Sa herë që Atdheu ka dalë në ankand, shqiptarët kanë mbetur pa vendin e varrit    

Sa herë që Atdheu ka dalë në ankand, shqiptarët kanë mbetur pa vendin e varrit    

Mihal Gjergji

  

Sapo mbarova analizën e shkurtër për fenomenin “Tufa” dhe “gjyqtarët” e vetëshpallur. E quaj fenomen sepse është një qasje ndaj lirisë së fjalës, jo thjesht ndaj intelektualit. E lashë disa ditë të ‘kullojë’.

 

Më kujtohet gjyshja ime, ndjesë pastë. Sa të shijshme i gatuante bukëvalet, me gjalp të tretur dhe djath nape! Ashtu dua t’i gatuaj dhe unë shkrimet e mia, mirëpo qënka i vështirë zanati i kuzhinierit. E them këtë sepse njerëzit kanë shije të ndryshme; njëri pëlqen bollgurin e tjetri bukën kulaçe. Ka dhe nga ata që e hanë me hudhra, gjithë jetën. Dhe s’ngurojnë ta tendosin shigjetën pas harkut. Bota prandaj është e bukur, nga shumëllojshmëria. Lum ai që zoti i ka dhënë durimin.

 

Kur nxirrte bukën nga saçi, gjyshja i hidhte një mbulesë. Ne afroheshim rreth vatrës (si ujqërit tepsisë së pushtetit). Ishim të vegjël.

 

-Duroni, na thoshte, të kullojë pak, t’i vejë shpirti në arë…

 

Jeta i kishte afruar kupat e helmit para se ta merrte vdekja. E kishte zemrën me plagë. Askujt s’ia dëshiroj atë fat, as vetes time. Dhe ja ku mbritëm. Të meritosh vëmëndjen e njerëzve të ditur, doemos që është privilegj. Kam lexuar shumë prej tyre. Reagimi im është paksa ndryshe. Brenda objektivitetit s’kam pranuar asnjëherë të bëhem palë me askënd. E urrej paternalizmin. Është mbështetje që i jepet të paditurit dhe të pambrojturit.

Agron Tufa s’është i paditur, dhe s’ka ç’humbet veç prangave. Mbase i ndikuar nga zhgënjimet e shumta që kam provuar vetë, e ngaqë ndjehem vërtet i huaj në vendin tim, dua të theksoj qysh në krye se, zëri im bashkë me zërat e tjerë do treten si gjëmimet e largëta në shkretëtirat që presin me vite për një pikë shi. E ai vazhdon të mungojë.

 

Qofsha i gabuar! Shqipëria i ngjet gjahut vënë nën grykat e armëve, ngaherë. Kush janë gjahtarët? Fqinjët, por jo vetëm ata. Lakmitarët lëpijnë buzët dhe shpresojnë e presin për copa të majme. I krijuar si shtet me një konferencë ambasadorësh, i coptuar me gërshërët e traktateve dhe nën kontrollin e tyre, i braktisur nga Evropa mbarsur pabesi dhe intriga, Shqipëria ka mbetur si Ura e Qabesë, që simbolizon nizamllëkun e largët.

 

Pikërisht këtu takohen “pllakat tektonike” të Lindjes dhe Perëndimit, konfliktet dhe tërmetet politike janë në shtratin e tyre. Vendi ynë prodhon aq shumë histori, sikur të ishim 100 milionë banorë, drama më tepër se çdo vend ballkanik, komedi që vihen në skenë nga regjizorë të huaj. Kufijtë tanë ndahen me eshtra martirësh dhe vija gjaku. Plagët më të shumta ia kemi shkaktuar vetë ne, sepse armiku më i madh i shqiptarit është shqiptari.

 

Të gjithë duan të jenë kalorës dhe asnjë këmbësor. E kur s’munden, përqafojnë tradhtinë, vihen në shërbim të të huajve, bëhen mercenarë. Shqipërinë e ka shpëtuar rastësia, sikurse thotë Konica, jo Zoti. Atë e kemi braktisur qyshkur. Sepse të rrallë i kemi patur burrat e shtetit dhe të shumtë politikanët plangëprishës…

 

Në kushtet që Atdheu ka dalë në ankand, shqiptarët kanë mbetur pa vendin e varrit. Çfarë mallkimi! Po a meritojnë të vishen me zgjyrën e politikës? Jo dhe jo, por duhma e saj i ka dehur e përgjumur…Ja, kështu mund të vritet një popull vital si yni. Duke i lënë në terrin e paditurisë dhe mjerimit.

 

Një pjesë përqafojnë Islamin dhe vrapojnë drejt Turqisë orjentale, të tjerë Ortodoksinë dhe nxitojnë në drejtim të fqinjit jugor, katolikët shpresojnë se Vatikani mund të jetë shpëtimtari i tyre. Vatikani që sundoi Evropën me fenë e tij monoteiste deri në pragun e revolucioneve të mëdha kulturore. Turmat janë të verbra. I përdor feja, i përçan e sundon politika. Prandaj shqiptarët bëhen armiq me njëri-tjetrin.

 

Dhe, në çdo tre breza, njëri zhduket nga luftrat. Kështu mund të shkatërrohet një vend i begatë si yni.

Bregdeti është pushtuar nga barbarët, kodrat janë çveshur, lumenjtë i kemi nxjerrë nga shtrati, maleve u kemi grabitur themelet, mermerin e tyre të bardhë. Fati i shqiptarit i ngjet Alcestit te “Mizantropi” i Molierit. Prandaj braktis vatrën e tij për të gjetur pak liri, sepse s’duron përdhosjen e nderit, mjerimin që të thyen dinjitetin, s’pranon të ndjehet i huaj brenda truallit ku është lindur dhe rritur. Rrethanat më kanë detyruar të shëtit shumicën e vendeve të Evropës, Amerikën e largët dhe Kanadanë.

 

Askund s’kam parë një racë kaq të bukur sa jona, kaq krenare. Shqiptari guxon e bën vend edhe atje ku janë të huaja për të, toka dhe qielli. Dorën e shtrinë për punë, jo për të lypur mëshirë. Atje ku shkon mësohet me të tjera realitete. Civilizimi imponues të zbraz xhepat nga dollarët dhe shpirtin nga virtytet.

 

Vetëm balta e Shqipërisë është më e ëmbël se mjalta. Po këtu mungon kujdesi dhe mbrojtja nga shteti. Askush s’interesohet për ta. Bashkëkombasit tanë, ngado ndjehen të tradhtuar, të sulmuar padrejtësisht nga fqinjët dhe njerëzit e gjakut të tyre, enden si brenda një pusi ku lulzojnë veset më të ndyra. Pronat që shpresonin t’u ktheheshin, ua vodhën pushtetarët me ligjin 7501, djersën ua grabitën, atë çfarë kishin ndërtuar për gjysmë shekulli ua shembën para syve. Nëse humbasin edhe nderin, çfarë u mbetet pastaj?

 

Preferoj t’i referohem traditës tonë shekullore, atij shtrati ku është mbështetur edhe gjykimi ligjor kohë më vonë. Binak Alia nga fisi Krasniqe i Malsisë së Gjakovës vlerësohej për gjykimet e mënçura në zgjidhjen e konflikteve mes fiseve apo familjeve. Për shkak të dhuntive natyrore, doemos edhe për shkak të vendimeve objektive ishte shndrruar në mit.

 

Një burrë dërgoi gruan në fshatin tjetër për të marrë një barrë misër. Ishte dimër, bënte ftohtë. Nusja ishte e re dhe e bukur. Atje ku bujti për të marrë bereqetin, i zoti i sarajeve, një burrë me prona dhe pasuri, e mbajti tri ditë në konakun e tij. I pëlqeu dhe e detyroi të futej në shtrat me të. Ditën e katërt e lejoi të largohej. U kthye te bashkëshorti dhe i tregoi gjithçka. Në fund i tha se nuk jam e denjë për ty. Burri e gjykoi pafajësinë e saj dhe i tha të rrinte e qetë. Ju kërkua Binak Alisë gjykimi për zgjidhjen e problemit sipas zakonit. Ky i fundit shkoi atje ku kishte ndodhur ngjarja. Burrat e kullës dhe fisit ishin mbledhur të gjithë dhe prisnin. Binaku ju drejtua të zotit të kullës, dhunuesit të nderit; – A ma jep gruan, mor zotni, ta mbajmë tri ditë në fshatin tonë? Jo, u përgjigj tjetri i revoltuar. Punë që s’bëhet. Atëherë Binaku i bëri pyetjen e dytë; – Sa djem ka zotnia juaj? Një, ju përgjigj bashkëbiseduesi. Atëherë, tha Binaku, ka vetëm një zgjidhje; tre vetë duhet të vriten patjetër; ti, djali yt dhe njëri nga vëllezërit e tu.

Veshi opingat dhe iku. Ashtu u bë, sepse Binaku ishte krygjyqtari i pranuar nga dy palët. Ky është gjykimi popullor.

 

Unë s’e njoh fizikisht Agron Tufën, s’e kam takuar asnjëherë. Pak kam lexuar pak nga krijimtaria e tij. Nuk mjafton t’i shikoni portretin; flokët me thinja, balli me rrudha dhe një tis pikëllimi që nderet mbi fytyrën e tij. Ndoshta duhet më shumë për t’u bindur që ai ka jetuar. Por si? Dhe ku? I ka rënë ferrit pash më pash për t’u kthyer përsëri mes nesh. Prapë do ta flakim? Nëse dramën jetësore të Agronit do e kthejmë një shekull mbrapa në kohë për të marrë gjykimin e Binak Alisë, jeni të bindur që do i jepte të drejtë, ndërsa vendimi do ishte më i frikshëm nga ai që sapo rrëfeva. Nëse dramën e tij s’e njihni, mësojeni pra, para se të jepni gjykime të nxituara. Agroni s’flet vetëm për vete, edhe për dhimbjen e të tjerëve.

 

Dhe mirë bën. Janë shumë nëna, nuse të reja dhe vajza që akuzojnë nga thellësia e varreve. Njerëzit e tyre janë arrestuar nga shteti i diktaturës, u është propozuar bashkëpunimi me organet e sigurimit dhe s’kanë pranuar. Po si mund t’i thyenin atëherë? U merrnin bashkëshortet apo vajzat e tyre të rritura dhe ua përdhunonin para syve. S’ka prokuror të afrojë masën e dënimit për dhunuesit, s’ka gjykatës që mund t’i ndëshkojë, sepse këto krime s’i ngre asnjë kandar drejtësie.

 

Do afroj tani një gjykim intelektual, sjellë mjeshtërisht nga një lirik i shquar shqiptar. Krali pret t’i shkojë te shtrati më e bukura ndër gra. Pleqtë shekullorë s’dinë ç’të bëjnë. “Kutitë hidhur hapin, mbyllin/ As kundër dot, as pro/ E shpata zbret të pyes myllin/ E mylli thotë “Jo”.

 

U gjet një zgjidhje. Vetë ajo shkoi te Krali, jo për t’u argëtuar me të, por i preu kokën dhe ua hodhi burrave të fshatit para këmbëve. “E djepi shkon të pyes varrin/ E varri thotë “Mos!”/ I urti shkon pyet të marrin/ I marri dot s’vendos”.

 

Jemi në kushtet që të vdekurit s’i ringjallim dot për të marrë shpagim. Po çfarë duhet atëherë? Një mal me prova ua hedh Agroni para këmbëve. Askush s’ka veshë të dëgjojë dhe sy për të pare. Po a ka të drejtë Agroni? Sigurisht, të drejtën e ligjit dhe të zotit…

 

Po gjykimi ligjor cili është; për pushkatimin moral, vrasjen shpirtërore, rrënimin ekonomik, prangosjen e fjalës? Ah, sikur të mbroheshin nga ligji dhe të varfërit, ata që s’kanë pushtet, prona dhe punë! Po ligji është në dorë të Maliqit, mor zotni. Flasim për shtet ligjor, jo për shtet të së drejtës. Këtë të fundit e gjeni në Perëndim, jo këtu.

 

Në Amerikë, para ligjit përulen si para zotit, nga Presidenti deri te pastruesi. E dini ç’ndodh me biznesmenin nëse flak pa arsye të punësuarin e tij? Merr një gjobë marramëndëse që s’e ngre më kokën. Nëse guxon të ngrejë zërin dhe t’i drejtojë dorën, atëherë burgu i afrohet tek dera e shtëpisë.

 

Tek ne të drejtojnë armën dhe të poshtërojnë, të flakin në rrugë si një qen, sepse atyre s’u hyn gjemb në këmbë. Ata që ulërasin përballë viktimës së tyre, nuk kanë arsye të tremben. Po pse ngrenë zërin, mund të pyesni? Që t’i dëgjojnë ustallarët e tyre matanë trojeve tona, për t’u thënë atyre që Shqipëria është e ndarë dhe e përçarë, siç e dëshironi ju. Mbase kjo është edhe dëshira e Evropës. Vetëm kaq.

Atyre s’u dhimbsen dëshmorët, as Mëmëdheu. Agronin e akuzojnë për plagjiaturë në punimin e doktoraturës. E këto të fundit në vendin tonë s’i lexon njeri, askush s’i merr në konsideratë. Më vjen keq që ka humbur kohën me këtë punim, ndërkohë që mund të kishte shkruar një vëllim të ri poetik që vlenë sa 10 doktoratura, ose kishte përkthyer një tjetër vepër të letërsisë europiane për lexuesin shqiptar.

 

Tjetër gjë më shqetëson lidhur me Agronin dhe institucionin që ai drejtonte. Qëndrimi ndaj dëshmorëve të atdheut. Çelo Hoxha ka shkruar një libër, ku i cilëson luftëtarët e lirisë si vrasës. Të gjallë e të vdekur futen në një thes. Komisarët dhe komandantët që vrojtonin luftimet me dylbi dhe jepnin urdhëra, njehson me partizanët.

 

Jemi në kushtet që bijtë e drejtuesve të djeshëm vazhdojnë të jenë edhe sot në krye të shtetit dhe politikës. Atëherë, si dhe ku ta kërkojmë drejtësinë? Kur t’a hipën kadiu, s’ka kush ta bën davanë, thotë populli. Natyra u ka dhënë të urtëve mënçurinë, ndërsa fodullëve egoizmin. Asnjëherë s’kam fyer inteligjencën e të tjerëve.

 

Në Labëri thuhet se, duhet të të pjellë Xhikua që të bëhesh Çelo. Po historinë e gjykojnë të urtët dhe sojllinjtë, more zotërinj, jo inatçinjtë. Pastaj, pena është e rëndë, shumë e rëndë, s’mund ta ngrejë kushdo, veç të zgjedhurit nga zoti për të shkruar gjuhën e tij.

 

Për paralelizëm po ju sjell një tablo të shkurtër nga gjyqi i Nurenbergut. U ideua në vitin 1945 nga amerikanët dhe u drejtua nga katër shtete fituese; SHBA, Anglia, Rusia dhe Franca. U miratuan katër pika të aktakuzës; krime kundër paqes, komplot, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. U dënuan 22 drejtues të lartë të Rajhut për 50 milionë viktima. Ushtria gjermane s’u cilësua si organizatë terroriste, por u konsideruan krimet e saj te luftës.

 

Ja pra, Ushtria Nacionalçlirimtare s’mund të cilësohet si organizatë terroriste. A ka bërë krime? Sigurisht. Ato duhet të evidentohen bashkë me urdhruesit dhe ekzekutorët e tyre. Vëmëndjen e artit, përfshi edhe historinë e meritojnë humbësit, jo fitimtarët. Humbësit tanë më të mëdhenj janë luftëtarët e lirisë, martirët e saj. Ndaj eshtrat e tyre s’duhet t’i lëndojmë, sepse fyejmë kështu edhe kujtimin e të gjallëve dhe i fryjmë zjarrit të urrejtjes. Ende duhet të luftojnë shqiptarët me njëri – tjetrin?

 

Shikoni si na qeshin dhe na përqeshin pushtetarët dhe politikanët! Zonjat e tyre na përmjerrin mbi krye tek fluturojnë me avionët çarter në qiellin shqiptar. Dhe turmat i duartrokasin dhe adhurojnë. Askush nuk është i lirë në mos e meritoftë.

 

O perëndi, çfarë ironie! Intelektualët heshtin. Ata janë pasqyra e ndërgjegjes kombëtare. Pas këtij qëndrimi ngrihen pyetje pa fund. Vallë, si mundi mesjeta të kthehet mes nesh dhe mbi ne? Edhe Rilindasit e vërtetë janë humbësit që meritojnë shumë e që ne ende s’i njohim mirë. A nuk është poshtëruese, që me emërin e asaj lëvizje kombëtare të etiketosh një lëvizje të re politike të ngjajshme me atë të xhonturqve?

 

Partia që drejtonte Hitleri fillimisht quhej Parti e Punës, si PPSH-ja jonë, më vonë u quajt socialdemokrate. Hitleri dogji Rajshtagun për të përligjur luftën. Politikanët tanë kanë djegur Shqipërinë për të rrëmbyer kolltukët e privilegjeve, disa herë.

Shikoni flamujt e partive politike, ngjajnë si lecka para flamurit tonë kombëtar, aq madhështor. “O flamur gjak, o flamur shkabë/ O vend e vatër, o nënë e babë/ Lagur me lot, djegur me flakë”. Partitë ndryshojnë vetëm nga emrat, jo nga bindjet, ndërsa programe s’kanë fare. Heronjtë e rremë veshën pardesy të bardha për të qënë ndryshe (në dukje) nga partia mëmë, prej së cilës dolën. Partitë janë gjithmonë bashkë për të bërë ligësitë këtij vendi dhe këtyre njerëzve. Pse s’u krijua një parti politike, përfaqësuese e atyre që u kalbën në burgjet e diktaturës dhe kampet e interrnimit?

 

Mendoni një herë, pse s’është organizuar një Nurenberg shqiptar për shekullin e fundit; për krimet e komunizmit, për ligjin 7501, për zaptimin e trojeve me varreza pushtuesish, shitjen e detit, për ngjarjet tragjike të vitit 1997, për firmat piramidale që rrënuan ekonominë e shqiptarëve, për tragjedinë e Gërdecit, për grabitjen e nëntokës e mbitokës, për shkatërrimin e sistemit arsimor në Shqipëri, etj. Përse vallë?

 

Partia Demokratike e pati kohën e bollshme për ta kërkuar me forcë një gjë të tillë. Amerika na ka mbrojtur në kohë kritike, dhe do na mbrojë, por Shqipërinë duhet dhe mund ta ndërtojnë vetëm shqiptarët. Në disa universitete europiane, vajza dhe djem shqiptarë drejtojnë katedra prestigjioze. Ata janë inxhinjerë, filozofë, sociologë, jurist të suksesshëm, por mbi të gjitha janë shqiptarë. Sa vajza dhe djem të tjerë kanë studiuar në Perëndim? Shumë dhe me rezultate të larta.

 

Këta do e bëjnë Shqipërinë. Jam i bindur për këtë. Paçka se ende s’përfillen nga politikëbërësit, s’kërkojnë angazhimin e tyre për projekte zhvillimi, ide dhe plane konkrete.

 

Ja çfarë i shkruan Presidenti Klinton shqiptarit mendjendritur Isuf Luzaj: – “I nderuar Profesor! Familjarisht të jemi shumë mirënjohës, unë, zonja ime dhe vajza”.

 

Personalitete të politikës botërore kërkonin konsulencën e tij. Partia Demokratike s’i afroi as vendin e Ambasadorit të Shqipërisë në OKB. Sa keq! Mendoni se çfarë krizash do kishte zgjidhur ai.

 

Evropa ndërtohet edhe këtu ku jemi. Na e bënë të huaj vendin tonë, këto politika klienteliste me interesa meskine. Shteti drejtohet me vullnet të hekurt, jo me arbitraritet dhe përdhunë. Shikoni pra, sa e rëndësishme është që shqiptarët ta duan dhe ta falin njëri-tjetrin, t’i drejtohen arsyes, të ruajnë kujtesën dhe të adhurojnë të vetmen perëndi, Atdheun.

 

 

Tiranë, Dhjetor 2019