ÇORROTATI

Luftar Hasanllari

 

Jam Luftar Hasanllari, biri i këtij fshati, të cilit i falem si një perëndie qiellore, sepse në këtë fshat të vogël, përballë Tomorrit dhe rrëzë malit të Koshicës, përzier me fërshëllimat e stoçenit, erdha në jetë 51 vjet më parë, pikërisht në qershor të vitit 1969.

Kur ka një vendlindje, njeriu ndihet krenar, mbasi me ligjësi ka të drejtën të jetë bir apo bijë e atij vendi dhe të mos ndihet i vetmuar apo i larguar prej andej, sidomos në vorbujt e lëvizjeve që vihen re sot.

 

Edhe pse jetoj me qindra kilometra larg, në Sarandë, raportet e mia me fshatin kanë ngelur të pandryshuara sikur të isha atje.

 

Jam ndjerë dyfish krenar që kam vendlindjen time Çorrotatin, këtë fshat të thellë të Tomorricës, pasi në jetë ka disa gjëra që nuk mund t’i vendosësh vetë si individ, se njeriu, më tepër se çdo gjë tjetër në botë, është një qenie shoqërore e lidhur me mjedisin ku ka lindur, ku jeton dhe punon, ku dashuron, por edhe ku mediton dhe ëndërron.

 

 

 

Hej, botë, sa e vogël je bërë!…

 

 

Sot në saje të mjeteve të shumta dhe të shumllojshme të komunikimit, edhe  pse ndodhemi në vende të ndryshme, në Shqipëri apo kudo në botë, gjen një mënyrë për t’u qetësuar, për t’u çmallur disi me vendin ku linde, ku hodhe hapat e para të jetës, ku more mësimet e para…

 

 

Mjafton të ulesh pranë kompjuterit edhe të kërkosh në Google Maps të shfaqet në mënyrë vizuale pamje nga vendi yt, nga fshati yt, sheh rrënojat e shtëpisë tënde, avllinë apo selishtën tashmë pa mur e gardh.

 

 

Pavarësisht se kjo mënyrë, kjo “vizitë” vituale me vëndlindjen tënde është e ftohtë, përsëri është ngushëlluese. Unë, të paktën e përdor shpesh, pasi është një mënyrë që më zgjon kujtimet, më nxit imagjinatën, por edhe sepse për disa minuta jam mendërisht atje.

 

 

Edhe tani që po shkruaj këto rrjeshta, në një kuadrat në cep të kompjuterit kam përpara pamjen satelitore të fshatit tim, Çorrotatit të Tomorricës në rrethin e Skraparit, një fshati të vogël, por shumë të dashur për mua.

 

 

Çorrotati – natyrë dhe poezi

 

Fshati Çorrotat dhe gjithë krahina së bashku me të dy anët e saj shtrihet si një stadium gjigant natyror, i rrethuar nga vargmale të lartë: Në veri, Koshnica; në lindje Tomorri, në çdo kohë tingëllon si një poemë malesh e qielli, pyjesh të shëndetshëm, magji, legjendë, kushtrim bukurie të virgjër, të ashpër, mrekulli të shumëfishta malesh, livadhesh edhe çahiresh plot gjelbërim, përrenjsh alpinë që zbresin me vrull, ujërash, dokesh e zakonesh, të cilat ruhen të strukura në gjirin e tyre.

Relievi i saj është i lartë, me përthyerje të ndjeshme, me kodra, pllaja e male.

 

Lagja Hsanllarë

 

Ansambli që vesh si aureolë këtë fshat ka bukuritë dhe kontrastet e veta. Aty bashkohen në mënyrë organike e ashpra me të butën, maja e maleve që bien thikë mbi livadhe dhe kullota të buta, shkallare të veshura me kullota të cilat zbresin nga lartësitë drejt fshatit.

 

 

Çorrotati – Histori

 

 

Çorrotati shtrihet rrëzë malit të Koshnicës, në kufijtë administrativë të rrethit të Skraparit me Korçën dhe Gramshin. Është pjesë e Komunës ose (Njësia Administrative e Zhepës), kufizohet me fshatrat Gurrazes, Zhepë nga lindja, me fshatin Çerricë, Burranj nga jugu, me Dobrenjin dhe Simanin e Gramshit nga perëndimi dhe me malin e Koshnicës nga veriu.

 

 

Historia e fshatit Çorrotat është shumë e hershme. Ajo shkon që nga periudha Iliro – Romake, në mesjetën e hershme të kohës së Muzakave dhe më vonë akoma në periudhën e sundimit turk.

Sipas disa mbishkrimeve osmane në varre, por edhe shkrimeve të defterëve të hershëme teë kësaj periudhe Çorrotati njihej me emrin Cirtat.

 

 

Origjina e emrit Çorrotat

 

 

Unë nuk jam specialist i fushës, por edhe nuk e kam gjetur me ndonjë vend tjetër shpjegimin linguistik të prejardhjes së emrit Çorrotat, por duke ditur se në Skrapar dhe Tomorricë ka shumë emra vendesh me prejardhje sllave, mendoj që ai vjen nga sllavishtja; Çorri zi dhe tat – ndoshta gur, sikurse Çorovoda (Çorr – i zi dhe voda – ujë).

 

 

Në favor të kësaj që po them, më vjen se tat mund të jetë gur, pasi fshati ndodhet në rrëzë të malit të Koshnicës, që është me shkëmbinj ultrabazikë me ngjyrë të errët, formacione që ndryshojnë nga gëlqerorët; por edhe se fshati fqinj yni, quhet njësoj si fshati ynë, por në shqip, Gurrazes(!)…

 

Pra, nëse dota thërrisnim sllavisht Gurrazezin, do ta quanim atë Çorrotat(!)…

 

 

 

Lisi i Bregut, i cili pati fatin e shumë shtëpive në fshat që u shkatërruan me kohën dhe për shkak të kushteve të motit dhe moshës nuk është më

 

 

A ka patur lidhje midis këtyre dy fshatra që kanë të njëtin emër, por në gjuhë të ndryshme, nuk kam kompetencën e duhur dhe nuk vë bast për këtë shpjegim.

 

 

Çorrotati përbëhet nga tri lagje: Hasanllarë, Osmanllarë  dhe Pajallarë.

 

 

Tradita e jetesës

 

Fshati Çorrotat si edhe gjithë zona përreth kishte traditë ndërtimin e shtëpive  të mëdha për banim, me dy kate, shpesh edhe me dy ose tri hyrje të jashtëme, në vartësi të meshkujve që kishte familja. Më vonë, sidomos në vitet e socializmit, si gjithandej u adabtua sistemi elbasançe, me një kat e në formë “L” – je.

 

Lagjja Pajallarë

 

Ndjej keqardhje për mungesën e fotove dhe histori më të hershme për fshatin, por ka qenë një fshat i bukur dhe i veçantë.

 

 

 

Nostaligji dhe mall

 

 

Sapo të hysh në Çorrotat, në dimër apo në verë, do të prezantohesh me një heshtje të përzier me madhështi. Pamje që të mposhtin. Oshëtima e gurgullima ujrash që të gjallërojnë, të çojnë shpirtin peshë, njëkohësisht të gjunjëzojnë para gjithshkaje që të lajmëron se do të shikosh, hasësh, prekësh e nuhatësh kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë.

 

 

Të kujtohen prindërit, motrat, vëllezërit, kushërinjtë, mqtë, shokët. Të kujtohen ato mbrëmjet e gezueshme mbas lodhjes nga puna e përditëshme, ku gjithë fshati mblidhej gjithë fshati te “Tubi”, që ishte një vënd ku kanali vaditës kalonte në një tub hekuri, te dyqani i bukës, te vatra e kulturës apo te dyqani i ushqimoreve, duke kuvenduar me njëri-tjetrin për gjithçka. Pjesë e këti rituali ishin, futbolli te sheshi para shkollës, mbrëmjet e shpeshta në vatrën e kulturës etj.

 

 

 

Të dashur bashkëfshatarët e mi!

 

Duke ju kërkuar ndjesë për kohën që u mora për leximin e këtyre rreshtave, që vërtet dalin nga thellësia e zemrës, uroj dhe shpresoj të shohim ditë më të mira për të gjithë ju dhe familjet tuaja

Faleminderit!…