Sefedin Çela si çelës për kuptimin e një brezi idealistësh

Sefedin Çela si çelës për kuptimin e një brezi idealistësh

Shënim i botuesit

 

Naim Zoto

 

Ka libra që botohen me kërkesë të autorit, d.m.th., për qejf të tij; por ka edhe libra që botohen edhe për qejf të botuesit. Kështu ndodhi me librin “Ku po shkon pa dashuri” të Sefedin Çelës. Është një libër i veçantë jo thjesht nga pikëpamja formale e lëndës që përmban, por, sidomos, nga cilësia e kësaj lënde dhe, për më tepër, nga polivalenca e tekstit, e cila thyen kufijtë midis dy ndarjeve të mëdha të literaturës: Fiction dhe Nonfiction. Dhe këtë bashkëjetesë, ku arti përjetohet si realitet dhe realiteti si art, mund ta servirin vetëm mjeshtërit.

Edhe pse në pamje të parë dukeshin si esse personale apo miqësore, pra, për shpirt të vet si të thuash, detajet, informacioni, personazhet reale apo historitë e tyre të jashtëzakonshme, mesazhet, stili dhe kultura e të shkruarit meritonin një tribunë tjetër. Hezitoi fillimisht, duke e shtyrë disa muaj miratimin e kërkesës me merakun nëse vlente a jo. Ky ngurim nuk lidhej me cilësinë e penës së tij prej mjeshtri, por me dilemën profesionale dhe morale të një gazetari profesionist për t’u ritakuar me publikun.

 

Sefedin Çela i takon gjeneratës së viteve ’70, një brezi që jetuan, njohën dhe punuan në dy epoka, në dy sisteme, gati në dy botë të ndryshme, madje, që duan e hakmerren ndaj njëra-tjetrës:

 

Ja si shkruan vetë autori në një letrat e sëndukut ku mblon kujtimet: “Në asnjë rast nuk kam zgjedhur ku të punoj; kam shkuar atje ku është dashur të punojNë gati 40 vjet punë, thuajse tri të katërtat kam bërë gazetarin apo menaxherin në media. Shkurt, kam nxjerrë bukën e gojës nga fjala. Kthej kokën pas e mund të them se nga fjala; sa e si e kam thënë, nuk kam ngrënë  turpin me bukë. Sipas pasqyrës, ku shihem shkaras kur rruhem, kam hundën që kam pasur, jo të Pinokut”.

 

Si njëri prej brezit më të ri të gazetarëve, pra, të viteve ’80, kam pasur fatin të punoj e të njoh nga afër me disa nga gazetarët e viteve ’70: Arshin Xhezo, Xhevahir Spahiu, Spiro Dede, Çapajev Gjokutaj, Shaban Murati, Llazar Vero, të cilët më të rinjve u kanë mësuar jo vetëm profesionin, por sidomos dinjitetin profesional. Disa prej tyre lexuesi do t’i gjejë të përshkruar aq bukur dhe aq saktë në këtë libër të Sefedin Çelës.

 

Të gjithë këta emra të përveçëm të gazetarisë shqiptare të sipërpërmendur, natyrisht, përfshi edhe autorin e këtij libri, nuk janë të përveçëm vetëm për shkak të gramatikës dhe ADN-së, por edhe të stilit të tyre në të shkruar. Të krijosh, të kesh stilin tënd në gazetari është shumë më vështirë së në çdo formë tjetër të të shkruarit.

 

Kur lexon shkrime të nënshkruara nga këta emra nuk gjen vetëm informacion, këndvështrim, opinion; nga këto shkrime nuk mbushet vetëm njëra hemisferë e trurit, por edhe zemra. Thënë më shqip: lexuesi emocionohet, zbukurohet, fisnikërohet. Në këto shkrime nuk është nevoja të vihet emri, sepse autori vetidentifikohet përmes stilit të shkruarit. “Dëgjoj mirë kur kuptoj mirë, dëgjoj edhe më mirë kur ndjej mirë…”, shkruan Sefedin Çela.

 

Kanë qenë me fat ata që e kanë pasur apo që ende e kanë afër apo në krah një njëri si Sefedini. Ca më shumë ata për të cilët ka shkruar ai. Duke e njohur shumë vonë, vetëm me rastin e botimit të këtij libri, unë nuk e kam pasur këtë fat. Sepse, siç e ka shkruar aq me elegancë e bukuri për dikë këtu në libër, vetë Sefedini është “nga ata që më mirë ai kesh se sa të të ketë mik”. 

Dita e parë, përurimi i ngushtë: Botuesi Naim Zoto, redaktori Zylyftar Hoxha dhe autori Sefedin Çela

 

 

Libri “Ku po shkon pa dashuri” i Sefedin Çelës është i një lloji të veçantë jo thjesht nga pikëpamja formale e lëndës që përmban, por nga cilësia e kësaj lënde dhe ca më shumë nga polivalenca e tekstit, e cila thyen kufijtë midis dy ndarjeve të mëdha të literaturës: Fiction dhe Nonfiction, thënë shqip midis një vepre që vjen/lind prej imagjinatës dhe një vepre që përshkruan ngjarje reale, të jetuara nga autori apo prej të tjerëve.

 

Sefedin Çela sjell kujtimet dhe përjetimet e tij, ngjarje e njerëz që i ka parë me sy e dëgjuar me veshë. Por këto ngjarje edhe pse janë krejt të verifikueshme; ngjarje e persona reale, të afërm, miq apo kolegë e shokë të autorit janë përshkruar e portretizuar aq bukur, aq saktë dhe aq me dashuri sa nuk mund të mos emocionohesh e tronditesh shpirtërisht dhe estetikisht sikur të gjendesh në mediumet e artit.

 

Dhe këtë aliazh, simbiozë, këtë bashkëjetesë ku arti përjetohet si realitet dhe realiteti si art mund ta servirin vetëm penat e mjeshtërve. Ka estetë dhe studiues të literaturës që  këtij narracioni Non-fiction i referohen si Non-fiction krijues. Dhe këtë arrin ta bëjë Sefedin Çela, ku detajet dhe personazhet duket i ka prej gazetari, kurse atmosferën, frymën, humanizmin, lirizmin prej shkrimtari.

 

Gjithsesi, ky nuk është një libër një rrëfim që buron nga imagjinata, por mjeshtëria e autorit është e tillë që e kthen ngjarjen reale, një person real në një subjekt arti që lexuesi apo dëgjuesi do të donte ta kishte siç kërkohen suveniret, veprat e artit; t’i kesh në shtëpi, në bibliotekë. Ose, akoma më thjesht, në lexime të të tilla njeriu kërkon të jetë ai, t’i ngjajë atij, të ketë dhembshurinë apo fatin e tij. Por ndodh që edhe në rastet kur jeta apo realiteti janë arti vetë, veç duhen zbuluar. Këtë bën autori i këtij libri.

 

Shkrimet e Sefes (kështu i thërrasin shumë miq dhe shokë), nuk i fut dot në një kallëp, në një gjini apo kategori të përcaktuar nga estetët. Madje, edhe kur mund të gjesh një kallëp, për shembull, t’i quash reportazh, portret, skicë a tregim i jetuar menjëherë konstaton se te i njëjti tekst interferojnë apo ngjizen disa kategori.

Kjo larmi e ku formatit gazetaresk i vijnë në ndihmë letërsia, gjuhësia (sidomos njohja e të folurës, leksikut dhe sintaksës së posaçme që i jep nuanca kuptimore dhe ngjyresa të caktuara apo leksikut përkatës), posaçërisht historia (e sjellë përmes detajesh lokale), por shpesh edhe nuancat e kundrimi filozofik i japin librit një vlerë të posaçme duke dëshmuar aftësitë dhe formimin sipëror të autorit.

 

Sefedini shkruan për vendlindjen, për fatin e babait, për nënën, gruan, për shokët apo miqtë e vet, për vendlindjen, por nuk gjen aty as shenjën më të vogël të shtampës, rutinës apo banalitetit që kanë përgjithësisht botimet që hapërdahen sot për heroizmat, trimërirat, lavditë apo persekutimet pa fund të X fisi apo Y patrioti.

 

Përkundrazi, kur ju do të  lexoni rrëfimet e Sefedin Çelës për njerëzit, historitë e tyre që janë njëkohësisht edhe histori të tij, ato përcillen me një mënyrë të atillë që përftohen edhe si histori të tuat, si histori e vendlindjes tënde, madje më gjerë se kaq, pra, të njeriut si qenie humane, dmth, pavarësisht nga lidhjet, relacionet formale. Nuk flitet në këtë libër për “luftëra dhe fitore”, as për “partizanë e ballistë”, por është krenar që mban emrin e babit partizan.

 

Në shkrimin për familjen dhe fshatin e tij, fshehur diku (nuk i gjendet emri, besoj, as në hartën e krahinës), mot e jetë me 13 shtëpi, zbulohen ngjarje, njerëz dhe detaje historike që mund të rindërtosh jo vetëm historinë e vetë Skraparit, por edhe të Ballkanit dhe Evropës, po deshe. Luftërat ballkanike por edhe ato botërore kanë lënë gjurmë edhe në Polenën sa një tabaka kafeje. Lexojeni dhe do të mësoni shumë me tepër se Facebook-u i Zukerbergut.

 

Libri i S. Çelës ka diçka që kohës së sotme i mungon ose po i shteron me shpejtësi. Te libri i Sefes dashuria, lirizmi, dhimbja shfaqet në të gjitha regjistrat a raportet mundshme dhe në të gjitha format që shfaqet; që nga ajo e zërit, emocioneve; në të gjitha notat muzikore dhe gërmat e shqipes.

 

Madje, më duket sikur estetizohet edhe humbja, vdekja; trajtohet si një flijim antik. Një dashuri që nga lindja, madje që nga gjeneza, deri te humbja e saj; në të gjitha raportet: at/bir, nënë/bir nënë e at/bir; grua/burrë, nuse/vjehërr, nuse/vjehrrë. “Bota e sotme sikur është zvjerdhur nga kjo ndjenjë delikate në dukje, po që mund të jetojë edhe nën hi, e pashuar kurrë, si një shpresë që dikur vjen me një fuqi që të ringre nëse përkohësisht je rrëzuar. Materializmi i sotëm, që ka tronditur thellë marrëdhëniet njerëzore në komunitet, të familjes; marrëdhëniet në çift, marrëdhëniet prind-fëmijë, nuk ka zëvendësuar dot nevojën për dashuri, për një sup ku të mbështetesh, sepse kjo nuk ka lidhje me xhepin plot e stomakun plot, nuk është servis ku shërbehesh në këmbë”.

 

Nga njerëzit te bimët e kafshët, nga lindja deri te vdekja, nga triumfi e kapja e qiellit me dorë te humbja fatale e saj, më saktë transformimi i kësaj dashurie në një bukuri jo që vret, por humbja e saj e mban gjallë njeriun si dëshmi e kujtesës dhe e vazhdimësisë njëkohësisht: “Nuk lind e bëhesh burrë a bëhesh grua, bëhesh prind, gjysh a gjyshe pa dashuri. As nuk vdes pa dashuri. Është dhimbja në mes, një binom që të shoqëron gjithë jetën e që e bën atë jolineare; me diell e me shi, me katër stinë”.

 

Ligjërimi, stili i shkrimeve të tij është po ai që ka qenë e njohim te jeta e Sefedin Çelës: urtësi dhe bukuri si diçka prej Naim Frashërit. Autori e identifikon veten te tjetri ose përmes tjetrit: ai flet rrallë ose nuk flet fare për veten.

Duket sikur gjithë jetën ka marrë dhe nuk ka dhënë mësime. Ai don t’u ngjajë të tjerëve dhe jo t’i ngjajnë atij. Por këtë e bën aq bukur me aq stil sa e bën lexuesin, bashkëbiseduesin të bëhet pjesë e garës, lojës për vetëpërsosje përmes tjetrit. Dhe ky “tjetri” mund të jetë edhe vetë autori, babai, nëna, motra, gruaja, motra, kolegu, shoku, vartësi a shefi i tij.

 

Ja si e përshkruan piktorin Stefan Beruka: “Ishte i sjellshëm e i gatshëm për të t’u gjendur; nga ata që është më mirë t’i kesh se sa të të kenë mik”. Kjo fjali është në thelb stili dhe, njëkohësisht, kodi moral i Sefedin Çelës. Çdo fjali ndërtohet me dy gjymtyrë: pjesa e parë është një detaj, kurse pjesa e dytë ka një sentencë me fuqi e ngjyresa filozofike. Kur tregon nuk i referohet dikujt apo të imitojë dikënd.

 

Flet për atë që njeh vetë dhe si don vetë. “T’i shikosh gjërat filozofikisht, me një dozë vetë-ironie, them se të bën mirë për shëndetin e të mbush  njëzet e katër orëshin e gjatë prej pensionisti”.

 

Dhe, së fundi, duke iu referuar arketipit të krijuar për skraparllinjtë, gjoja si njerëz të rrëmbyer, Sefedin Çela rezulton një skraparlli atipik; duket se është dhe nuk është nga ato vise ku domonojnë rripat, rrëpirat, jeta e vështirë, polt sakrifica e e të sakrifikuar. Përkundrejt kësaj edhe paragjykimeve; ku gjejnë mundësi dhe hapësirë, kur nuk i pengojnë a kapërcejnë “Urën e Qabesë”, ankthin e mbijetesës, këta njerëz shfaqin thelbin e vet; skraparllinjtë janë njësoj si gjithë shqiptarët; madje vetësakrifikohen, duke u bërë modele për humanitet dhe art. Këtë e dëshmon qartas jo vetëm pena, por edhe jeta e autorit të këtij libri.

 

 

V.O:

 

Të gjithë dashamirësit dhe të interesuarit për botimet “Naimi” mund të kontaktojnë për blerje direkt në adresat tona të rrjeteve sociale; në emrin tim ne fb, instagram ose permes telefonit cel., duke përfituar nje ulje çmimi.

 

Botimet Naimi i gjeni, gjithashtu, në librarite e “Adrion” (në Pallatin e Kulturës etj.), “Albas” (përballë monumentit tek “Partizani i Panjohur”), “M&B” (përballë hotel “Vila Verde”, pranë “Selvisë”), te distributori i “Reklama” (Ali Lleshi), librarite “Albania”, “Dita”, “Art’s Library” te ish-Stacioni i Trenit, tek “Librari Tirana e Re” (Rr. “Abdyl Frashëri”), libraria pranë gjimnazit “Q. Stafa”, Tiranë, si edhe në të gjitha libraritë e rretheve.

 

Në Kosovë botimet tona do t’i gjeni te librari “Artini” pranë Universitetit të Prishtinës, librari “Dukagjini”, Prishtinë, “Altera” në Prizren.

 

Mund ta porosisni edhe te www.botimenaimi.com ose direkt tek faqe e botuesit Naim Zoto në Facebook, duke përfituar ulje çmimi.

Librin mund ta blini edhe te platformat digitale të librarive si www.bukinist.al. Telefononi me mesazh ne inbox ose https://www.facebook.com/zoto1959 per cdo informacion shtese: 0692098212

Naim Zoto

www.botime.com