Sadik Bejko: Nderim për Vexhi Buharanë

Sadik Bejko: Nderim për Vexhi Buharanë

 

Sadik Bejko

 

 

 

Nga fillimi i vitetve ’60 në Berat, te lagjia Murat Çelepie, brenda dyqanit të berberëve te një kthinë njeriut pas xhamit i kisha paguar paratë, kisha marrë faturën e po mbaja radhën të qethesha. Një grua e moshuar hynë dhe i përkulet njeriut pas xhamit, do t’i puthë dorën duke i pëshpëritur nën zë Myfti efendi, Myfti… Burri me shtat të dobët nëpunësi u shkëput prej saj me droje dhe e nxori jashtë plot urtësi.

 

 

Ky faturist i dyqanit të berberëve, ish-myftiu i qytetit na ishte Vexhi Buharaja. Aty e pashë, dëgjova për të për herë të parë.

 

 

Më vonë lexova se atë e çmonin E. Çabej, A. Buda etj. Ishte bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Historësë.

 

 

Vexhi Buharaja (1920-1987) njihet si poet, përkthyes, orientalist me kontribute për kulturën shqiptare.

 

Qe njeriu që jetoi e punoi nën diktaturë dhe erdhi tek ne si gamilja që përshkon udhën e gjatë nëpër shkretëtirë. Barrët e arta të shekujve orientalë i barti, i solli, i shkarkoi tek ne . Gjylistanin e Saadiut, Ëndërrimet (Tehajulat) e Naimit… Dhe iku larg, u fsheh prapë nën retë e ndritshme e të padukshme të pafundësisë.

 

Tërë kohën jetoi e punoi nën hije si prushi nën hi.

 

Kam pasur rastin ta njoh, ta takoj, kam folur me të, kam thithur të njëjtin ajër; të njëjtat valë lumi shushuritëse a të turbullta të Osumit kanë prekur membranat në veshët tanë. Asgjë më shumë.

 

Berati që nga shekulli i 6-të ruajti kodikun Beratinus, një fanitje e shenjtërisë, e ylbereve me frymë, shkronjë dhe fytyrë të dritës bizantine.

Onufri i “qytetit shumë të ndritshëm”, Beratit, është sot pasuri botërore nën strehën e Uneskos…

 

 

Me Vexhi Buharanë Berati shkoi në shekullin e 11-të te gjeniu Persian Firdusiu.

 

Një mrekulli…ky kryqëzim kulturash.

 

Midis është dhe Nezim Berati, Nezim  Frakulla, Ismail Pashë Velabishti e të tjerë, e të tjerë…

 

 

Thesaret, misteret, e të shkuarës i shërbejnë të sotmes…me mrekullinë e së padukshmes. Me mrekullinë e së përjetshmes.

 

Vexhiu ishte poet në vitet ’30, ndaj i solli aq mirë poetët persianë.

 

Si pedagog në Filologjik, Yzedin Himës i kam bërë një recencë doktoture mbi V. Buharanë. Aty u njoftova me fakte e vlerësime të panjohura… për të paharruarin  Vexhi Buharaja.