Rushan Dosti, një “bilbil” që zgjon mëngjeze!…
Zylyftar Hoxha
Një fjalë e urtë, e mençme, e bukur e popullit thotë “Nata mbars dhe dita pjell”. Ka dy konotacione kjo fjalë: një negativ, për të mbrapshtit që thurin plane natën dhe veprojnë ditën; por edhe konotacionin tjetër, pozitiv, që janë ata që thurin ëndrra të bukura natën dhe i realizojnë ditën.
I tillë është poeti Rushan Dosti, i cili ka gjetur një mënyrë të vetën, origjinale për të “përshëndetur” që në pikë të mëngjezit miqtë e tij të shumtë në rrjetet sociale, me poezi.
Janë poezi që janë ngjizur jo vetëm nga shqetësimet dhe pagjumësitë e natës, por edhe nga ëndrrat e natës, ndaj janë aq të thjeshta, aq të bukura, aq melodioze, sa iu ngjanë këngëve.
Janë poezi me mesazhe dhe metafora artistike të forta për kohën, për realietin ku jetojmë, për të kaluarën e dhimbshme, por edhe për të ardhmen, për njerëzit që na ikin, por edhe “mysafirët e rinj” që na vijnë, lindjet, që, fatkeqësisht janë të rralla, por që një shpirt të ndjeshëm poeti e gëzojnë shumë.
Janë 3 000 e ca poezi të tilla që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, por që presin dritën e botimit në libër.
“Më duhet një redaktor i mirë, i mirë fare, si ata të vieteve 60 – 70 të shekullit të kaluar, që të m’i seleksionojë, të nxjerr një vëllim me poezitë më të mira, gjë që unë nuk e bëj dot, më dhembin të tëra. Por, besoj se do ta gjej” – thotë ai.
Po kush është ky poet, ky “bilbil” që zgjon me këngë mëngjeze?!
U lind më 15 mars 1958 në fshatin Koprënckë të Skraparit, “në një vit nga më të më të vështirët ekonomik, vitin e kooperativizmit” – thotë ai, dhe me humor shton: “kjo ndoshta ka qënë një arsye që të kem lindur shtatanik”.
Arsimin fillor dhe 8-vjeçar e kreu në vendlindje duke patur mësues njerëz profesionistë të zotë, si profesor Muharrem Abazin; korçarin e fillores, Ymer Nameti dhe gjirokastritin, Dhimitër Vaiti, për të vijuar arsimin 8-vjeçar me emra mësuesish të njohur si jabanxhinjtë Mitro Kuci, Lumturi Aliu, Natasha Mehmeti, Engjëllushe Matuka; koprënckallinjtë, të ndjerin Neshat Dyrmishi (një nga mësuesit më të aftë), historianin që “lexonte” gjeografinë përmendësh, Resmi Dostin, sevralliun Selman Hoxha e të tjerë.
Pasioni i hershëm i rinisë së tij ka qënë mësuesia, profesion të cilin e ushtroi fare pak, dhe krijimtaria letrare. Vetëm kur ishte në klasë të VIII debutoi në një shfaqje estrade të kohës me parodinë “Hallet e fshatit tim”, me të cilën gati sa nuk e pësoi. Edhe sot e mban mend përmëndësh edhe pse nuk e shkroi në asnjë copë letër.
Arsimin e mesëm e filloi në vitin 1973 në Shkollën Pedagogjike në Elbasan dhe e përfundoi në vitin 1977.
Shtatë muaj shërbeu si mësues letërsie në Malind dhe më pas kreu studimet e larta për oficer, ku shërbeu mbi 25 vjet.
Edhe pse nën uniformë, kurrë nuk ndaloi së shkruari poezi dhe artikuj në organet lokale e qëndrore të shtypit të kohës.
Nga viti 1998 deri më 2002 drejtoi si kryeredaktot gazetën e pavarur “Orakulli i Tomorrit” që botohej në Berat.
Ka botuar librat: “Burrat e shtetit, shteti pa burra”; vëllimin poetik “Ujëvarat e shpirtit”, monografitë “Vala Frashëri, luftëtare e orëve të para”, “Xhevit Zaçe, greshicioti”, “Rehovica, djepi ynë”, “E mira nënë Mirije” (bashkëautor me të pavdekshmin Arben Duka etj.
Me mikun e tij të ngushtë, poetin e mirënjohur Arben Duka
Aktualisht është duke përgatitur për botim librin “Dostllarët, gjaku i fisit tim” si dhe vëllimin me poezi të zgjedhuar që thamë më sipër:
Më posht po botojmë katër poezi që autori i ka zgjedhur enkas për “Orakujt e Tomorrit”:
Letër Nënës
Të shkruajta një letër
Ta nisa me postë
Mos më qorto, Nënë
E shkruajta me lotë!
E shkruajta me lotë
Ta nisa me postë
Postieri ma kthehu
Tha, se gjeta dot!
Ju luta postierit
Ju luta dhe Hënës
Ta postonte prapë
T’ia dorëzonte Nënës!
T’ia dorëzonte Nënës
Merakmadhes Nënë
Atje lart me yjet
Atje lart në Hënë!
E di Nënë e dashur
Që je bërë merak
Për bijtë dhe bijat
Nuk ndjehesh rehat!
U bënë vite shumë
Dorën pa ta puthur
S’të kam puthur ballin
Dhe syrin e bukur!
Për vuajtjet e tua
Për shpirtin flori
Për ty mbretëreshë
Për ty Perendi!
Me këto vargje zemre
S’të shpjegohem dot
Sa nis gërmën “N”
Vargu pikon lotë!
Brenda zemrës tënde
Mjaltë i dashurisë
Vargjet bëhen hoje
Nektar i poezisë!
Letrën në çdo 8 Mars
Do ta nis nē Hënë
Pres një përgjigje
Moj e mira Nënë!
M i k u t t i m p o e t
Të pavdekshmit Arben Duka
Shkruaj e mos pusho
Bilbil, miku im
Se në ditët tona
Ti je një Naim
Shkruaj të lumtë pena
Mos u lerë derman
Se këta zuzarë
Dolën tjetër farë
Shkruaj mendjeflori
Mos u lërë kusur
Ti vret me pambuk
Ti nuk vret me gurë
Ti o mendjendritur
Shpirtin e ke diell
Bukës i thua bukë
Gjellës i thua gjellë
Jepi Arben Duka
Shkruaj me breshëri
Se ky vargu yt
Flet për shqiptari
Fjala jote o mik
Është e sinqertë
Je i vetmi mjaltë
Që prodhon një bletë
Vargun ta pëlqejë
Se ta di merakun
Shqipëtar i madh
Me vargje mbron gjakun
Ti o Arben Duka
Mik o labovar
Të ka lindur nëna
Për të qënë shqiptar
Mbaje penën mprehur
Ashtu siç di ti
Çdo varg që ti shkruan
Është një hajmali!
T r ë n d a f i l z e m r a s h
Nga një trëndafil
Si libër me fletë
Bashkohen dy zemra
Dhe lindin një jetë
Brenda në petale
Dashuria mjaltë
Shkëlqen trëndafili
Ndrin si diamant
Shiu i dashurisë
Petalet vadit
Mjalti i dashurisë
Zemrat i flladit
Shiu i dashurisë
Kthehet në furtunë
Zemrat dashurore
I lag, i bën ujë
Me buzë të thara
Trëndafili thahet
Zemra humb flladitjen
Copëtohet dhe çahet!
L o t i
Në vend të një mesazhi
për të gjithë ata që thonë se Shqipëria nuk bëhet
S’bëhet Shqipëria
Ky refren çdo ditë
Mornica në trup
Me dhimbje në shpirt
Me dhimbje në shpirt
Plagë për vendin tim
Lindur nga të parët
Ka mbetur jetim
Ka mbetur jetim
Po vuan e po heq
Fëmijët kanë ikur
Kanë mbetur ca pleqë
Kanë mbetur ca pleqë
Zogjtë kanë lënë foletë
Loti i syrit qan
Për vendin e shkretë
Për vendin e shkretë
Hijenat vinë rrotull
I’a rropën lëkurën
E vdiqën këtë popull
E vdiqën këtë popull
Shpirtin po i marrin
Ky vend paska lindur
Për hajdut, kusarin
Për hajdut, kusarin
Në gji të mrekullisë
Nuk paskan të ngopur
Me gjakun e shqiptarisë
Me gjakun e shqiptarisë
Barkëfryrë çakejtë
Barkëthatë gjithmonë
Mbetën fukarenjtë
Mbetën fukarenjtë
Jetojnë drekëngrënët
Pas popullit të varfër
Do të vjedhin të rënët
Do të vjedhin të rënët
Dëshmorët do të vrasin
Se një ditë pa ngënë
Ujqërit ulërasin
Ujqërit ulërasin
Kopeja shkon pas
Dua të vras veten
Dua të ulëras!