Shaqir (Çela) Kapinova, gjenerali pa spaleta

Shaqir (Çela) Kapinova, gjenerali pa spaleta

Zylyftar Hoxha

 

Megjithëse i vogël, por me një natyrë kurioze, kur kam qenë në Çorovodë në konvikt, në vitet ‘60, krahas shumë të tjerëve kam njohur edhe Shaqir Kapinovën. Nuk mund të them tamam se e kam njohur, se unë isha 12-13 vjeç, por e kam ndjekur me kërshëri dhe kuriozitetin e një fëmije.

 

 

Shaqiri ishte një nga pesonalitetet më të njohur dhe më karizmatik të atij qyteti të vogël.  Kishte dalë në pension dhe rrinte gjjithë ditën në klub me Selim Kolecin, Xhevo Çepanin, Abaz Rogun, Zeko Zabërzanin, Muharrem Qafokun, Qani Naçon etj.

 

 

Megjithëse nuk provoi grada e spaleta mbi supe, ai si luftëtar i disa periudhave historike, edhe i Luftës së fundit, deri sa vdiq  u rrethua nga kërshëria si ndaj një gjenerali, nga dashuria, respekti i veçantë që kishte populli i asaj krahine për patriotët dhe luftëtarët e vërtetë, siç ishte ai.

 

 

Sa herë që dilte në pazar nuk harronte të vinte në gjoks dekoratat e Luftës, një patllake të madhe me këllëf të trashë lëkure në brez dhe një sakature (thikë e madhe) me këllëf në kallca (çorape leshi të gjata gjer në gju), një mënyrë impozante, më shumë se sa pjesë e karakterit të tij, e imponuar.

 

Pse themi e imponuar. Sepse, i vinte inat kur shihte se disa djem, mustaqe pa dirsur, për të mos thënë “çapaçulë”, që nuk e kishin shkrepur në luftë se kishin qenë fëmijë, kishin mbushur administratën dhe kapardiseshin me çizme ushtarake, pantallona qëllota prej stofi oficeri sovjetik dhe kobure të vogla tip “Bereta” a “Barabel” me ca këllëfë që i quanin verorë dhe që zbulonin pjesët më të frikshme të armës, qytën dhe tytën dhe që i mbanin dukshëm në brez.

 

Megjithëse kjo mënyrë veshje ishte modë e asaj kohe, xha Shaqirit përsëri nuk i vinte mirë.

 

 

Ne konviktorët shkëmbeheshim tri herë në ditë me të, kur shkonim për në shkollë, pasi e kishte shtëpinë pranë konviktit tonë. Kishte shumë fëmijë dhe dy gra, Minen nga Krushova dhe Nuken, një grua, më duket mirditore, jetime, njeri pa njeri, që kishte gjetur të braktisur në rrugë të madhe gjatë inkursioneve të tij luftarake në Veri të Shqipërisë.

 

 

U kishte thënë të gjithëve se do ta mbante për grua, por Nukja nuk bënte fëmijë dhe ai mori Minen që i mbushi plot oborrin.  Por ajo që ishte më e bukura dhe interesantja ishte se fëmijët më shumë se Minen që kishin dalë nga barku i saj, donin Nuken dhe atë quanin nënë. Nukja ishte njeriu më i rëndësishëm dhe më i respektuar në atë shtëpi.

 

 

Unë i kam ditur këto gjëra të brendëshme të familjes së Shaqirit, pasi, në radhë të parë familja ime kishte lidhje miqësore më familjen e tij, por edhe sepse, unë kam patur në shkollë dy fëmijët e Shaqirit, Teftën (ndjesë pastë), ikonë bukurie e qytetit në atë kohë, dhe Kujtimin, të cilin e kam një nga shokët më të vjetër dhe më të vyer timin edhe sot e kësaj dite.

 

 

Ky ishte “Shaqiri i Paqes”, po “Shaqiri i Luftës”?

 

 

Kishte lindur në vitin 1893 në Kapinovë të Skraparit, në një familje me tradita atdhetare. Që në rini u frymëzua dhe ndoqi rrugën e patriotëve të shquar të asaj ane, si: Lace Backa, Muço e Avni Kapinova, Shefit Krasta, Riza Kodheli, Sinan Leshnja, Tahir Guri, Sulejman Qafa, Nuri Vlusha, Asllan Ososja etj.

Ai mori pjesë në ngjarjet e mëdha historike, ku vendoseshin fatet e vendit. Të tilla kanë qenë lufta kundër andartëve grekë më 1913 – 1914, kur Shaqiri ndodhej në Kolonjë e Leskovik; më 1919 -1921 në Devoll; në sigurimin e Kongresit të Lushnjes me forcat e tjera të Skraparit; në Revolucionin e Nolit në vitin 1924, pas të cilit u burgos dy herë si antizogist.

 

Gjatë Luftës Antifashiste ai mori pjesë aktive dhe luftoi me trimëri dhe koseguencë deri në çlirimin e vendit. Me formimin e çetës së parë përtizane në mars të vitit 1942, Shaqiri ishte ndër të parët. Si luftëtar i vjetër e me përvojë mori pjesë në shumë aksione luftarake, si në çarmatosjen e milicëve në Mëlovë në gusht të vitit 1942; në çlirimin e Çorovodës më 5 shtator 1942; në aksionin kundër italianëve në Kuqar të Përmetit në korrik 1943; në kundërsulmin kundër forcave balliste në Qafn e Backës më  30 dhjetor 1943 etj.

 

 

Shaqiri u ngarkua me detyra të rëndësishme si komandant kompanie në batalionin partizan “Riza Cerova”, komandant detashmenti dhe zëvendëskomandant i Komandës së Vendit në Skrapar.

 

Pa mbaruar lufta, kur Skrapari ishte zonë e lirë, bashkë me Sulo Lile Koprënckën, u vunë në krye të Komandës së Vendit me efektivë të forcave territoriale partizane, duke luajtur rol të madh në ruajtjen e rendit e të qetësisë publike në të gjithë krahinën.

 

Pas çlirimit u ngarkua komandant vendi në Lushnje në vitet 1945 – 1946’ pastaj kryetar lokaliteti në Potom, anëtar i këshillit popullor të rrehit të Skraparit, anëtar i Komtetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të Skraparit.

 

Gëzoi këto Urdhra dhe Medalje: Urdhrin “Për veprimtari patriotike” klasi II; Medaljen eKujtimit, Medaljen e Çlirimit; Yllin Partizan etj.

 

 

Por pavarsisht këtyre vlerësimeve, edhe sot kujtesa popullore e tërë zonës së Skraparit, ku ai veproi si komandant i Komandës së Vendit gjatë Luftës, e kujton Shaqirin si një luftëtar me përmasa legjendare për trimëritë, por edhe lidhjet e ngushta e shoqërore që mbante me njerëzit e thjeshtë.