Shënepremtja dhe Kanionet e Kopacit, thesare turistike pak të njohur, mes maleve të trevës së Gramshit
Zylyftar Hoxha
Pa shkuar në Grabovën e Sipërme, gati 30 km nga Gramshi, rrëzë një shpati mali shfaqet Shenepremtaja, një fshat tipik malor, tepër panoramik, që më shumë se një kryevepër e natyrës pranë tij, Kanioni i Kopacit, bukurinë ia shtojnë copëzat e kuqe të çative me tjegulla që shfaqen tek-tuk mes një deti të dendur pemësh, arëzat dhe selishtat e vogla rrethuar nga gardhe e ledhe të sistemuara dhe të selitura me kujdes, tymi i oxhakëve dhe zhurmat karakteristike të punës.
Po t’i shtosh edhe përroin-lum: në dimër, të egër, të rrëmbyeshëm dhe ezhdërha, ndërsa në verë shpresë dhe jetëdhënës, me atë pak ujë që ka, ke ndjesinë e një peizazhi të piktorit të shquar Vangjush Mio.
Gjithçka që ke përpara është fryt i një pune të palodhur të banorëve të këtij fshati që kanë ditur dhe dinë ta ndërtojnë jetën edhe në këto kushte të vështira të terrenit të thyer malor, por edhe të motit kapricioz e të egër si në dimër dhe në verë.
Një prezantim i shkurtër: Shënepremtja ndodhet në skajin lindor të rrethtit të Gramshit rreth, rrethohet nga male të lartë nga të gjitha drejtimet, male me lartësi 1500 deri 2373 metra mbi nivelin e detit. Kësisoj Shënepremtja i ngjan një fshati të fundosur nga një cirk gjigant.
Relievi i saj është i lartë, me përthyerje të ndjeshme, me kodra, pllaja e male ku bashkohen në mënyrë organike e ashpra me të butën, maja e maleve që bie thikë mbi livadhe dhe kullota të buta, shkallare të veshura me kullota, të cilat zbresin nga lartësitë drejt fshatit.
Në moshat e kaluara Shenepremtja njihej për një histori të saj në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Enver Hoxha, në atë kohë, kur kishte bujtur një natë në këtë fshat, tregon një ngjarje ku një fëmijë i vogël vjen me vrapë dhe u thotë: “Ja grahën ballistët”!, dmth, erdhën ballistët. Kjo pjesë ditari e Enver Hoxhës ishte vënë në librat e këndimit të shkollës fillore, kështu që moshat e vjetra Shenenpremten e njohin vetëm nga ky fakt.
Po qe se je njeri kurioz, aventurier, i pasionuar pas natyrës, nuk duhet të shkosh xhades lart në krah, një rrugë jo e mirë dhe e largët, por duhet të shkosh nga Kanionet e Kopacit, një mrekulli që Zoti e “ka bërë me hatër dhe si me dorë”.
Dhe kjo mrekulli ndahet me tre fshatrave, mes Kuratës, Shenepremtes dhe Grabovës, të cilat e kanë në sfond, Shenepremtja nga kreu i fshatit, ndërsa Grabova nga fundi i fshatit, nga Perëndimi.
Në qoftë se ky vend do të ishte pranë ndonjë qyteti, do të ishte futur në qindra filma dhe nuk do të kishte çift dasme që nuk do ta kishte në sfond të fotove dhe të albumeve fotografikë.
Por…fatkeqësisht, është larg, tepër larg! …Ndoshta do të “afrohet” ndonjë ditë. Shpresa është gjëja e fundit.
Liqeni i Zi
Ndodhet 4 km në jug-lindje të fshatit Lenie në lartësinë 1684 m mbi nivelin e detit. Eshtë liqen me origjinë akullnajore. Quhet i zi se ka ujë shumë të kthjellët me ngjyrë blu të thellë, shumë të ftohtë.
Është shumë i bukur, i rrethuar më pyje. Ka klimë të pastër malore. 300 m larg tij ndodhet burimi i Liqenit të Zi që përmban ujë me veti kurative në saj të përmbajtjes së tij me mineralizim të lartë dhe PH 7.5 – 8.39.
Në burim nga 1-15 gusht, njerëzit bëjnë deri në 5 banjo, nga 1 në çdo ditë, për t’u kuruar nga sëmundjet e reumatizmës.
Për të shkuar te Liqeni i Zi ndiqet i njëjti itinerar udhëtim nga Gramshi në Lenie.