Nuri Jaupi, piktori që me punë “pushtoi” kontinentet  

 Nuri Jaupi, piktori që me punë “pushtoi” kontinentet  

 Shtëpia pikturës ka mbetur pa “ngjyra”…

 

Hajri Nuhu

 

Ka më shumë se tre vjet që “shtëpia e ngjyrave” ka heshtur. Ajo ishte aty, në katin e parë të hotel “Antalia” në Plazhin e Durrësit. Ngjyrat janë tretur në ngjyrën gri të kohës që jetojmë. Po të gjithë, skraparllinj e durrsakë, miq e të njohur ndalojnë një çast në trotuar dhe kërkojnë me sy atë që mungon, galerinë “Tomorri”.

 

 

Ishte një stacion i bukur se brenda kishte art, kishte bujari.“Eh…Nuriu! – thonë me njër i- tjetrin. Iku papritur.

 

 

Ishe i këtij muaji dhe këto ditë kishte ditëlindjen. Do të mblidheshim tek ajo strehë e ngrohtë arti dhe do të bënim muhabet si nga anët tona. Koha la pas dhimbjen për një mik,për një shok artist, punëtor, njeri.

 

 

 

 

Një gjysmë shekulli pasion dhe punë…

 

 

Mjeshtëri i penelit u lind në Prrenjas, një fshat-lagje e Mëlovës. Një fëmijë që u rrit mes natyrës e një peizazhi mahnitës. Talentin nisi ta shfaqte me vizatimet e thjeshta. Shpesh “zhgarraviste” me thëngjill mbi pllakat e bardha të vendlindjes. Askush nuk e mendoi se falë pasionit e këmbënguljes ai do të shkonte larg.

 

 

Jetën e lidhi me Poliçanin. Aty u arsimua dhe punoi vite të tërë. Ekspozitën e parë e çeli në vitin 1961. Një ekspozitë modeste, por që bëri bujë. Që atëherë ai nuk u ndal edhe pse rrugën nuk e kishte të lehtë. Endërroi shkollën e mesme artistike për pikturë. Një shkollë që asokohe ishte me konkurim.Tri herë konkurroi Nuriu dhe për arsye absurde shkollën ia mohuan.

 

 

Zgjidhja për të mbeti puna me pasion për pikturën. Shkollë më vete për të ishte shërbimi ushtarak. E theksonte këtë fakt sa herë binte fjala për shkollën.

 

“Për dy vjet m’u dha mundësia të punoja pranë piktorëve të mëdhenj, Guri Madhi dhe Fatmir Haxhiu. U tjetërsova. Ata ishin për mua profesorët, ata bënë të më dukej vetja sikur isha në Institutin e Arteve….”

 

 

Piktorët e mëdhenj u befasuan me djaloshin simpatik që kishte talentin dhe formimin e një piktori të mirëshkolluar. Kurrë nuk e “mburrën” kot. E ndihmuan, e këshilluan. Piktorëve të njohur u mbeti mirënjohës deri në fund. Ata interesoheshin për të. Ishte një lidhje shpirtërore. Një lidhje artistësh.

 

 

Nuriu eci vetë. Me punë e këmbëngulje. Janë 26 ekspozita personale në pikturë që mbajnë emrin e tij. Në Poliçan, Çorovodë, Berat, Durrës artdashësit vlerësuan artin e tij. Mori disa çmime. Punoi kudo, pikturoi në nivele e dimensione të ndryshme.

 

 

Frymëzojnë pikturat murale “Ujëvara e Bogovës” dhe “Ura e Kasabashit”. Kjo tregon se tematika e punëve të tij kishte të parën vendlindjen. Magjepsej me bukurinë e malit të Tomorrit. Se ky mal i besimit frymëzoi shumë piktorë .Të parin Eduard Lirin e me radhë. E pikturoi në çdo kënd. Në studion e tij kishte dhjetëra foto të malit, të kanioneve, të Bogovës…

 

 

Se ai kishte pasion edhe fotografinë. Një kompozim me temë nga demonstratat e vitit 1981 në Kosovë mbart pathosin patriotik…E tillë është një pikturë për betejën e Qafës së Shkozës.

 

 

Por Nuriu më shumë ishte piktor i peizazhit. Frymëzuese për të ishte sidomos vjeshta. Pikturat “Motive të Tomorrit”, “Vallja e bjeshkës”, “Kroi i fshatit”, “Kënga e Malësisë”, “Në plazh” e shumë të tjera janë shprehje e talentit të tij.

 

 

 

Mes dy “dashurive” ….

 

 

Që nga viti 2006 Nuriu u vendos në Durrës. Gjeografia e punëve të tij u zgjerua. Bukurive të vendlindjes, ngjyrave të vendlindjes u shtoi “blunë” magjike të Adriatikut e të qytetit bregdetar. Nuriu jetonte mes Poliçanit dhe Durrësit. Në Poliçan ishin vitet e rinisë,rritja si artist, miqtë, shokët…Durrësi, porta e madhe e vendit, qyteti i kulturës e mirëpriti “i bëri vend” skrapalliut.

 

 

Mjeshtri i ngjyrave u bë injohur dhe i vlerësuar mjaft edhe në qytetin e Durrësit. Media lokale e kombëtare“zbuloi” tek Galeri “Tomorri” në Durrës njeriun e mirë e pasionant, propagandoi vlerat e veprave të tij.

 

 

Në vitin 2013 u pranua edhe anëtar i njërës prej Akademive Europiane të Arteve me qendër në Bruksel.

Miq e vizitorë vendas e të huaj u mrekulluan nga punët e Nuriut. Siç thoshte vetë, vizitor të veçantë kishte poetin e madh, Xhevahir Spahiun që i shkoi në galeri dhe mori pjesë në veprimtaritë që organizoi ai.

 

Mik për kokë kishte piktorin e mirënjohur Sulejman Prrenjasin. “Jemi nga një lagje,piktorë të një vendi që të bën artist, -thoshte.

 

Me bashkëfshatarin, piktorin Sulejman Përrenjasi

 

 

E paharruar vizita në galeri e ish-nxënësve të mësues Petref Therepelit nga Kërçova e Maqedonisë.

 

 

Punoi me dashuri edhe për portretin e mësuesit të madh. Mësuesit e shkollës “Naim Frashëri” e morën dhe e ruajnë si dhuratë të çmuar. Endrrën e tij për Akademinë e Arteve e plotësoi Oltjana, e bija, e cila është një piktore e talentuar.

 

 

Shumë piktura të të Nuriut morën udhën nga Australia në Zvicër, nga Belgjika deri në Suedi.

Punonte shumë. Njëherë një shqiptar i Maqedonisë që jetonte në Australi të kërkonte një portret të Mbretit Zog. Ai kishte ardhur me pushime dhe do ta merrte punën me vete në kujtim të gjyshit që kishte punuar oficer në mbretëri. Punoi me merak gjithë ato ditë. Një prezantim i një porteti në një kontinent të largët e me disaporë shqiptarësh të shton ankthin. Por portreti u pëlqye këtu dhe atje.

 

 

Fëmijë të qytetit të Durrësit ishin pjesë e punës në galeri “Tomorri”. Ai drejtoi disa vjet edhe një kurs pikture dhe çeli me fëmijët ekspozita që u mirëpritën në qytet. Dy prej nxënësve të tij tashmë vazhdojnë për pikturë.

Pasionin e trashgoi edhe tek nipi i tij, Sandri, që ka të ardhme në këtë art.

 

 

 

Shpirt poetik

 

 

Vitet e fundi Nuriu shpalosi edhe një tjetër pasion, poezinë. “Lëri vargjet e metaforat! – bënim shaka me të. Nuk të mjaftojnë ngjyrat?!

 

“Piktura është një art “aristokrat”, do shikues me “sqimë”, që dinë ta lexojnë”, – thoshe. Pastaj një poezi e bukur është si një pikturë e bukur. Të dyja nga shpirti dalin…

 

 

Nga poezitë e botuara zgjodhëm poezinë “Mall”, që ia kushton qytetit të Poliçanit.

 

 

Ja…

Bora e parë ka rënë mbi qytetin tim

 E unë vij përsëri si çdo fundvit

Shëtis i heshtur rrugicave të tua, të

mbuluara nga bora

Ndjej zhurmën e fëmijëve që luajnë si

cicërima zogjsh

E timen fëmijëri kujtoj.

Sa ëmbël më vijnë tani mendimet

Jeta, gëzimet hidhërimet

Çdo gjë që mbrapa kemi lënë

Eh, tani flokët si bora shpupurisen bashkë

me të

 E thellë në shpirt ndjej një brengë që

koha na la

E një lot i nxehtë më rrëshqet në mollëzën e

faqes së zverdhur nga mplakja,

Burrërinë ma tradhëton

 Është loti i dashurisë për ty.

I ri dhe i lashtë, qyteti im

Bashkë me lotin të dua!…

 

 

Nuriu ishte qytetar dhe shok i rrallë. Studio e tij ishte edhe “baza” e shoqatës “Tomorri” në Durrës. Pas tërmetit galeria u mbyll dhe ai u rikthye “përkohësisht” në Poliçan.

 

 

Pastaj erdhi pandemia. “…po pres pranverën dhe pastaj do të vij në Durrës. Poliçanin e dua shumë, por nuk më rrihet më. Kam lënë punë aty, kam edhe shumë punë të përfunduara këtu dhe ato kërkojnë miqtë e pikturës”…

 

 

Por Nuriu nuk e priti pranverën që aq shumë e deshi dhe e pasqyroi me gjithë ngjyrat në punët e tij. Në atë mars të dy viteve më parë ai iku.

 

 

Iku parakohe në parajsë. Kishte plane e punë të tjera për të bërë…

 

Iku dhe la pas emrin dhe një vepër që vlerësohet e nderohet sot e padyshim në të ardhmen.

 

 

Ishte edhe nderi i shoqatës “Tomorri”, një njeri aktiv në veprimtaritë e saj.

 

 

Mund të shkruanim për Nuriun në përvjetorin e ndarjes nga jeta. Zgjodhëm qershorin. Se në këtë muaj kishte ardhur në jetë. Një muaj që e donte shumë. Siç donte jetën e ngjyrat e saj. Një jetë që e jetoi me dinjitet, me punë. Ndaj dhe nuk do të harrohet kurrë!