Rubrika “Udhëtim nëpër Skrapar…”: MUZHAKA

Rubrika “Udhëtim nëpër Skrapar…”: MUZHAKA

Ilmi Qazimi

 

Së bashku mikun tim Mehmet Dume, Arturin e takuam një pasdite me vranësira të fillim majit 2008 në një klub pranë vendit të tij të punës. Ishte i qeshur dhe si gjithmonë me humor të këndshëm.

 

“Kam sebep – na thotë- ndaj do t’a jap unë kafen sot. Isha në fshatin e lindjes së babait. U kënaqa. Era e luleve, aroma e vëndit ku kemi të parët tanë sikur të jep një fuqi të veçantë dhe ndjehesh jo vetëm i forte, por edhe shumë krenar…edhe gjoksi të mbushet lehtësisht me frymë … Por, ç’e do se të merr malli të takosh një njeri.

Ecën kilometra të tëra me makinë dhe shikon vetëm lisa, shkëmbej që vijojnë pas kanioneve unikale të Osumit dhe pamje joshëse me të gjitha nuancat e të gjelbrës së bukur të pranverës skraparase. Pastaj kur futesh në rrugën e fshatit Rog duke ngjitur të përpjetën me kthesa të mirëpiketuara nga topografët për në Muzhakë, syri të zë vetëm ara të lëna thuajse djerrë dhe ferra.”

 

E dëgjoj dhe me shkon mendja te Muzhaka tej në histori. Thuhet se pikërisht aty në atë shpat të ëmbël kodrinor, që e përkëdhel dielli sapo del pas malit të Miçanit, mes lisave dhe pranë burimeve që i zgjuan dhe i ve në gjumë gurgullima e përroit të Bunikut, dikur në pranverën e vitit 1941, këtë vend e kishin pllakosur grekërit dhe jo më shumë se dy javë aty, erdhën italianët.

Taronina pak më lart, kufiri i Përmetit me Skraparin, ka qenë gjithmonë një majë strategjike luftarake. Toponimia e fshatit është dëshmi e fuqishme për të argumentuar atë që po themi. Hija e Morozizës (pyll), Sinapanë(arë), Shëmitraz (arë), Shëngjergji i Mestanit, Shtëpia e Gjonit, Shëmitrat, Topila e Kishës në Morozizë, janë disa nga rreth 300 toponimet e mbledhura nga Bejdo Llapi që flasin për një të kaluar të largët historike.

Edhe terrakota prej bronxi, së toku me fragmente të tjera objektesh domëthënëse që janë gjetur nga ekspeditat arkeologjike në Muzhakë, flet për lashtësinë e këtij fshati.

 

Ky katund në vitin 1431, vitin e regjistrimeve të tokave dhe pronave prej pushtuesve osmanë, kishte 8 shtëpi dhe 523 akçe si të ardhura vjetore. Duke ecur ndër gjashtë shekujt që pasuan, ai as nuk u asimilua as nuk u shua, por vetëm u zgjerua.

Gojëdhëna tregon se rreth viteve 1780, muzhaklliu Muk Shehu, kajmekam i Delvinaqit, pranë Janinës, kishte çifligje; ai bënte ligjin edhe në fshatin e vet. Ka mbetur edhe toponimi Shkëmbi i Mukës; ai luftoi me fisin e Gjonajve dhe së fundi e vranë njerëz të paguar nga fshati fqinjë pas malit.

 

Në vitin 1920 në luftën e Vlorës shkuan me armë në dorë Ali Dyrmishi, Duçe Llapi, Feta Bego, Iljaz Llapi, Lulo Shehu, Haziz Bego, Mane Llapi, Selman Dyrmishi. Çlirimit të atdheut nga fashizmi i dha dy bijtë e tij: Hysni Shehu ra gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Jugosllavi dhe Musa Alimeri, aty, në afërsi të fshatit).

 

Në fund të dhjetëvjeçarit 1990 popullata e fshatit arriti deri 43 familje.

Muzhaka nxorri 31 oficerë midis të cilëve tetë oficerë madhorë: Besim Demir Bega, kolonel; GëzimBrahim Bego, kolonel; Hektor  Enver Shehu, nënkolonel; Kujtim Izet Alimeri, nënkolonel, mjek; Lutfi Lutfi Shehu, kolonel; Muhamet Zenel Dyrmishi, nënkolonel; Medi Sabri Dyrmishi nënkolonel dhe Sherif  Avdyl Dyrmishi nënkolonel.

 

Janë të ndjerë në gjithë rrethin e Skraparit dhe do të kujtohen kryetarët e lokalitetit e të Këshillit të Bashkuar të Çepanit: Hasan Dyrmishi, Mehmet Rushit Bego, Qemal Mestan Alimeri.

 

Si kudo në Shqipëri edhe nga ky fshat, pas viteve 1990, pati shpërngulje jo të pakta për t’u bërë “emigrantë brenda atdheut”, përveç atyre djemve e vajzave që emigruan në shtetet kufitarë dhe përtej detit. Më të shumtit e larguar drejt qytetit janë stabilizuar ne Tiranë.

”Kaq herë kemi biseduar me një pjesë të shokëve që të mblidhemi e të llafosemi… se këtu në Tiranë ne bëhemi afro 40 familje… Të tërë janë hallosur si kanë mundur”, thotë Shyqyri Bego, i përmalluar shumë për bashkëfshatarët e vet. Edhe pse atij i është dashur të largohej nga Muzhaka qysh kur ishte 20 vjeç, ai ruan dhëmbshurinë dhe mallin për të gjithë njerëzit, arat, gurët…Edhe bashkëshorten e ka po nga Muzhaka.

 

Pesë –gjashtë familje janë vendosur në Vlorë. Disa familje nga fiset Alimeri dhe Bego janë rregulluar disi mirë në periferi të metroplit të Durrësit.

“Sot aty,në Muzhakë jetojnë vetëm 12 familje,thotë Arturi. Mete e Skënder Llapi meren me “pak nga të gjitha” për të siguruar jetesën. Lile e Shkëlqim Dyrmishi merren më tepër me bagëti. Kujtim Bego arriti që në këto vite të mbarështonte dele. Falë kujdesit të tij të gjithanshëm u bënë afër 300 krerë. Mirëpo doli shqetësimi i tregtimit të produkteve dhe nënprodukteve të qumështit, se për leshin s’bëhet fjalë. Ndaj Kujtimi e ndërroi biznesin: i hoqi dhëntë mbolli vreshta dhe synon të nxjerrë raki dhe verë. Ai shpreson të ketë më tepër sukses.

Në fshat jetojnë edhe Qenami, Izeti, Sazani, Arshini merren kryesisht me bagëti dhe me pak vreshta.

“Ata nuk largohen prej truallit ku kanë lindur, e vazhdon bisedën i ati, Shyqyriu. Çdo gjë e kanë në vend mjafton që të rritet kujdesi i organizmave shtetërore për mosndërprerjen e energjisë elektrike dhe rregullimin e rrugës automobilistike nga Hambulli për në Përmet. Është vend i shtruar dhe i pasur krahina ku shtrihen fshatrat tona.

Problemi i shkollës i shqetëson vendasit. Ajo u mbyll. Dikur, në vitet 1975 deri në vitin1990, Muzhaka kishte çerdhe, kopësht, ambulancë.

“Ne vendosëm të rregullonim qivurin e gjyshit tonë Hamitit – ma pret fillin e mendimeve që më shthurin momentalisht vëmendjen ndaj mikut im Artur Bego, gazetar i respektuar e i njohur në mediat e kohës që jetojmë. Shkuam tok me babanë. Babai i Turit, Shyqyriu, u rrit jetim, por çau në jetë vetëm me punë e ndershmëri duke edukuar edhe tre djem të mbrodhtë.

“Ishte dëshirë e të gjithë neve që ta rregullonim atë qivur sepse agjentët atmosferikë kishin bërë të tyren. Gjyshi u vra në luftime me italianët pushtues në vitin 1943 dhe lipsej të përjetësohej, paçka se pati edhe individë që deshën ta kompromentonin vdekjen e tij.Ai me dokumente dhe me meritë mori statusin e dëshmorit të atdheut. Djalin e vetëm, babanë tim e la 11 muajsh; e rritën xhaxhallarët dhe e ndihmuan shumë dajot. I vëllai i gjyshit tim, Nexhipi jetoi mbi 105 vjet. Ishin rruh i fortë ata. I ushqente ajri i pastër,ushqimi dhe zjarri i vendlindjes.

Pamje mahnitëse kishte edhe Çepani duke e parë nga Muzhaka përkarshi, ndaj edhe e fotografova. Ja, shiko, ku e keni”.

Arturi na befasoi aq shumë. Mezi e prisja një të atillë fotografi të vendlindjes time.