Rubrika “Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: Gradeci-Qendër

 Rubrika “Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”: Gradeci-Qendër

Zylyftar Hoxha

 

I ngritur në pjesën më të thellë të Kanioneve të Gradecit, në lartësinë 200 metra mbi lumë, duke vazhduar deri lart në një kodër shkëmbore, ku ka gjurmë të një kalaje të hershme. Ky vend është në hartën arkeologjike të Skraparit dhe quhet Gradishtë (Grad – sllavisht, qytet – qytezë). Prej kësaj kalaje e ka marrë emrin Gradec.

 

Gradeci është një nga fshatrat më impozant dhe më panoramik të Skraparit, i ngritur mbi shkëmbinj gëlqerorë.

 

 

Për të mos u ngatërruar me Gradecin e Tomorricës, në aktet zyrtare dhe administrative të tanishme quhet Gradeci – Qendër, një fshat shumë tërheqës si në natyrë ashtu edhe në histori. Gjithmonë ka qenë një fshat i vogël, i mbledhur, unik, që nuk i kaluar asnjë herë më shumë 40 – 50 shtëpi  ose mbi 200 – 300 banorë.

 

Gradeci ka këto lagje: Kapxhiu, Braho, Ziko, Gjoka, Muka, Guri dhe Shkëmbi.

 

 

Edhe pse i gjysmuar, vazhdon ta ruajë dhe sot traditën, dasma, gosti dhe vaki i bëjnë bashkë i gjithë fshati.

 

Personalisht e njoh mirë këtë fshat, siç njoh fshatin tim të lindjes, Qafën, sepse vija shpesh aty, me rast apo pa rast, kur kisha pushimet e shkollës dhe më vonë, pushimet e punës, pasi kam pasur nënën time nga Kapxhillarët e Gradecit, por dhe një hallën time, motrën e babait, Pemben, të martuar në Gradec me një burrë “nderi i fshatit”,  siç ishte Hyda Guri (Gradeci).

Me mungesën e tokës dhe të ujit, Gradeci është marrë më shumë me blegtori, sidomos me dhen, pasi kishin gjithë malin lart, që kufizoheshin me Gostënckën, Leshnjen dhe Vlushën.

Bulmeti  dhe mishi i qengjave të Gradecit ishin të pangjashëm me asnjë fshat tjetër të Skraparit, qoftë edhe ata të Ostrovicës, Qafës së Gjarpërit apo Kulmakut, për shkak të kullotave me barëra dhe lule aromatike që kishte mali i Gradecit.

 

Për mbarështimin e deleve këtë fshat e kishte ndihmuar edhe natyra. Një pjesë e deleve, pa pasur nevojën për të dimëruar në Myzeqe, siç bënin fshatrat e tjerë, Gradeci kishte një shpellë të madhe në krahun juglindor të fshatit, ku i mbante dhe i ushqente me zahire atje, deri sa dilte spiku i njomë i barit në pranverë.

Një pjesë tjetër të bagëtisë, nëpërmjet një shtegu tepër të vështirë, duke i mbajtur një nga një në krahë, i fusnin në një vend në fund të kanioneve, ku as nuk dilnin dot që andej, por edhe ujku apo egërsira të tjera nuk penetronin dot në këtë vend, e kalonin dimrin në natyrë, pa njeri.

 

Ky vend i çuditshëm dhe legjendar quhej Bestrevicë. Dhe gradecllinjtë betoheshin për këtë vend shpëtimtar: pa kasolle, pa bari, pa shpenzim.

 

Por Gradecin nuk mund ta konceptosh pa disa ara në mal, që quheshin Vila. Dikur punoheshin dhe jepnin ndonjë tagji se për drith nuk bëhej fjalë, më pas ato u lanë për livadhe bari e tërfili. Këtu sigurohej sasia më e madhe e barit të thatë për dimër.

 

Në Vila kishte shumë mure dhe breza me thanë, kumbulla të egra mali dhe gorrica, ç’ka tregon se ka qenë e shfrytëzuar shumë herët. Këtë e tregon edhe vet emri Vilë – vend ku ka të vjela.

 

 

Në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, me kontributin e vetë fshatarëve, me në krye veprimtarin e palodhur Mehmet Braho, u bë rruga 3 km e gjatë që lidhi Gradecin me rrugën kryesore Çorovodë – Gjerbës.

 

 

Është dashur një punë vërtet heroike në atë kohë, pasi i gjithë segmenti i ri rrugor u hap në formacion shkëmbor me mina dhe me vegla primitive, kazma dhe varѐ.

Aty Mehmeti humbi dhe dorën nga një kapsolle mine.

 

Po në këtë kohë u ndërtua edhe ujësjellësi, pasi Gradeci ka vuajtur shumë për ujë. I gjithë fshati kishte vetëm një çezmë, ku në verë mbahej radhë për të mbushur ujë.

 

 

 

Gradeci është një fshat me histori të vjetër dhe të re. Ai është interesant në shumë pikpamje, siç janë të gjithë fshatrat e Skraparit, por me një veçori të dallueshme dhe të njohur në të gjithë krahinën.

 

Ai për nga humori, shakatë dhe rromuzet i ngjan Golemit të Gjirokastrës.

Të shkoje mik apo udhëtar në Gradec, do të kishe kujdes se ata flisnin me thumba, që po të mos i kuptoje dhe t’ua ktheje po me shaka, ata të tallnin dhe tërë llalisnin tërë ditën dhe tërë natën.