Servet Zaloshnja, një figurë simpatike dhe e dashur nga populli / Gazeta “Besa”, për ceremoninë e varrimit të Servet Zaloshnjes, 16 tetor 1931
Fier 15 Tetor 1931. Servet Zaloshnja.
Sot vdiq Z. Servet Zaloshnja, kryetar i komunës së qendrës.
Ay grusht patriotësh, që kanë marrë pjesë aktive në lëvizjet për lirimin e atdheut, duhet të derdhi dy pika lot mbi varrin e këtij patrioti të çquar.Servet Zaloshnja, i ritur mi hijen e Tomorrit plak e të shejtë, kur ish dyke mbaruar mësimet e gjimnazit në Berat, e thirri trumbeta e lirisë dhe e vetqeverimit të Shqipërisë dhe e ftoj të marr malet e të çaj Tomorrin e Ostrovicën dhe si kryetar i çetës të kërkojë lirinë e truallit të tij të dënuar me vdekje prej gjykatës Turke.
Servet Zaloshnja, i dyti nga e majta; në mes Mahmut Zaloshnja
Si kryengritës, kundër shtetit Turk, këtë trim djalosh as e trëmbi as ia preu kuximin se ay, këtë luftë të shenjtë të filluar më 1905 e vazhdoj deri në shpalljen e konstitucionit turk, kur u kthye në vatrën e tij me shpresë se do të fillonte një jetë e lirë dhe e re për kombin shqiptar.
Por masi kjo shpresë mas kohe fluturoj, Serveti, më 1910-1911 me gjithë shokët mori prapë malet e vazhdoi luftën, gjer sa mori fund kryengritja kombëtare. Sapo arrinte Ismail Qemali në Vlorë, ay u zgjodh si një nga delegatët e Beratit dhe mori pjesë në Kongresin e Vlorës në 28 Nëntor të vitit 1912.
Në kohën e kryengritjes rebele Serveti luftoj kudo q’e thirri zëri i atdheut.
Më 1918 u zgjodh delegat i Beratit në Kongresin e Durrësit, ku bashkë me shokët e vendosi formimin e Qeverisë provizore nën kryesinë e Turhan Pashës.
Kur vepra e delegacisë së Durrësit u kuptua e dëmshme, për interesat e atdheut, ay u bashkua në Tomorricë me Meleq Frashërin e Xhavit Leskovikun dhe shtëpinë e tij në Zaloshnje e bëri folenë e gjithë patriotëve të ikur nga Korça, ku vëndosnë bazat e para për një luftim të ri dhe sistematik, dyke bërë Kongresin Historik të Lushnjes.
Gjatë jetës, Serveti, pa lakmuar për ofiqet e larta, veproi si sekretar nënprefekture, si krahinor,si zëvëndës nënëprefekti dhe më në fund si kryetar komuneje këtu në Fier, ku me sjelljet e tij korekte e fisnike kishte fituar simpathinë e dashurinë e gjithë popullsisë, e cila sot bashkë me natyrën po e vajtojnë humbjen e tij, në një moshë të re.
Servet Zaloshnja, më 1920, nënprefekt i Fierit
Varrimi u bë sot me një ceremoni solemne ku mori pjesë gjithë populli dhe autoritetet . Mbi varrin iu vunë tri kurorë, njëra nga familja e të ndyerit, tjetra nga nënprefektura prej zotit Kristo Koçi, dhe e treta nga grupi i nëpunësve.
Mbi varrin foli, tue pikëllue gjithë gjendjen, Zoti Kristo Koçi .
“Besa” me pikëllim mer pjesë në këtë zi dhe i paraqet ngushëllimet e saj familjes e të afërmëve të të ndyerit.
Korespondenti
“Marrë nga gazeta “Besa”, gazetë politike e përditëshme, e dates ( 16 e Premte ) Tetuer 1931